Grabitja e pronave, akuza ndaj zyrtarëve, deputetëve dhe gjyqtarëve

    393
    Sigal

    Lumë denoncimesh nga qytetarët në Prokurori, për grabitje pronash në Elbasan

    Valë denoncimesh për tjetërsime dhe grabitje pronash, kanë mbërritur në 2 muajt e fundit në Prokurorinë e Elbasanit. Bëhet fjalë për përzierje në afera korruptive të zyrtarëve dhe deputetëve, të cilët duke abuzuar me ligjin, kanë grabitur troje dhe pronat e pronarëve legjitimë në këtë qytet në dy dekadat e fundit. Denoncimet kanë të bëjnë me abuzimet në ullishtat e Elbasanit, trojet e elbasanasve autoktonë tek arat e gjata , trojet në periferinë e qytetit dhe fshatrat rreth tij.

    DENONCIMET

    Në denoncimet e tyre, qytetarët elbasanas, denoncojnë grabitjet e pronave të tyre, nga ish-drejtues të institucioneve dhe deputetë duke abuzuar me trojet e ish-pronarëve të ligjshëm. Denoncimet e tyre prekin edhe gjyqtarë, madje dy prej tyre janë prej muajsh në ndjekje penale për shkelje ligjore. Por duket se organi i akuzës në Elbasan, ka qenë dhe mbetet tejet apatik dhe i pafuqishëm, për të mos thënë i kompromentuar me skandalin e grabitjeve të pronave, problem që ka shqetësuar edhe nivelet e larta te shtetit, apo edhe diplomatët e huaj në Tiranë. Vendimet e gjykatave dhe apatia e organit të akuzës, kanë bërë që shkelësit e ligjit, grabitësit e pronave të bëjnë biznes pa pyetur për askënd. Në Elbasan, në gjithë këto vite, vendimet e paligjshme për pronat janë bërë shkak për akuza të ndërsjella dhe ngjarje të rënda . Qytetarët e Elbasanit, ankohen dhe shprehen të shqetësuar për shkelet ligjore në Hipoteka, zyrat Kadastrale dhe nga KKKP në njësitë vendore ku ata banojnë. Ata shprehen të shqetësuar për vendimet e KKKP, por edhe të Gjykatës Elbasan, e cila gjithmonë ose ka zvarritur ose ka dhënë vendime pro atyre që kanë shkelur ligjin dhe kanë blerë vendimin, madje edhe në shkallën e dytë në Apel.

    HETIMET

    Zvarritjet e hetimeve ndaj grabitësve të trojeve dhe pronave të ish-pronareve legjitimë, ka krijuar një ngërç në dërgimin e dosjeve në gjykatë, por edhe kur ato shkojnë atje, duket se vuajtjet e hallexhinjve nuk kanë të sosur. Denoncimet e qytetareve elbasanas, kanë vajtur deri tek Kryeministri Rama, i cili nga ana e tij ka urdhëruar strukturat vartëse, verifikimin e çdo akuze të ngritur ndaj ish-zyrtareve dhe çdo deputeti që kanë abuzuar me ligjin dhe dërgimin e tyre në organet e drejtësisë. Denoncimet nuk kanë munguar edhe ndaj ish-deputeteve pa marrë parasysh ngjyrimet e tyre politike, duke i akuzuar ata si “abuzues me ligjin, dhe bashkëpunëtorë me grabitësit e pronave”. Ajo që ka ndodhur në Elbasan pas vitit 1992 me trojet dhe pronat e ish-pronareve legjitimë, mbetet një katrahurë e vërtetë, e cila meriton vëmendjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë, të cilat duhet të angazhohen maksimalisht dhe të dërgojnë para ligjit cilindo që ka guxuar të grabisë pronat e ligjshme, madje edhe ti hipotekojë ato.