Gjergj Marku/ Bakri i Munellës dhe “Pirati i Karaibeve”

    472
    Sigal

    Produksioni i filmit “Pirati i Karaibeve”, me aktorin e njohur Johny Depp, njoftoi sot se ka kapur fitimin e 1 miliard dollarëve dhe nuk dihet sa do të progresojë kjo shifër. Është e kuptueshme si perceptohen vlerat në botën e komercit, por realisht, mua po më vinte në mendje një heqje paralele në mes bilancit financiar të një filmi dhe pasurisë minerare që bart fjala bie Mali i Munellës, një nga rajonet më të pasura bakërmbajtëse të vendit!

    Nuk di përse Johny Deep po më dukej më i madh se mali i Munellës, mbase nga shifrat e servirura, (I janë afruar 56 milionë dollarë për serinë IV. Nëse shpërblimi do të konfirmohet atëherë do të jetë një rekord i ri në kinemanë hollivudiane duke e kaluar rekordmenin aktual të shpërblimeve Tom Hanks, që ka fituar 50 milionë dollarë për interpretimin e profesor Langdon te “Kodi i Da Vinçit”). por di një gjë, që “barku” i Munellës, këtij mali aq të bukur, mban kushedi sa “ishuj” thesaresh,që do duheshin vlerësuar shumë më tepër se një aktor filmi sado gjeni të jetë!

    Mirëpo ky mal që mban në brendësi të tij më së paku 700 mije ton mineral bakri, nuk vlerësohet as sa një puntatë filmi!…

    Ka disa shifra tronditëse në mënyrën sesi vlerësohet dhe shfrytëzohet kjo pasuri kombëtare, e koncensionuar  nga “produksionistë” të huaj, tashmë jo filmash, por realitetesh pasurore të një populli të tërë. Sipas një media këtu e katër vite më parë, thuhet se deri sot janë shfrytëzuar nga firma “BER-ONER” rreth 200 mijë ton lëndë polimetalore në Munellë, ndërsa 75 për qind e saj nuk ripërpunohet, në kundërshtim me kontratën.

    Është studimi që vetë firma “BER-ONER” ka financuar te laboratori bullgar “GEOMAC” ai që u mundëson ekspertëve për të siguruar jo vetëm sasinë e floririt dhe argjendit të shpërdoruar nga firma turke, por edhe për të përllogaritur një vlerë të përafërt për koston valutore të kësaj humbjeje që kryhet në kurriz të shtetit shqiptar.

    Nga 700 mijë ton trup polimetalor që ndodhet në Munellë, firma deri tani ka arritur të shfrytëzojë deri në afro 200 mijë ton. Kjo do të jetë dhe njësia bazë e matjes së dëmit të shkaktuar. Por shfrytëzimi i kësaj pjese është në kundërshtim me kontratën pasi 75 për qind e mbetjeve nuk rafinohen nga firma për të siguruar metalet e shtrenjta. Duke qenë se firma ka marrë përsipër të rafinojë mbetjet në Uzinën e Rubikut (tek e cila duhej të investohej medoemos teknologji të re, por realiteti është se ajo është në hapat përfundimtare të demolimit dhe shkatërrimit total!), atëherë nga ky ripërpunim do të siguroheshin sasi të tjera floriri, argjendi dhe bakri. Masën dhe përqindjen e gjendjes së këtyre elementëve në mbetje e ofron shkencërisht raporti bullgar.

    Duke qenë se ekzistojnë të gjitha të dhënat e nevojshme për të bërë përllogaritjen e masës së metaleve të çmuara që janë shpërdoruar dhe janë “flakur” nga ana e firmës turke, ekspertëve nuk u është dashur shumë për të bërë llogaritë pasi të dhënat disponoheshin të plota dhe përllogaritja do të ishte vetëm një proçes aspak i komplikuar matematikor. Kësisoj është llogaritur se në kushtet kur nga 200 mijë ton trup polimetalor 75 për qind ka kaluar si mbetje (e cila më pas nuk është rafinuar në Rubik) ka një humbje prej rreth 520 kilogramësh flori, 3850 kilogramësh argjend, 3 mijë ton metal bakri ekuivalent me 15 mijë ton koncentrat bakri si edhe 3800 ton zink, i cili është ekuivalent me 8500 ton koncentrat zinku. Pa hyrë në përllogaritjet e vlerës së floririt apo argjendit, mjafton vetëm fakti se në bursat ndërkombëtare çmimi i bakrit është trefishuar në dy vitet e fundit për të kuptuar se firma turke po kryen një krim të pastër ekonomik mbi pasurinë nëntokësore të shtetit tonë.

    Duke qenë se firma “BER-ONER” shfrytëzon vetëm 25 për qind (sepse vetëm këtë sasi mund t’ a eksportojë si lëndë bruto pa patur nevojë ta rafinojë) të masivit, atëherë nisur nga kushtet e saj të përcaktuara në kontratë rezulton se kjo firmë korr një fitim maksimal për këtë sasi. Kjo pasi firma është e zhveshur nga të gjitha detyrimet me natyrë tatimore dhe ligjet fiskale, por ajo që është më e rëndësishme është se kjo firmë në mënyrë të kundraligjshme i është shmangur dhe detyrimeve (që i ka kërkuar ajo vetë) për të investuar në 9 objekte të tjera sikurse parashikohet në marrëveshjen koncesionare. Gjithsesi, specialistët kanë përllogaritur me përafërsi se duke zbritur nga fitimi mbi lëndën që eksportone firma koston e 120 të punësuarve dhe investimin e deklaruar prej 8 milionë dollarësh nga firma, i bie që fitimi i saj neto të jetë tek 17 milionë euro. Por ky është fitimi i korrur neto nga firma, pasi si pasojë e vjeljes së fitimit me këtë skemë, paralelisht firma ka shpërdoruar rreth 75 për qind të mbetjeve, vlera e të cilave shkon deri tani te 40 milionë euro. Të gjitha të flakura në rrugë, të gjitha të llogaritura si pasuri kombëtare.

    Zbatimi i marrëveshjes, garanti i sigurisë së rezervave

    Në thelb, marrëveshja konçesionare me firmën “BER-ONER” parashikonte dhënien e dhjetë objekteve me koncesion kësaj firme për një periudhe 30-vjeçare. Mes objekteve llogaritet dhe rezerva polimetalore e Munellës, ku studimi (që disponohet i plote) i firmës kanadeze “NEBEX” ka faktuar se bëhet fjalë për një trup shumë të pasur me bakër, flori, argjend dhe zink. Firmës turke “BER-ONER” i është lënë dorë e lirë (nëpërmjet koncesionit të firmës BOT) që të shfrytëzojë pa asnjë detyrim këtë minierë, por me kushtin themelor që të kryente investime dhe në 9 objektet e tjera. Si rregull, pas 30 vjetësh, në bazë të koncesionit të firmës “BOT”, shteti shqiptar do të trashëgonte të gjitha investimet e kryera dhe të gjithë linjën e ringritur prodhuese në objektet e menaxhuara nga kjo firmë. Por ja që realiteti flet ndryshe, pasi kjo firmë është përqendruar vetëm në Minierën e Munellës dhe ka lënë thuajse të paprekura 9 objektet e tjera, duke i krijuar vetes një mundësi fitimi maksimale dhe duke rritur në mënyrë galopante riskun e shtetit shqiptar. Ajo ç’ka është më interesante lidhet dhe me vetë shfrytëzimin e Minierës së Munellës, pasi rezulton se edhe aty firma turke po vepron jashtë parametrave të projektit që ajo ka paraqitur kur pretendoi të siguronte marrëveshjen konçesionare.

    Ministria e Ekonomisë nuk pipëtin përballë skandalit

    Ndonëse është përgjegjëse për lidhjen e kontratës koncesionare me firmën turke “BEL-ONER”, Ministria e Ekonomisë nuk ka patur kurrfarë reagimi lidhur me denoncimin e bërë në media.

    Objektet e marra me koncesion nga “BER-ONER”

    1. Miniera e Bakrit, Munellë

    2. Miniera e Bakrit, Lak-Rosh

    3. Miniera e Bakrit, Karmë

    4. Fabrika e Pasurimit të Bakrit, Fushë-Arrëz

    5. Fabrika e Pasurimit të Bakrit, Mjede

    6. Uzina e Bakrit, Rubik (Metalurgjia dhe Fabrika e rafinimit)

    7. Impianti i Fraksionimit të Skorjeve të Bakrit, Shëngjin

    8. Miniera e Kromit, Vlahen

    9. Miniera e Kromit, Perollaj

    10. Fabrika e Pasurimit të Bakrit, Golaj

     Nuk dihet se çfarë do të ngjasë me vendimin e fundit për shitjen e asetit mineral që ka vendi dhe kryesisht rajonet e Veriut, por me siguri gjithë pasuria kombëtare sipas kësaj mënyre menaxhuese komprometuese dhe abuzive, vlera për të mirën e gjithë qytetarëve të këtij vendi nuk do mund të arrijë kurrë tek shpërblimi i Johny Deep te “Piratit të Karaibeve”!