Filip Çakuli/ Më mirë syri, se nami….

    560
    Sigal

    Maksi e dinte mirë se në ndërmarrjen pyjore s’e kishin çuar për ta nxjerrë atë nga prapambetja. Pse, ai ishte drejtori më i aftë, në rreth? “Doemos”- i shkoi nëpër mend atij, – më dhanë një bërryl thjesht për të më diskretituar dhe këtë e kam nga ata që u kam qëndruar korrekt dhe nuk u kam bërë as më të voglin lëshim. Megjithatë do të më shohin dhe do ta marrin vesh se ç’jam në gjendej të bëj”.

    Drejtori i ri i Pyjores nuk i kishte kapërcyer të dyzetat, po tregonte më i ri, më i mbajtur, vinte i shkurtër e i mbushur dhe rrallë vinte buzën në gaz. (Më saktë duhet thënë që asnjëri nuk e kishte parë duke qeshur.). Ishte tip kolerik dhe pretendonte për më shumë jo se ndiente në vetvete forca e zotësi, po sepse ishte dhëndri i shokut Namik, i cili kishte pozitë të fortë shoqërore dhe e nderonin e respektonin të gjithë në rreth. Sa u njoh me punën e re, e ndjeu se do ta kishte shumë të vështirë të përballonte gjithë atë volum të madh pune. E keqja ishte se ndërmarrjen pyjore nuk e zinte njeri për bishti dhe nuk i kushtonin ndonjë vëmendje në rreth. Sepse i vetmi pyll që ishte, qe zhdukur me kohë. Prandaj gjëja e parë që mendoi Maksi, ishte të bënte pak zhurmë, që ta merrnin vesh të tjerët se këtu ekzistonte edhe një ndërmarrje pyjore. Nuk ishte fjala për t’u rënë zileve e këmborëve e për të bërtitur me zë të lartë. Duhej marrë ndonjë nismë e bujshme, shembull për t’u ndjekur e për t’u qafuar nga të tjerët. Mund të shkruanin edhe gazetat, pale të fliste edhe radioja. Ja, kaq i duhej Maksit. Mjaftonte që ndërmarrja të përmendej për mirë, mjaftonte që t’i dilte nami, që të binte disi në sy… Apo s’ ishin në valën e nismave të mëdha revolucionare që kishin përfshirë të gjitha ndërmarrjet. Gazeta lokale dhe radioja u bënin jehonë këtyre nismave. Ja ashtu siç po bënin tani me nismën e ndërmarrjes ushqimore për të kursyer pesë për qind të lëndëve të para. Maksi urdhëroi të mblidhej menjëherë këshilli teknik i ndërmarrjes. Mbledhja do të ishte e zgjeruar me brigadierë e kuadro të tjerë. – Ju e kuptoni edhe vetë,- iu drejtua shokëve Maksi, – se ne nuk mund të rrimë mënjanë kësaj vale revolucionare që ka shpërthyer kudo. Duhet të marrim dhe ne ndonjë iniciativë. Por iniciativë ama, që kur ta dëgjojnë të tjerët, të mbeten me gojë hapur. Pas kësaj grishjeje, dikush propozoi që të dyfishohej plani i lepujve nëpër pyje.

    -E pse të mos e trefishojmë, përderisa ata nuk do ti numërojë njeri? – sqaroi një i tretë, përgjegjësi i rezervatit të peshqve.

    -Kur qenka puna kështu, – u dëgjua zëri i drejtorit, – atëherë të dhjetëfishohet numri i lepujve. Shënoje ti, Niko, në protokoll!

    Nikoja, protokollisit, ishte kryeinxhinieri i ndërmarrjes pyjore, një burrë i shkurtër, bullafiq, me flokë të dendur e hundëçip. Ai vinte nga fabrika e letrës dhe tani që po diskutohej për dhjetëfishimin e lepujve, ju kujtua një histori analoge në fabrikë, këtu e dy vjet më parë. Punëtorët e repartit të kartonit, pasi kishin bërë një studim se bashku me inxhinierin e personelin teknik, u zotuan të punonin duke kursyer tre për qind të lëndës së drurit. Propozimi qe me leverdi të madhe për ekonominë, kur dihet se druri është lëndë deficitare. Që këtej zotimi vajti në drejtori të fabrikës dhe drejtori menjëherë organizoi një mbledhje të gjerë të kolektivit. Ngriti përgjegjësin e repartit të kartonit të diskutonte hollësisht

    – Ky është zotim i guximshëm, – i tha atij. – Po pse s’e bëni pesë për qind?

    – Kaq na doli llogaria, – ia ktheu përgjegjësi repartit, një burrë serioz.

    – E mo, se kurseni ju edhe pesë për qind, – buzëqeshi drejtori i zeshkët e i thatë – Keni forca e rezerva të brendshme ju. I njoh mirë unë mjeshtrit duarartë të repartit të kartonit.

    Dhe, pa pritur më argumente nga përgjegjësi i repartit, e shënoi në bllok zotimin e tyre aq sa tha vetë. Në një mbledhje drejtorësh në komitet, ai u ngrit dhe me mburrje deklaroi se do të kursenin pesë për qind të lëndës së parë dhe qe i sigurt për mbresat e mira që do të linte. Mirëpo u ngritën ca drejtorë të tjerë dhe e lanë në bisht. Ata u zotuan se do të kursenin dhjetë për qind të lëndës së parë, ose do ta tejkalonin detyrën pesëmbëdhjetë për qind. Atëherë, drejtori i fabrikës së letrës, për të mos u turpëruar, e mori fjalën prapë dhe aty shtoi edhe gjashtëmbëdhjetë për qind nga xhepi, duke e çuar kuotën e kursimit të lëndës së drurit në njëzet e një për qind. Kjo i habiti të gjithë, dhe shumë bënë çudi me guximin e marrë të këtij drejtori. Por ia njihnin kokën dhe çdo gjë mund të pritej nga ai kur merrte superxhiro. Po punëtorët nuk e pranuan këtë barrë që u ngarkuan të tjerët, dhe me laps në dorë kërkuan të dilte përgjegjësia…

    – Pse nuk mban shënime ti? – e përmendi kryeinxhinierin zëri i drejtorit. – Shkruaj atje zotimin e kryefurnitorit! Të kursejmë dhjetë për qind të sheqerit të bletëve. Kjo është gjë e madhe, shokë. Po sikur ta bëjmë pesëmbëdhjetë për qind, prish punë?- pyeti ai duke ju druajtur përgjigjes së Kryeinxhinierit. Zotimi vërtetë bëri bujë.

    Të gjithë e kishin në gojë Maksin ato ditë. Ishte bërë heroi i ditës. Kaq iu desh atij. Vërtetë mjaltë nuk para kishte shpesh në shitje, por ama kishte sheqer. Tani do të shtohej sasia edhe me sheqerin e kursyer nga ushqimi i bletëve. Një ditë një lajm i hidhur tronditi Maksin dhe gjithë administratën e ndërmarrjes. Bletët ishin keq. U thirrën veterinerë e bletërritës të dalluar, por asnjëri s’po arrinte t’u bënte derman. Nga 250 zgjoje, ngordhën papritur 50 dhe përditë po pakësohej numri. U bënë analiza të shumta dhe përfundimi doli se bletët po ngordhnin nga mungesa e ushqimit. -Sikur nuk shkon t’u japim nga ai që kursyem, – ngriti supet drejtori.-Na rruat iniciativa..

    – Atëherë s’do të bëhet më fjalë për bletë këtu, -i tha kryeinxhinieri i revoltuar. – Më mirë ta blejmë me paret tona, sesa të humbim namin e mirë që kemi fituar, -u tërhoq drejtori. –Merrni rrogën time, por ama.. pa fjalë.-S’mjafton as ajo, – nënqeshi kryeinxhinieri.- Unë mendoj se e mira e të mirave është t’u blejmë ca mjaltë…