Dy intimitete të ndryshme, dallimi mes grave e burrave

    458
    Sigal

    A mund të flitet për dashurinë nga pikëpamja biologjike?

    Studime të ndryshme kanë treguar se truri i femrës është shumë herë më i prirur për të zhvilluar sferën e brendshme, të intuitës e të shprehjes nëpërmjet fjalës, edhe kur bëhet fjalë për ndjenjat. Kurse burri ka më të zhvilluar sferën e logjikës e të arsyetimit dhe orientimin në hapësirë e kohë.
    Tek një grua, rënia në dashuri përcaktohet nga nevoja për të jetuar nën kujdesin e dikujt: sa më shumë të pranohet e kuptohet bota e saj emocionale, aq më shumë ajo do të jetë një “radiomarrëse” e do të japë prova se e çmon shokun e saj. Kurse, tek burri ndodh e kundërta. Në bazë të procesit të dashurimit qëndrojnë ndjenja e pushtetit dhe nevoja për t’ju përkushtuar një gruaje, të cilën më në fund e zotëron.
    Konflikti lind në momentin kur dy partnerët nuk i pranojnë këto diferenca të ndërsjella: në këtë rast burri do vazhdojë të mendojë se gruaja vihet në lëvizje nga kjo dëshirë e tij për pushtet, ndërkohë që gruaja vazhdon të besojë se në momente të vështira edhe burrat kanë nevojë për mirëkuptim.
    Në rininë e pare, një grua është shumë më e gatshme të sakrifikohet e të konformohet sipas kërkesave të partnerit, kurse burri është shumë më tepër i përthithur nga vetja e tij e i pakujdesshëm për nevojat e të tjerëve. Në fazën e pjekurisë, gruaja e kupton se ndoshta ajo ka hequr dorë nga vetja e saj për t’ju përkushtuar burrit. Gjeja me e rëndësishme për të, është që të arrijë një ekuilibër të ri mes prirjes së saj për të dhënë dhe nevojës për të përcaktuar kufij, në mënyrë që të marrë atë që dëshiron. Tek burri, përkundrazi, vihet re një ndërgjegjësim më i madh për kapacitetin e tij për të dhënë.
    Për t’u ndjerë mirë bashkë, burrat dhe gratë, duhet t’i pranojnë këto diferenca si të dhëna de fakto; duke hequr dorë njëherë e mirë nga dëshira për ta ndryshuar tjetrin. Gratë në mënyrë të veçantë duhet të heqin pretendimin për të ndarë gjithçka me partnerin e tyre, të rreshtin së quajturi burrin valvul shkarkimi, apo më keq akoma psikoterapistin e tyre.
    Po atëherë përse dashurohen burrat dhe gratë?
    Sipas psikologjisë evolucioniste, rënia në dashuri ka funksion biologjik, i cili finalizohet me ruajtjen e llojit e transmetimin e gjeneve. Burrat dhe gratë dashurohen sepse ky fakt do të përbënte një përparësi gjenetike për “këlyshin” e njeriut, sepse ai ka në dispozicion dy persona të rritur, të cilët kujdesen për mirëqenien e tij, derisa ai të arrijë pavarësinë e plotë.
    Nga pikëpamja e evolucionit personal, rënia në dashuri dhe formimi si pasojë i çiftit, marrin dhe një kuptim tjetër. Mund të biem në dashuri vetëm kur kalojmë nga faza egocentrike (që karakterizohet nga investimi total për vetveten e për nevojat vetjake), në fazën alocentrike (që dallohet nga zbulimi i tjetrit në kuptimin më të thellë të fjalës).
    Diferenca midis dy sekseve është shpesh e lidhur me një konceptim të ndryshëm për intimitetin. Pikërisht ajo që i ka ndodhur Roselës, 22 vjeçe e cila më shkruan për rastin e saj.
    Është e lidhur me Klaudion prej katër vjetësh. Takimi i tyre i parë ishte një dëshirë e fatit që do të pasonte me një dashuri të fortë, solide, të vrullshme. Ishin me të vërtetë të bashkuar, ndjeheshin si një trup i vetëm e të bindur se historia e tyre nuk do mbaronte kurrë, nëse do donte fati, i cili i kishte bashkuar. Por ja ku nisin dhe keqkuptimet e para, grindjet e para, të cilat pasohen nga pajtime pasionante. Gradualisht, krizat e xhelozisë, mosbesimi dhe inati fillojnë te shtohen duke u alternuar me çaste të vrullshme dashurie, seksi e delikatese. Klaudio filloi të ankohej për vëmendje të pakët, kapriço nga ana e Roselës. Ishte lodhur duke qëndruar gjithmonë në plan të dytë e duke vuajtur, kur ajo shëtiste me mikeshat e saj e ai rrinte zgjuar gjithë natën për shkak të xhelozisë…
    Kështu, pak nga pak ai filloi të largohet. Tani asaj i mungon butësia e tij dhe ajo ndjenjë e fortë që e mbante të lidhur çiftin e tyre. “A ka mundësi që ta rigjej atë harmoni, atë besim që i humba rrugës? – pyet ajo.
    Besoj se ky çift do të rregullohet e do të shkojë atje ku ishte, duke eksperimentuar pak me shkallën e intimitetit të partnerëve. Në fillim, ishte Klaudio ai që kërkonte më shumë intimitet afektiv, kurse Rosela ishte më e shkëputur. Kjo ndoshta sepse ajo, po i kanalizonte energjitë e saj për realizimin profesional. Tani që ai u largua është ajo që po vuan. Por, besoj se kjo “firzamonikë” ndjenjash, kjo përmbysje e alternuar e roleve, është e nevojshme për një çift. Vetëm kështu arrin të kuptosh nëse dashuria do mbijetojë.
    6 përbërësit kryesorë të çiftit afatgjatë
    1 – Të jenë një e vetme të bashkuar – Nuk ka gjë më të dëmshme sesa humbja e kësaj ndjenje, që bën të mundur që dy të dashuruar të ndjehen unikë njëri me tjetrin, ndërkohë që kush shikon nga jashtë i konsideron viktima të daljes nga ndjenjat.
    Fjala kyç është vetëmsia. Nuk mund të mos i japësh të drejtë atij burri të zhgënjyer nga sjellja monotone dhe e pasionuar e gruas që ai akuzon se bën dashuri “sikur t’ja kishte dhënë mjeku me recetë”. Një zonjë tjetër, shumë e lumtur, që burri i saj e quante “princesha ime”, mbeti shumë e zhgënjyer kur zbuloi se ai quante kështu edhe macen e tij!.
    2 – Energjia – Dashuria duhet të çlirojë e të vërë në lëvizje një sasi të mjaftueshme energjie,
    përndryshe do të shndërrohet në një çështje llogarie e interesi.
    3- Koha – Dashurisë duhet t’i japësh kohë. Urgjencën le t’ja lëmë të ashtuquajturve “goditje nga rrufeja”. Dashuria nuk duhet të nxitojë. Shumë marrëdhënie dashurore konsumohen si një flakë kashte duke e kapërcyer të gjithë ritualin e njohjes, të vardisjes e lajkatimit. Dashuria si një ndjenjë e pjekur e si një pasuri që duhet ndarë, ka nevojë për kohë e vet; për tu njohur, për të ndarë përvojën e deri dhe për të kapërcyer krizat e pashmangshme. Le të mos harrojmë se një çift që nuk e ka kaluar një rrugë në jetën e vet, mbetet një çift i rrezikuar.
    4- Shpirtmadhësia (bujaria)
    Dashuria ka nevojë për një dozë të caktuar shpirtmadhësie. Nuk e kam fjalën këtu për ndonjë blatim të verbër e të marrë: shpirtmadhësia është aftësia për të dashur tjetrin dhe marrëdhënien që krijojmë me të. Shpirtmadhësia do të thotë edhe të japësh falas pa interes.
    5- Besimi – Ashtu si në marrëdhënien nënë – fëmijë një intimitet i mirë bazohet te besimi e po ashtu nuk ekziston dashuria ku janë të pranueshëm mosbesimi e dyshimi. Prandaj kush e ndjek partnerin me një hetues privat tregon se nuk e dashuron por se vetëm do ta zotërojë. Nuk kam synim të bëj apologjinë e dashurisë së verbër, por e quaj të rëndësishme të theksoj se besimi i dyanshëm, është një përbërës i domosdoshëm i dashurisë.
    6- Vlerësimi
    Sigurisht, jo gjithmonë pasioni bart me vete sinqeritet e transparencë. Por një gjë është e sigurtë: vështirë se dashuria reziston pa një dozë të mirë vlerësimi të partnerit.
    Marrë nga libri “Jeta në
    ccift”, Uilli Pasini