Dr. Holta Sina Kilica: “Tingujt e ngrohtë” të Haig Zacharian-it

283
Sigal

Dr. Holta Sina Kilica
Muzikologe, pedagoge në UA

Koncert në nderim të 70-vjetorit të lindjes së kompozitorit Haig Zacharian

Koncerteve të shumta që po zhvillohen këto kohë në Tiranë, i’u shtua mbrëmjen e 14 majit, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, koncerti në nderim të 70-vjetorit të kompozitorit, pedagogut, profesorit, njeriut të mirë, të mençur e të paqtë, Haig Zacharian.

Personalitetet e ndriçuar ka raste që lidhen mes tyre edhe përmes datave apo ditëve të shënuara: p.sh. të mëdhenjtë e paraklasiçizmit Bachu dhe Hendeli kanë të njëjtin vit lindjeje (1685); tek ne kompozitorët e njohur Tonin Harapi dhe Tish Daija kanë gjithashtu të njëjtin vit lindjeje – 1926, por një përkim i tillë është edhe në të njëjtën datë lindjeje në 7 maj mes gjenive Brahms dhe Çajkovski, ndërsa në 8 maj mes dy kompozitorëve shqiptarë, që kanë lëvruar aq bukur dhe profesionalisht të njëjtën gjini muzikore siç është muzika e filmit: Kujtim Laro që do të mbushte 75 vjeç dhe Haig Zacharian 70 – vjetorin e tij.

Kjo lidhje midis tyre, si kompozitorë, por dhe si miq e kolegë dëshmoi një konseguencë edhe në krijimtarinë e tyre, të fokusuar si në veprat instrumentale, vokale e orkestrale, por sidomos në atë që do të ishte dhe fusha e tyre e preferuar e krijimtarisë – muzika e filmit.

Në këtë kontekst nëse K. Laro do të ishte kompozitori i filmave me temën e luftës, por që e pikturoi atë me shumë tinguj lirikë, H. Zacharian do të ishte kompozitori i elegancës dhe lirizmit poetik në filmat ku tema sociale do të mbizotëronte.

Kompozitori Haig Zacharian u lind në Durrës pikërisht më 8 maj të vitit 1952 në një familje me origjinë armene dhe që në moshë të herët u çelën te ai dy pasione: për muzikën dhe inxhinierinë. Ai zgjodhi mes të dyjave si profesion kompozicionin: pikërisht krijimin si e para dhe më e çmueshmja lëndë e muzikës dhe pasionin i’a la inxhinierisë,- pasi siç pohon edhe vete: është kënaqësi ta përdorësh shkencën si instrument.

Qysh në moshë të vogël filloi të mësojë instrumentin e pianos dhe teorinë e muzikës në qytetin e tij të lindjes dhe, më pas, vijoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve) në klasën e kompozicionit të Prof. Tonin Harapit. Pas diplomimit, ka punuar si drejtues artistik i ansamblit amator në hidrocentralin e Fierzës (1973-1977); më tej, me ansambletë amatore në pallatin “Rinia” të qytetit të Durrësit, mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” po të këtij qyteti, kompozitor në krijimtari të lirë për një periudhë kohe, ndërsa pas viteve ‘90 (konkretisht që prej vitit 1993) vijon si Profesor i Harmonisë dhe Kompozicionit në UA (megjithëse tashmë i dalë në pension).

Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës, duke nisur nga këngët për fëmijë, këngët e muzikës së lehtë, muzikë instrumentale, dhome, orkestrale, lirikë vokale (romanca), korale e deri te muzika e filmit, e cila shenjoi mbi të gjitha krijimtarinë e tij. Pas viteve ’90, përveç kolonave zanore të filmave, krijimtaria e tij është fokusuar kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, sidomos në gjininë e romancës vokale, ku shfaqen qartë edhe mënyrat e teknikat bashkëkohore, të ngjizura pazgjithshmërisht me unin e tij artistik.

Si një intelektual i tingullit, stili i muzikës së tij dallon për ngjyra të holla e fine, për melodicitet të dallueshëm e të mbrujtur me individualitet, por edhe modern në të njëjtën kohë (duke patur parasysh këtu veçanërisht periudhën kur krijoi pjesën më të madhe të kolonave zanore, atë të para viteve ’90). Për krijimet e tij është vlerësuar me çmime të shumta, ndërsa disa prej veprave të tij janë intepretuar në skenat e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare, por dhe jashtë saj si në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë etj.

30 kolonat zanore që mbajnë firmën e tij në bashkëpunim me regjisorë si H. Hakani, Xh. Keko, G. Erebara, Dh. Anagnosti, V. Prifti, S. Pecani, K. Çashku, R. Ljarja, S. Kumbaro, K. Mitro, I. Muçaj, M. Shanaj, E. Musliu etj, përfshijnë periudhën kohore të viteve 1976-2022 (pra, 30 filma në 46 vite!). Ashtu siç e tha në këtë mbrëmje dhe aktori i mirënjohur i kinemasë shqiptare Nriçim Xhepa (i cili ka qenë protagonist në disa filma, ku muzika ishte pikërisht e mjeshtrit Zacharian): “Haigun e kanë dashur të gjithë regjisorët dhe kjo duket nga numri i madh i atyre, që kanë bashkëpunuar me të” – kjo është një e vërtetë e padiskutueshme, e cila dëshmon së pari për talentin e tij, por dhe për frymën e bashkëpunimit, komoditetit dhe mirëkuptimit me secilin prej tyre.

Muzika e tij ka lënë gjurmë në kujtesën tonë në të tillë filma si “Ilegalët”, “Yje mbi Drin”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “Kohë e largët”, “Taulanti kërkon nje motër”, “Të mos heshtësh”, “Flutura në kabinën time”, “Vetmi” etj, të cilat janë padyshim kolona zanore nga më përfaqësueset e filmave tanë (të përzgedhura dhe për këtë natë koncertore) dhe, së fundmi, kompozitori Zacharian është në proces të muzikës së filmit më të ri “Këtu, vallëzohet me hijet” me regji të Pluton Vasit.

Vetë karakteri i tij shumë modest dhe i paqtë dëshmon atë ngrohtësi që më mirë se tek kushdo tjetër e ka vizatuar muzikalisht te filmi “Dora e ngrohtë”, prandaj dhe ky koncert në nder të 70-vjetorit të lindjes së tij, u ideua dhe u organizua me shumë dashuri e përkushtim nga miqtë dhe kolegët e tij, titulluar pikërisht nën këtë okelio.

Programi i kësaj nate u hap me zërin potent të aktorit Bujar Asqeriu, i cili renditi në vargje titujt e filmave me muzikë të Haig Zacharianit (duke i’u dhënë kuptim atyre) dhe, më pas, hap pas hapi, u zbuluan përmes intepretimit me ndjeshmëri dhe profesionalizëm nga formacionet e muzikës së dhomës (duo, kuartet, kuintet dhe sekstet), nëntë kolonat zanore, mixuar në simbiozë me imazhet filmike, të aranzhuara nga kompozitorët Endri Sina dhe Klodian Qafoku, interpretuar nga instrumentistët Ardita Bufaj (piano), Fatos Bardulla (violinë), Dorina Laro (violonçel), Orjeta Nishani (flaut), Xhovana Marku (oboe), Gridi Kraja (perkusion) si dhe me pjesëmarrjen e sopranos Ulpinana Aliaj dhe baritonit Armando Likaj, që kënduan dhe dy prej romancave të tij më të bukura: “Mësimi i një kënge” dhe “Vetmia e një kllouni”.

Ky event u bë i mundur falë mbështetjes së komunitetit armen dhe konsullit të tij z. Varuzhan Piranian, i cili me shumë fisnikëri dhe bujari hapi dyert e konsullatës për projektin në fjalë (për këtë personalitet, që vetë kjo shoqatë e ka në nderin e saj). Gjithashtu me mbështetjen e fondacionit “Halimi” me president të saj avokatin Eduard Halimi, Italinox-it me president Ardian Reçin dhe Pro-Sound, që ndihmoi me mjetet e nevojshme teknike.

Mbrëmja koncertore e ndërtuar ngrohtë me tingujt e mjeshtrit Zacharian, u prit me mjaft emocion nga vetë kompozitori, por dhe nga i gjithë publiku i shumtë, që kishte tejmbushur sallën, i cili përmes nostalgjisë së kinemasë dhe muzikës së filmave të krijuar aq mjeshtërisht prej duarve të tij, nuk i kurseu duartrokitjet për çdo intepretim të formacioneve dhe këngëtarëve solistë.

Të tilla evenimente japin mesazhe dhe janë ngjarje të një rëndësie të veçantë për artin shqiptar, që duket sikur i ka lënë në harresë krijuesit, dirigjentët e interpretuesit si dhe të tjerë artistë të mirëfilltë të çdo fushe, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar me artin e tyre, prandaj nisma dhe organizime të tilla priten me interes e emocion nga publiku.

Urojmë sa më shumë evente të tilla cilësore e të tjera, që promovojnë vlerat e vërteta të artit shqiptar dhe ndikojnë ndjeshëm në kultivimin e shijes së mirë, larg antivlerave që sot për fat të keq kanë kapur dhunshëm skenat dhe ekranet tona!