Dekani i Drejtësisë: Kriteret që ju shpallin fitues në Part-Time dhe kategoritë e aplikantëve

    469
    Sigal

    Dekani i fakultetit të Drejtësisë Prof. Altin Shegani, flet për maturantët që kanë mbaruar para 2011 shkollën e mesme

    Prej disa ditësh në sekretaritë e fakulteteve të universiteteve publike në mbarë vendin po vazhdojnë regjistrimet për sistemin e studimit part-time. Nga informacionet e marra dhe vëzhgimet e bëra nga gazeta “Telegraf” në sekretaritë e fakultetit të Drejtësisë dhe në sekretaritë e Fakultetit të Shkencave Sociale ka një interesim të madh nga kandidatët për tu regjistruar në degë të ndryshme. Ndërkohë që sipas informacioneve të marra dhe sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me këtë sistem jo të gjithë personat që kanë mbaruar shkollën e mesme mund të aplikojnë dhe të fitojnë në këtë sistem studimi.

    Personat që nuk mund të aplikojnë për Part-Time

    Studimet në sistemin part-time nuk mund ti ndjekin të gjithë maturantët, që kanë mbaruar shkollën para vitit 2011 dhe që nuk kanë dhënë lëndët me zgjedhje. Sekretaret e fakulteteve përkatëse të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale bëjnë të ditur se “personat që kanë mbaruar para vitit 2011 dhe që nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje nuk mund të jenë pjesë e studimeve Part-Time”. Po ashtu një kriter tjetër që duhet plotësuar nga ata studentë që kanë mbaruar para vitit 2011 dhe që kanë dhënë provimet me zgjedhje duhet të marrin pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve një vërtetim që i kanë dhënë këto provime. Në lidhje me këtë çështje ka folur në një prononcim për “Telegraf” edhe dekani i fakultetit të Drejtësisë Prof. Altin Shegani. Ai ka theksuar se ka një interesim të madh nga maturantët për t’u regjistruar në sitemin part-time dhe po vazhdojnë regjistrimet pranë Fakultetit të Drejtësisë për sistemin part-time. I pyetur në lidhje më kriteret e pranimit zoti Shegani ka theksuar se: “si kriter bazë për pranimet në sistemin part-time është nota mesatare e shkollës së mesme”.