Çfarë fshihet dhe kush dëmtohet nga Reforma e Pensioneve?!

    381
    Më 31 korrik 2014, në seancë plenare, mes një atmosfere të nxehtë diskutimesh për Reformën Territoriale, sepse aty janë interesat politike, u përdor intermexo si një kafe çlodhje “Ligji për Reformën e Pensioneve”. Çfarë ndodhi?! Brenda pak minutash, pas diskutimit më tepër përshëndetës për Qeverinë nga përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare, nën falënderimet maksimale të Ministrit të mirëqenies “të të pasurve“, zotit Erion Veliaj me 88 vota pro, pa asnjë kundër, pa asnjë abstenim, u miratua ligji i famshëm. Me këtë ligj bëhet hapur vjedhja e kontributeve për pension të punëmarrësve nga ana e qeverisë, ku një pjesë ia shpërndan atyre punonjësve me paga të larta që të mos bëjnë zhurmë.
    Pse u miratua ky ligj kaq pa zhurmë?
    1. Qeveria dhe kryesia e parlamentit programuan miratimin e këtij ligji njëherësh me Reformën Territoriale, reformë që prekte interesa të drejtpërdrejta të “Feudalëve të shekullit të 21-të” dhe të partive politike që mbështesin fitoret e tyre.
    2. Diskutimet në komisione u zhvilluan njëkohësisht me kampionatin botëror të futbollit.
    3. Miratimi i këtij projektligji u caktua në ditën e fundit të punimeve të parlamentit, pra më 31 korrik 2014.
    4. Me këtë projektligj joshet një pjesë e mirë e administratës së shtetit si dhe njerëzit e parasë, mediat, bizneset që mund të bënin zhurmë.
    5. Punëmarrësit në Shqipëri janë 100 për qind të tradhtuar.
    6. PS dhe LSI nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalën “sociale” dhe janë më të djathta se vetë të djathtët.
    7. As edhe një nga 88 deputetet nuk e quajti veten deputet i popullit, por dëshmuan se janë të punësuarit e kryetarit të partisë dhe biznesit që i ka financuar për të mashtruar popullin.
    8. Opozita fërkoi duart, shyqyr që nuk ishim në parlament dhe këtë ligj e bënë ato socialistët. Për çudi edhe në vitin 2002, kur u miratua rritja e dytë e moshës së pensionit (ligji 8889, datë 25.04.2002). Opozita e sotme edhe atëherë në opozitë nuk mori pjesë në votim dhe se më interesante është deklarata e Kryetarit të Opozitës se nuk do ta njohim këtë ligj. Me siguri njësoj me PS në opozitë: “Nuk do të njohim privatizimin e 4 hidrocentraleve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 e Bistrica 2 dhe se me ardhjen në pushtet do t’ia kthejmë popullit (do t’i shtetëzojmë), prandaj na jepni votat. Nuk di ndonjë vend të botës që, qeveritë, përfaqësuesit e popullit të jenë kaq indiferentë e të papërgjegjshëm (ato që e dinë dhe e kuptojnë se çfarë i bënë shumicës me këtë reformë). Dua t’ju sjellë në kujtesë zotërinjve deputetë se para disa vitesh, kur presidenti francez Sarkozi kërkoi të rriste moshën e pensionit për makinistët mbi 55 vjeç desh u dogj Parisi. Edhe në Shqipëri për çështje shumë me më pak vlerë është protestuar. Para disa muajve kemi parë disa ambientalistë të protestojnë në mbrojtje të qenve të rrugës. Mirë kanë bërë, kemi parë edhe një (ndoshta më shumë) emision televiziv disa orë për këtë temë, madje edhe e kanë turpëruar kryetarin e bashkisë së B. Currit se kishte firmosur një tender për t’i vrarë qentë e rrugës. Çudi e madhe! Të ulet norma e kthimit të kontributeve për më shumë se 400 mijë veta në masën afër 50 për qind e të mos lëvizë askush?! Pse ky projektligj nuk duhej miratuar dhe pse Presidenti duhet të mos e dekretonte?. Ministri Veliaj në vend që të analizonte të kaluarën për të nxjerrë mësim për të ardhmen mendoj se do të lërë emër në qeverisjen e shtetit shqiptar. Jo, z. Veliaj, emër të mirë me këtë ligj nuk lini dot, për aq më tepër nëse ky popull nuk do të gjejë forcë, megjithëse me vonesë për t’a shfuqizuar këtë ligj ju do të mbani vulën e nismëtarit të shkatërrimit të sistemit të pensioneve (nocionit pension) në Shqipëri.
    Shkatërrimtari i pensioneve në Shqipëri
    1. Z. Ministër (ish)! Ju rrisni moshën e pensionit respektivisht për burrat nga 65 vjeç në 67 vjeç dhe për gratë nga 60 në 67 vjeç, de fakto ju ulni kohën e përfitimit të pensionit me 28 % (burrat), në një kohë që popullsia në moshë mbi 65 vjeç në Shqipëri akoma është midis 9 deri 12 % kur në vendet e BE-së është 16.5 %, si dhe jetëgjatësia mesatare tek ne është 73 vjeç burrat e 77 vjeç gratë.
    2. Ngritja e viteve të kontributit nga 35 në 40 vjet d.m.th rrisni kontributet për 15%. Ju rikujtoj këtu se papunësia reale në Shqipëri është afër 37 % dhe se në raport me ligjin ekzistues vetëm me këto dy elementë ju përkeqësoni përfitimet nga pensioni me 15 +33 = 48 % (burrat).
    3. Si element të tretë përkeqësues ju përdorni ndryshimin e formulës përllogaritëse të pensionit duke përdorur termin “pension social”, i cili është në masën 6600 lekë në moshën 70 vjeç për ata individë që nuk kanë punuar kurrë. Këtu ju spekuloni dukshëm për faktin se nuk ka njeri që pret nën urë deri në moshën 70 vjeç për ta ushqyer ju me pensionin social në vlerën 6600 lekë në muaj, që është më pak se ½ e minimumit jetik dhe se ky pension social s’ka pse përzihet me pensionin me skemë kontribuese. Ky pension social ndryshe asistencë i takon çdo shtetasi jo në moshën 70 vjeç, por në çdo kohë në mungesë të mjeteve të jetesës, jo në këtë vlerë, por në minimumin jetik sipas Kartës Universale mbi të drejtat e njeriut si dhe të kartës sociale europiane. Këtë të drejtë (privilegj) e kanë fituar të gjithë shqiptarët e moshuar, që me bashkim familjar janë bërë nënshtetas italianë, gjermanë, amerikanë apo jo?
    4. Ju nëpërmjet formulës favorizoni më pakë se 30 % të të punësuarve me paga të larta duke diskriminuar ata me paga më pak se 45 000 lekë.
    Për të kuptuar efektet e ligjit të ri të pensioneve po japim tabelën më poshtë:
    Sipas ligjit ekzistues Sipas Projekt ligjit te ri Diferenca e pensionit sot me nesër
    Nr. I viteve të punës Paga kundrejt se cilës mbahet kontribut Vlera e pensionit sipas l. 7703 të ndryshuar Raport përfitim/kontribut për jetëgjatësinë mesatare, ne % Nr. I viteve te punës Vlera e pensionit Raport përfitim/kontribut për jetëgjatësinë mesatare, ne % 
    Burra Gra Burra Gra 
    35 20,000 15,000 62 148 40 14600 44 74 -400
    35 25,000 18,750 62 148 40 16600 40 67 -2150
    35 30,000 22,500 62 148 40 18600 37 63 -3900
    35 35,000 25,000 62 148 40 20600 -4400
    35 40,000 25,000 62 148 40 22600 -2400
    35 50,000 25,000 62 148 40 26600 +1600
    Siç duket nga tabela kemi një ulje të ndjeshme të normës së kthimit të kontributeve nëpërmjet përfitimit të pensionit për burrat nga 62 % në 44 % dhe për gratë nga 148 % në 74 %. Në të njëjtën kohë pavarësisht nga artificat në mënyrën e llogaritjes kemi ulje të drejtpërdrejtë të vlerës të pensionit për pagat nën 40.000 lekë në muaj, gjithnjë duke iu referuar jetëgjatësisë mesatare. Në fakt jo të gjithë burrat dhe gratë jetojnë respektivisht 73 e 77 vjeç. 

    Pazar matrapazësh me pensionet 
    Në këtë kontekst ata që jetojnë nën nivelin mesatar përfitojnë më pak se 44 % (burrat) dhe më pak se 74% gratë, që do të thotë se më mirë ruani paratë “nën jastëk” se sa i derdhni ato në arkën (jo të shpuar), por pa fund të ISSH, sipas projekligjit të Velisë. Së fundi nëpërmjet heqjes së tavanit duke mos marrë në konsideratë jetëgjatësinë, ju jo se hiqni atë mini-solidaritet të pretenduar, por bëni një pazar matrapazësh. Pse? Ju me siguri nga kultura që keni e dini se jetëgjatësia është funksion i mirëqenies. Njerëzit që jetojnë në mirëqenie të vazhduar kapin ekstremin e sipërm të jetëgjatësisë, pra ata shijojnë pensionin më shumë se 13 vjet, ndërsa ata që janë me pagën lëmoshë të fasonit apo ushqehen e mjekohen keq e për pasojë jetojnë më pak se jetëgjatësia mesatare që është: gratë – 77 vjeç, burrat – 73 vjeç (BB, 12.12.2013) pra gëzojnë pensionin mesatarisht 3 – 4 vjet. Jo zoti ministër për 3 -4 vjet pension qytetaret shqiptarë do t’i ruajnë paratë e pleqërisë nën jastëk e nuk do t’ia japin shtetit që mendoni të konsolidoni ju në këtë mënyrë. Fondi Monetar Ndërkombëtar i përfaqësuar nga eksperti Nadam Ilahii, atë detyrë ka, të të kërkojë numrat (paratë), rregullimin e një mosbarazimi matematikor, por qytetarët shqiptarë kanë votuar PS, për t’a qeverisur e jo FMN-në.
    Pasojat e reformës së pensioneve
    Reforma juaj thelloi diskriminimin ndaj grupeve shoqërore me të ardhura të ulëta në favor të atyre me të ardhura të larta. Ju i nderuar (ish) z. Ministër u paraqitët sikur keni zbuluar Amerikën lidhur me uljen e moshës së pensionit për minatorët, por po ngatërroni punët me burim rreziku të shtuar nga agjentë mjedisorë me efekt akumulues që japin pasojë uljen e jetëgjatësisë me ato me rrisk të lartë rreziku për aksident. Minatorët hyjnë në ato profesione me rrisk të lartë për aksident, por jo me ulje të theksuar jetëgjatësie. Shpimi lagur në miniera është vendosur që në vitet shtatëdhjetë dhe se minatorët nuk kanë jetëgjatësinë 57 vjet sa thoni ju. I vetmi studim i bërë në Shqipëri është ai i vitit 1988 (tepër sekret), të cilin ia kam dërguar ministrisë që drejtoni ju, vite më pare. Sipas këtij studimi nëpërmjet kartelave të mbyllura të pensionit jetëgjatësia e minatorëve në studim rezulton 60 vjeç e një muaj, ndërsa e metalurgëve 59 vjeç e dy muaj. Ju bëj me dije se në përllogaritjen e jetëgjatësisë për efekt të kohës së përfitimit (gëzimit) të pensionit nuk përfshin vdekjet e menjëhershme aksidentale, por ato vdekje që vijnë si rezultat i amortizimit fizik të ish minatorëve nga sëmundja që ka lidhje me punën, profesionin (sëmundje profesionale), pra nëse flisni për profesione të vështira duhen përfshirë gjithë sektorët dhe jo në mënyrë selektive. Diskriminimi është i pa pranueshëm edhe për individin, jo më për grupe (profesione) të caktuara sipas kartës të të drejtave të njeriut. Sipas logjikës tuaj duhen pensionuar në moshë 55 vjeç drejtuesit e automjeteve rrugore sepse vdekjet në rrugë janë më të larta se në miniera. Mënyra si është hartuar ligji të jep të kuptosh se barrën e krizës ia përcjell shumicës në favor të pakicës dhe se pikërisht për këtë i kërkoj Presidenti i Republikës të mos e dekretojë këtë ligj. 
    Sigal