Brenda muajit shtator do të fillojë dëmshpërblimi për të pushkatuarit pa gjyq, të dorëzohen dokumentet!

    495
    Sigal

    INTERVISTA/Flet kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, për shpërndarjen e dëmshpërblimeve

    Brenda muajit shtator do të fillojë dhënia e parë e dëmshpërblimit për të pushkatuarit  pa gjyq. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Sipas tij, trashëgimtarët e të pushkatuarve pa gjyq që do të kenë emrat në listë duhet të interesohen për të plotësuar procedurat dhe më pas të marrin masën e dëmshpërblimit. Përsa i përket kategorisë së 85 -vjeçarëve zoti Miraka është shprehur se është përgatitur një projektligj dhe në sesionin e ri parlamentar do të kalojë në Parlament.

     -Zoti Miraka, në 15 gusht personat e afërt të të pushkatuarve pa gjyq duhet të dorëzonin dokumentet. Mund të na thoni më konkretisht diçka më shumë për procedurën?

    Informacioni ka qenë që në datën 15 gusht familjarët që kanë gjetur emrin në listën e të pushkatuarve pa gjyq duhet të dorëzonin dokumentacionet tek sektori i financës. Po e theksoj vetëm ata trashëgimtarë që kanë gjetur emrin në listë duhet të dorëzonin dokumentet si: aktin e trashëgimisë edhe dokumentet e tjera përkatëse. Pas dorëzimit të dokumentacionit të rregullt atëherë vazhdon që të bëhet hartimi i rregullt mbi bazën e shumës totale që i takon për të marrë.

     -Nga dorëzimi i dokumentacionit deri tek fillimi i dëmshpërblimit sa kohë duhet?

    Unë di të them që nga muaji mars që u aprovua kësti i dytë kanë marrë dëmshpërblim rreth 1500 persona. Lista e të pushkatuarve pa gjyq ka qenë diku tek 400 e ca emra. Besoj që, brenda muajit shtator personat që kanë dorëzuar dokumentacionin në rregull do të marrin lekët.

     -Ju keni përgatitur një projektligj që ka kaluar në komisionet e kuvendit dhe tani pritet të kalojë në Parlament. A keni marrë ndonjë informacion më të detajuar se kur do të kalojë?

    Neve na është thënë që do të kalojë në muajin shtator ky projektligj në parlament, nuk na është thënë një datë e saktë. Por shpresoj që të kalojë sa më shpejt.

     -Po në lidhje me fillimin e kësteve të tjera çfarë po bëhet, a keni marrë informacione?

    – Ju jeni në dijeni që shpërndarja e këstit të dytë ka filluar në muajin mars. Kjo filloi sipas një vendimi të qeverisë, dhe shpërndarja do të bëhet për personat që janë gjallë mbi moshën 65 vjeç. Ne i kemi bërë një kërkesë qeverisë që të hiqet kriteri i moshës për arsye se nga kontaktet e përditshme që kemi pasur një pjesë janë të kryefamiljarë, janë të papunë. Shpresojmë që të merret në konsideratë të kjo kërkesë e jona. Janë aprovuar fondet për deri në vitin 2015, për këstet në vazhdim. Dhe pritet që sipas afateve të përcaktuara të bëhet edhe shpërndarja për kategoritë që nuk kanë marrë në asnjë rast masën e dëmshpërblimit. Për këtë ne po presim që të zbatohen rregullat dhe afatet e përcaktuara.

     -Kategoria e 85- vjeçarëve është një tjetër kategori që ka probleme, pasi nuk kanë marrë asnjë këst. A keni bërë ndonjë kërkesë për këtë kategori?

    – Në këtë projektligj ne kemi parashtruar që kategoria e moshës 85 vjeç brenda vitit të merrte dëmshpërblimin. Njëkohësisht kërkuam që të njihet vërtetimi i komisionit tre palësh për internimet dhe pushkatimet pa gjyq, po ashtu kërkua që përfitues të ishin dhe fëmijët e birësuar. Shqyrtimi i dokumenteve që janë depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë janë shqyrtuar dhe projektligji ka kaluar në komisionin e ligjeve dhe në muajin shtator do të kalojë në seancat e parlamentit. Edhe ministri i Drejtësisë më premtoi që do të kalojë në muajin shtator në Parlament.

    Dëmshpërblimet duhet të ishin dhënë më parë

    Po na vijnë ankesa, kanë probleme ekonomike dhe probleme shëndetësore. Por duhet thënë që duke marrë parasysh kushtet në të cilat jemi dëmshpërblimet po vazhdojnë. Ne e kemi thënë që edhe sikur sot t’i marrin dëmshpërblimet është tepër vonë. Por duke pasur parasysh problemet e shumta përsëri mund të themi që po bëhet punë e mirë nga ana e qeverisë për dhënien e këtyre dëmshpërblimeve që kanë për të marrë ish të përndjekurit politikë.