Bie sistemi / Online i Rilindjes që “gllabëroi” 47 miliardë në një vit, ALEAT nuk punon për pasaportat, qytetari: Po humbasim punët

54
Sigal

Bie sistemi online i Rilindjes/ ALEAT nuk punon prej një javë! Qytetari: Po humbasim punët

Zyrat e “ALEAT”, kompanisë që lëshon kartat e identitetit dhe pasaportat, janë jashtë shërbimi prej një jave.

Prej një jave sistemi i ALEAT për prodhimin e pasaportave dhe kartave të ID nuk punon. Janë të shumtë qytetarë në të gjithë vendin, që kanë blerë kuponët dhe kanë datën 26 korrik si afatin e fundit të aplikimit, sepse më datë 31 kompanisë i përfundon kontrata. Por, sot është data 24 korrik dhe sistemi nuk punon. Me pak fjalë lekët, që kanë shpenzuar qytetarët për kuponin e kartë së ID 1500 lekë dhe të pasaportës 7500 lekë kanë ikur në arkën e ALEAT, por këto kuponë do të skadojnë, përderisa sistemi nuk punon. Por, pronarët e Aleat dhe qeveria shqiptare as nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë problem, sepse në fund të fundit po fitojnë para dhe sikur përmendëm pas disa ditësh ALEAT e mbyll kontratën me shtetin shqiptar dhe ikën pa u ndjerë. Ndërsa qytetarët do detyrohen të blejnë kuponë të tjerë, pasi më datë 1 gusht këtë shërbim do ta marrë në dorë shoqëria aksionere “IdentiTek” Krijimi i kësaj kompanie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 20 000 000 lekë.Ndërsa duhet të theksojmë se edhe ALEAT si koncesionar në këtë shërbim paguhej nga taksat tona. Kontrata u nënshkrua në vitin 2008, dhe në 2013 u dakordësua për një zgjatje të saj me 10 vite. Viti 2023 shënon përfundimin e marrëveshjes, shërbimi i së cilës do të kalohet nën zotërimin dhe administrimin e shtetit shqiptar.

ALEAT merr lekët për kuponë, por sistemi për pasaportat nuk punon, mori miliardat në 15 vjet

Ajo çfarë vlen për t`u përmendur është që “Aleat Shpk” renditet si kontrata koncesionare me fitimet më të larta në vendin tonë.Në të dhënat e QKB, “Aleat Sh.p.k” ka rezultuar me një fitim neto në total prej 12.8 miliardë lekësh ose 110 milionë euro. Përsa i takon xhiros vjetore përgjatë këtyre viteve, shifra fiksohet në vlerën e 47 miliardë lekëve ose 404 milionë euro, ndërkohë që 2.2 miliardë lekë ose 18.8 milionë euro janë paguar si tatim mbi fitimin.Viti 2021, shënon vitin me xhiron më të lartë vjetore, ku konkretisht kjo shifër shkon në 6.5 miliardë lekë, dhe ndiqet nga xhiro vjetore e 2010-tës, me 6.2 miliardë lekë, si dhe ajo e 2020-tës, me 6.14 miliardë lekë.Pra, nga Shqipëria do të largohet një koncesionar, i cili në pak më shumë se një dekadë ka fituar të paktën 110 milionë euro neto nga vetë shqiptarët, për të prodhuar pasaportat dhe kartat e identitetit. Ndërsa qeveria mburret me shërbimet online dhe më të shpejta, një qytetar na tregon se prej një jave rresht ai shkon çdo ditë të pres në radhë pranë zyrave të ALEAT dhe nuk ka marrë asnjë zgjidhje. Ai tregon se shumë qytetarë përveç se presin në pikun e vapës në radhë, po humbasin punët e tyre për shkak se pa pasaporta nuk udhëtojnë dot jashtë vendit.“Ju lutem postojeni! Sistemi në Zyrat e ALEAT për aplikim pasaportash dhe karta ID ka që të premten që nuk punon. Jemi për udhëtime emergjente dhe nuk aplikojmë dot për pasaportë. Ju lutem na ndihmoni duke e publikuar këtë shqetësim. Nga bashkia Kamëz humbim punën e këtu s’ka sistem që 1 javë për karta identiteti”,- shkruan qytetari. Situata e tillë është në të gjithë vendin, ndërsa AKSHI dhe qeveria nuk kanë marrë asnjë masë, duke iu shkaktuar dëme të mëdha emigrantëve, që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit.