Djegia e plehrave dhe pyjeve/ “Nxin” qytetet,ministri Peleshi i kalon fajin bashkive: Kanë emëruar drejtorë emergjencash që s’u dinë as emrin

40
Sigal

Është përfshirë nga flakët pika e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë. Flakët janë përhapur me shpejtësi, teksa tymi ka mbuluar zonën. Përhapja e flakëve po favorizohet edhe nga era. Në këtë zonë jetojnë 500 familje, të cilat janë përballur edhe herë të tjera me tymin që lëshon djegia e mbeturinave. Ndonëse në zonë ka landfill, ai nuk u shërben qytetarëve pasi nuk është ende në funksion dhe kështu banorëve u rrezikohet shëndeti.

Zjarri përfshin zonën e Shtyllasit në Fier

Gjithashtu flakët kanë rënë në zonën e Shtyllasit në Fier, teksa pas punës së zjarrfikësve ka mbetur aktive vetëm një vatër. Mësohet se flakët po përparojnë me shpejtësi, ndërsa pranë ndodhen edhe shtëpi, të cilat nëse zjarri vijon me të njëjtin intensitet rrezikojnë të digjen. Rreth 30 efektivë në terren dhe është kërkuar ndihma e zjarrfikësve të Patosit dhe Roskovecit.

Kryetarë Bashkish, që kanë emëruar drejtorë të emergjencave civile njerëz që s’ua dinë as emrin

Në kulmin e situatës së zjarreve ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë shmangu përgjegjësitë duke ua ngecur Kryetarëve të Bashkisë  për një pjesë më të madhe të përgjegjësisë. Ai tha:  “Ka bashki që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile. E quajnë punë të dorës së dytë. Kanë emëruar dhe njerëz që s’ua dinë as emrin. Sepse mendojnë se ka një big brother e kanë një telefon dhe kërkojnë helikopterin”,- tha ai. Ministri “befas” i pa vetëm në kulmin e zjarreve këto probleme. Në Shqipëri nga qershori e deri tani janë numëruar 125 vatra zjarri ndërkohë mbeten kritike vatrat e zjarrit në Peshtan të Fierit dhe në Vlorë që vijojnë prej ditësh.