Besnik Bedollari/ Shteti, palë në heshtje me keqbërësit e kasaphanës natyrore

    399
    Sigal

    Shqetësim/ Valamara,bukuria natyrore që po i humbet kohës

    Në pjesën juglindore të vendit tonë, si kufiri ndarës midis rrethit të Korçës dhe Gramshit ngrihet shtatlartë mali Valamarë. Një bukuri natyrore e veshur me gjurmët e historisë dhe stolisur nga shumëllojshmëria bimore dhe pyjore. Kjo kurorë shtrin këmbët e saj mbi fshatrat Mesmal,Velçan, Selcë dhe Strelcë nga ana e rrethit të Korçës. Duke vizituar nga afër gjirin e këtij mali do të ndjesh freskinë dhe ajrin plot oksigjen që mbush mushkëritë, duke bërë një filtrim absolut të tyre. Majat e larta të pishave, aheve dhe bredhave thuajse prekin retë. Ata qëndrojnë krehur si vet ujëvarat që zbresin dehur gjirit të bjeshkëve të tij shekullor. Larmia e ndërthurur me luadhet alpine, pishat, shkëmbinjtë dhe përrenjtë e vegjël të frymëzon dhe imponon turizmin malor. Struktura natyrore fillon me shkurret dhe dushkun, për t’u ngjitur më pas tek ahu, pisha rrobulli dhe bredhi,deri te kullotat alpine në një lartësi mbi 2000 metra. Në luadhet e gjerë do të hasësh lule të llojeve të ndryshme si: salepi, aguliçja, dëllinja e zezë, çaji i malit e shumë të tjera që janë një pasuri mjekësore dhe burim fitimi për komunitetin e fshatrave rreth tij. Shumë pranë majës së lartësive të tij gjenden liqenet akullnajorë ku shuajnë etjen kafshët e shumta, tashmë specie të rralla dhe në zhdukje. Aty do të gjesh ariun e murrmë, ujkun, çakallin ndonëse rrallë, lepurin, macen dhe derrin  e egër, dhelprën dhe mbretëreshën e bukurisë, sorkadhen. Tek hap arkivin e historisë, do të flasin në legjenda se dikur në udhëtimin mes këtij mali madhështor shkeli këmba e princeshës antike e bukurisë të të gjitha kohërave, Elenës së Trojës. Thonë se u mahnit me bukurinë e këtij mali, ku mori fund fryma e saj. Ndaj atij i mbeti emri Lenie. Aty gjenden ende gjurmët e  luftës së dytë botërore në luftimet midis grekëve dhe italianëve, duke i prishur qetësinë dikur këtij mali. Por sot…!?                                                                                                                                                                       Me vështrimin e perëndimit të diellit dhimbshëm sheh se si po perëndon kjo bukuri natyrore. Mbi shtatin e tij është derdhur barbarisht shkatërrimi nga papërgjegjshmëria e dorës njerëzore. Sheh dhimbshëm se si kjo pasuri shtetërore dhe natyrore të gjymtohet dhe masakrohet në ditën për diell. Fatkeqësisht, kjo perlë tani duket si mjerave, veshur me arna dhe katandisur si mos më keq. Kontrabanda është turrur plot babëzi këto vite të tranzicionit, sidomos vitet e fundit duke mbërritur në shkrepat më të larta të tij nga të ashtuquajturat biznese me licencë, akoma më keq pa licencë. Pyje që hyje brenda dhe dukej se dielli eklipsohej, sot janë gjunjëzuar përtokë, dëmtuar rëndë florën, faunën si dhe erozionin. Sorkadhja malin e braktisi përfundimisht, duke mos gjetur më “parajsën” e saj të qetësisë. Liqenet po teren nga HEC-et e rinj që janë ndërtuar në fshatrat rrëzë tij. Shteti është gjunjëzuar para “gangsterëve” të kontrabandës që nuk kanë reshtur së masakruari dhe vrarë bukurinë natë dhe ditë pyjet e këtij mali. Ky i fundit, ka bërë të verbrin dhe shurdhin, a ndoshta më keq, palë në heshtje me keqbërësit e kësaj kasaphane natyrore. Guri i Kamjes dhe fshati Strelcë janë doganat pa doganierë, ku kalojnë trupat dhe lënda nga dhjetëra Saurelë dhe Ifa L60. Macet e zeza që i kanë çjerrë sytë kësaj bukurie natyrore dhe parajsë qetësie. Vetëm bora e madhe dimërore ia ndal paksa plagët që i janë hapur ndër vite. Faktet tregojnë kur kalon nëpër shpatet e tij se babëzia ka qenë pa oreks dhe e pashpirt. Të duash natyrën është ndjenjë humane, aq dhe kujdesje për shëndetin. Por, kur këtë nuk e kuptojnë organet kompetentë dhe më keq keqbërësit, dikush duhet të zgjohet nga gjumi dhe të bërtasë fuqishëm: “Ndal shkatërrimit të pyjeve!” Dhe këtë fuqi kush më tepër se një shtet ligjor e ka në dorë? Le të shpresojmë se qeveria e re do të hedhë sytë nga pyjet, që mbeten bukuri natyrore dhe pasuri e pazëvendësueshme për shëndetin, faunën dhe florën. Ndoshta dora e tij e fortë do iu thotë stop të “fortëve”.  Dhe për këtë le të shpresojmë. Asnjëherë nuk është vonë, por pyjet dhe bukuria e malit Valamarë tashmë janë drejt agonisë.