Rrjeti kabllor merimangë i Albtelekomit, kryqëzuar me linjat elektrike, rrezik për jetën e qytetarëve

    423
    Sigal

    Qytetarët përdorues e shfrytëzues të linjave telefonike dhe ato të internetit janë të shqetësuar, sepse linjat telefonike/internetit ndjekin të njëjtat shtrirje nëpër shtyllat e energjisë elektrike. Teknikët që i shohin çdo ditë këto kryqëzime të rrezikshme të linjave të energjisë elektrike dhe telefonisë, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët, i paralajmërojnë nën zë qytetarët për rrezikun. Në pika kontakti nga këto kryqëzime të linjave ka patur jo vetëm goditje të disa personave nga rryma, por dhe raste vdekje. Etja e përfitimit duke mos vendosur rregulla e linja të veçanta telefonike, por duke përfituar dhe vendosur njëkohësisht linjat e telefonit nën tensionin e lartë, rrezikon çdo ditë jetën e qytetarëve. Ata shprehen të traumatizuar, pasi nuk e kuptojnë se çfarë interesash i bashkon ky kombinim i përbashkët i linjave që realisht po merr jetë njerëzish. Ndërsa qytetarët paguajnë taksa për shërbimin dhe sigurimin e linjave, ku shkojnë këto para? Organet shtetërore, inspektoriatet përkatëse dhe entet rregullatore duhet të forcojnë inspektimin, të krijojnë rregulla e rregullore në mbrojtje të qytetarit shqiptar.

    Kabllot

    Albtelekom nuk ka kryer asnjë investim për kabllot telefonike si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit telefonik apo shërbimit të pajisjes së qytetarëve me sinjal interneti. Në vend që të kalojnë nën tokë, telat e shërbimit telefonik fiks, janë lënë në ambient të hapur, të varur nëpër shtylla apo në forma të tjera. Kushtet teknike të përcjelljes së sinjalit telefonik, nuk përputhen aspak me tarifat e vendosura nga kompania për qytetarët.  Por, gjendja e infrastrukturës teknike, nëpërmjet të cilës përçohen dy shërbimet që ofron Albtelekom bie në kundërshtim me Ligjin Nr. 9918, dt. 19.5.2008 për Komunikimet elektronike. I cili përcakton, se ofruesi i shërbimit të komunikimeve publike, duhet të sigurojë infrastrukturën eficente në komunikimet elektronike për të garantuar shërbimet e duhura dhe të përshtatshme në një territor të caktuar. Ndërkaq, nga ana tjetër, rrjeti i komunikimeve elektronike, jo vetëm që është lënë në mëshirë të fatit, por deri më tani  nuk është marrë asnjë masë ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit ekzistues. Sipas qytetarëve, sistemi i transmetimit të rrjetit të telekomunikacionit është teje i amortizuar, dhe kjo shpesh herë është bërë shkak në uljen e cilësisë së shërbimit.

    SHKSH/Tarifa e shërbimit me TVSH, 630 lekë

    Pas publikimit të shkrimit të djeshëm për Albtelekom kanë qenë të shumta reagimet e qytetarëve pranë Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Sipas dr. Islam Canit, konsumatorët i mëshojnë problemit që i krijon tarifa e shërbimit, pasi sipas tyre kjo tarifë nuk është 530 lekë, sepse me TVSH ajo shkon në 630 lekë. “Po të bësh një llogari të thjeshtë, për një vit çdo familje duhet të paguajë një pagë mujore mesatare, që shkon në favor të Albtelekom. Ndërsa po të flasim për bujqit dhe shtresat e varfra kjo tarifë, do të përbënte pagat e 2 muajve e më shumë në vit”, shprehet dr.Cani.