Ambasadori i OSBE dëenon shitblerjen e votës. Kompromisi PS – PD për sistemin aktual zgjedhor

548
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kompromisi i PS dhe PD në reformën zgjedhore në dëm të partive të tjera

Ambasadori i OSBE pranon, që nuk do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, ua lë në dorë të partive dënimin e shitblerjes së votës

Në raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 2017-s shkruhej se vota u shit-ble, se u ushtrua presion dhe kërcënime mbi votuesit, se partitë politike dhe subjektet zgjedhore shpenzuan shuma të mëdha financiare. Gjithashtu, edhe presidenti i OSBE-së në vizitën e vet në Tiranë, para disa muajsh, theksoi si domosdoshmëri kryerjen e reformës zgjedhore. Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore po mbaron mandatin e vet në fund-korrrik 2018. Megjithëkëtë, deri tani pak gjëra janë bërë publike, PS dhe PD nuk bëjnë transparente çfarë rezultati kanë arritur për reformën zgjedhore, jo vetëm për publikun, por as anëtarët e këtij komisioni parlamentar, nuk dinë asgjë për produktin që do të arrihet në reformën zgjedhore.

Deklarata e Ambasadorit

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchard pranon publikisht se PS dhe PS kanë arritur në “mirëkuptim” dhe në kompromis politik, për reformën e re zgjedhore.

Bernd Borchardt: Qasja në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore ka qenë shumë konstruktive. U gjet mirëkuptimi për zhvillimin e një plani pune, në bazë të të cilit po punohet. Ky plan pune ka të bëjë kryesisht me trajtimin e tetë temave të ndryshme, në kontekstin e reformës zgjedhore. Tema si shitblerja e votës, votimi nga jashtë vendit, votimi elektronik dhe çështje të tjera, si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kuptohet.

Ambasadori e pranon: Nuk ka ndryshim të sistemit zgjedhor

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchard pranon publikisht se produkti i kompromisit të PS-PD është që në reformën e re zgjedhore të mos bëhen ndryshime të sistemit zgjedhor. Bernd Borchardt: Përveç votimit jashtë vendit, nuk është diskutuar ndonjë ide deri tani për ndryshime thelbësore në sistemin zgjedhor. Në fakt, njëri prej elementëve do të ishte në dobi të partive të vogla. Duket se ka vend për kompromis.

Reagimi i partive të tjera

Partitë e tjera politike parlamentare dhe jo parlamentare kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për sistemin aktual zgjedhor, i cili votën e elektoratit nuk e barasvlerëson. Të mos harrojmë se partitë jo parlamentare fitojmë mbi 130.000 vota, ndërkohë që nuk marrin asnjë mandat për deputet, për shkak të penalizmit që u bën mekanizmi i kodit zgjedhor. Kjo në shifra do të thotë, që deri në 14 deputetë të PS dhe PS fitojnë me votat e partive të tjera. Partitë e tjera kërkojnë një sistem elektoral proporcional. Deputeti Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së dhe Agron Duka, kryetar i PAA-së deklarojnë për gazetën “Telegraf”, se, nëse PD-ja nuk do të kërkojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, siç u ka premtuar, atëherë ata do të rishikojnë edhe aleancat elektorale me PD-në.

Dashamir Shehi: Kryetari i PD-së na ka premtuar se do të kërkojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nëse nuk bëhet kjo reformë zgjedhore, PD-ja e ka të humbur betejën politike, sepse ajo është e humbura, në krahasim me PS-në.

Agron Duka: Kemi rënë dakord, që PD-ja të këmbëngulë që në reformën e re zgjedhore të bëhet ndryshimi i sistemit elektoral. Nëse PD-ja bën kompromis me PS-në për të mos ndryshuar sistemin elektoral, atëherë ne do të rishikojmë edhe aleancën zgjedhore me PD-në.