Adoleshentja u vetëhelmua pas shantazhit për videot intime, lirohet nga burgu 17 vjeçari

569
Sigal

Gjykata e Beratit ka liruar nga burgu 17- vjeçarin Davide Kovaçi, i akuzuar se u bë shkak për vetëhelmimin me pesticide të një 16- vjeçareje. Ngjarja ka ndodhur tetë muaj më parë, ndërsa u vetëhelmua 16- vjeçarja Adela Çaçi.

Sipas Gjykatës së Beratit, lirimi i të riut dhe pushimi i çështjes në ngarkim të tij u bë pasi nuk ka pasur prova në celularin e 17-vjeçarit që e përfshijnë në ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth një vit më parë.

Atë kohë, në telefonin e vajzës kishte mesazhe dhe thirrje të vazhdueshme nga 16-vjeçari, i cili e kërcënonte se do t’i publikonte një video komprometuese që ai dispononte.

Prindërit e vajzës kishin disi dijeni në lidhje me këto kërcënime, pasi një ditë para se të pinte lëndë helmuese, vajza u kishte treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit. Ndërkohë, në Polici ata nuk kishin bërë asnjë denoncim.

E regjistruar për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, çështja penale për “Shkaktimin e vetëvrasjes” në ngarkim të 17- vjeçarit Davide Kovaçi është pushuar.

Kjo çështje mbërriti për kompetencë në Gjykatën e Beratit nga Gjykata e Vlorës për moskompetencë. Davide Kovaçi akuzohej se pas kërcënimeve që i kishte bërë 16-vjeçares Adela Çaçi se do t’i publikonte foto intime, kishte shkaktuar vetëvrasjen e saj.

AKUZA 

Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë caktoi fillimisht masën e sigurisë “Arrest në burg” për 17-vjeçarin David Kovaçi, i cili u akuzua se kërcënoi me mesazhe të miturën Adela Çaçi. Të dy të rinjtë prej disa muajsh kishin një lidhje dashurie, ndërsa ndërprerja e saj ka bërë që ish-i dashuri t’i kërkonte para për të mos i publikuar videot intime që kishte në telefon.

Mirëpo, 17-vjeçari ka mohuar akuzën e shantazhimit me video. Pas arrestimit nga Policia e Beratit, çështja i kaloi Prokurorisë së Vlorës.

16- vjeçarja Adela Çaçi i dha fund jetës duke pirë pesticide, pas shantazheve, sipas Policisë, për publikimin e një videoje nga ish-i dashuri i saj. Ky i fundit dyshohet se i ka kërkuar disa herë një shumë prej rreth një mijë lekësh të rinj, në të kundërt do të publikonte videon. 16-vjeçarja, në kushte të rënda psikologjike, piu pesticide.

Ajo u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Beratit dhe më pas u nis drejt kryeqytetit për ndihmë më të specializuar, por disa orë më vonë ndërroi jetë. Banonte në fshatin Duhanas, ndërsa shkollën e mesme e kryente në qytetin e Beratit, në të njëjtën shkollë ku studion dhe 17-vjeçari i arrestuar.

Të dy adoleshentët ishin nxënës në Shkollën e Mesme Profesionale të Ekonomisë dhe Turizmit “Kristo Isak”, në qytetin e Beratit. 16-vjeçarja kishte shfaqur një sjellje të pazakontë para se të kryente aktin ekstrem.

Madje, një ditë para se të kryente vetëhelmimin, ajo kishte vënë në dijeni dhe prindërit për situatën që po kalonte. Adela ishte një nga nxënëset më të mira të shkollës.

Drejtori i shkollës, Ferik Koçi, ka deklaruar se 16- vjeçarja nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme apo shqetësime te mësuesit dhe psikologet e shkollës.