500 deri 700 euro nata, arrestimi për prostitucion i ‘Zogut të Tiranës’. Detajet e plota të policisë

416

Një hetim i nisur disa javë më parë ka çuar në polici edhe Hermes Nikaj, i njohur nga të gjithë me emrin ‘Zogu i Tiranës’.

Nikaj është shoqëruar gjatë mbrëmjes së djeshme nga policia gjate operacionit te koduar ‘Your Tourn’ (Radha Jote).

Gjithashtu bashkë me të janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë.

Nikaj dyshohet se në një qendër estetike në rrugën e Durrësit ka shfrytëzuar dy vajza kundrejt pagesës nga klientë të ndryshëm.

Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar në polici edhe dy vajzat të cilat akuzohen për prostitucion.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet operacioni “YOUR TURN”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit për prostitucion.

Operacioni  nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bashkëpunim dhe me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë.

Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe procedohen në gjendje të lirë dy shtetase.

Sekuestrohen shuma parash, automjete dhe aparate celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Seksionin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një hetimi gati 1-vjeçar me metoda proaktive ka finalizuar me sukses operacionin “YOUR TURN”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, në ambientet e një hoteli në autostradën “Tiranë-Durrës“ janë arrestuar në flagrancë gjatë operacionit “Your Turn”, shtetasit:

– H. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”.

– A. Gj., 47 vjeç, banues në Mamurras-Kurbin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Në kuadër të këtij operacioni më datë 09.11.2019, janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit:

– A. B., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

– A. N., 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Kanada, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Në kuadër të këtij operacioni ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetase, 20 e 32 vjeçare banuese në Tiranë, të  dyshuara për kryerjen e veprës penale të “Prostitucionit”.

Nga hetimet e deritanishme të kryera nga rezulton se shtetasi H. N., siguronte femra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 10.000 deri 20.000 lekë për 2 orë.

Ndërsa shtetasja A. B., nëpërmjet qendrës së saj estetike fillimisht punësonte femra si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion  duke i dërguar ato në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka patur edhe shumë raste të tjera që shtetasit e lartpërmendur kanë dërguar femra në hotele dhe banesa të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe qytete të tjera, ku po punohet për dokumentimin e tyre.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 fuoristrada të markës BMË, 10 aparate celular të markës I-Phone, Black Berry, Samsung dhe LG, dhe një sasi lekësh, euro dhe dollarë.

Materialet e para procedurale ju përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prostitucion’’ dhe ‘’Shfrytëzimi i prostitucionit’’.