Si nuk bëj shok një politikan!?

751
Sigal

Nebi DRAGOTI

Satirë- humor

Më shkon ndërmend, po nuk kam marrë guximin t’ua shpreh kërkesën për shoqëri? Si? Si? Për këtë, fundja, nuk kam as turp e nuk më vjen rënd se politikanët i kanë xhepat plot, xhepat e rënduar sa s’u grisen, sa nuk u lehtësohen duke ngrënë e duke pirë, e duke bërë qejf plazheve edhe nudo, e duke bredhur botës, siç i thonë fjalës, qejf, o qejf, o qerrata! Jetë, o jetë, demek, si në përrallë e kaluar përrallës! Më besoni: këtu asgjë nuk shtoj e zbukuroj! Tregohem realist e kaluar realistit. Politikanët kanë rroga të majme, pa le edhe burime të shumta kanë dhe e kalon shprehjen: “ Në mos rrjedhtë, pikon”. Si nuk po e bëj kërkesën që dhe unë të kem, të më ndihmojnë, sepse kam edhe shtatë a tetë vepra për t’i botuar, që më kanë ngelur, se s’kam me se t’i botoj. Më shkon ndonjëherë mendja t’i bëj kërkesë Ministrisë së Kulturës. Edhe ëndërr më del kjo dëshirë. Këtu kam besim se edhe lexuesi, që po ma mëson hallin, do të ndërhyjë si ndërmjetës lidhjeje shoqërie me ndonjë politikan, se, fundja, edhe lexuesit do t’i vijë keq për hallin që kam. E, këtë hall mos e pastë kush! Si nuk po bëj shok një politikan?! Ishalla, ishalla, me të marrë vesh këtë njoftim do të vërshojnë kërkesat e politikanëve për të më bërë shoqëri. Pa le, pa le, apo nuk i kemi me shumicë politikanët hajdutë (më falni për fjalën, se nuk desha t’i akuzoj e t’i prek në sedër), se këta edhe drejtësinë e kanë futur në thes. Kanë nga dy e tre vila, makina luksoze, paguajnë shërbëtore nëpër shtëpitë e tyre. Kanë toka e ç’nuk kanë. Prapanicën e kanë rehatuar mbi pupla. Kanë ora e varëse floriri e gjëra të shtrenjta e ndërsa unë asgjë, asgjë nuk kam, veç një pensioni që as për bukë thatë nuk më del. Halle, halle, halle! Dhe unë, këtu, më kuptoni, nuk e kam vetëm për hallin tim, por edhe për hallet e të tjerëve. Ah, si nuk bëj shok një politikan?! Ah, ah, ah!…