Ismail Xhaferri: Hajdutët

721
Sigal

Hajduti s’është anëtar partie,
Qoftë demokratë apo i ballit,
Hajdutët janë njerëz të thjeshtë.
Ata që rrojnë me djersë të ballit.

Hajdutët kurrë nuk kanë tesër,
Nuk janë rilindas a legalistë,
Hajdutët janë gjithnjë në popull,
Ata që blejnë bukën me listë.

Hajdutë janë ca gra mjerane,
Që shesin qumësht që pa gdhirë,
Prandaj për këto gra me halle,
Kurrë tatimorët s’kanë mëshirë.

Hajdut je ti o varfanjak,
Që vjedh korent nga shteti yt,
Hajdut je ti që shet
banane,
Dhe fsheh fitimet ditë për ditë.

Hajdut je ti që shet ca fiq,
Dhe ti që shkon çoban me lopë,
Për shkakun tuaj or legen,
Ne nuk na qasin në Europë

Hajdutët janë edhe ca romë,
Që rrinë mes lumit nëpër drurë,
Që thurrin shporta natë e ditë,
Edhe në shtet s’paguajnë kurrë.

Hajdutë nuk janë ca ish -ministra,
Dhe as ministra natyrisht
Hajdut je ti o mascara,
Që për zyrtarët gjithmonë shpif.

Hajdutë nuk janë politikanët,
Më duket se ia futim kot,
Edhe pse vilat ku banojnë,
As zoti nuk i ndërton dot.

Hajdutë nuk janë edhe gjyqtarët,
Tani po dalin gjithë hilerat
Gjithë pasurinë me lekë e prona,
E kanë dhuratë vetëm nga vjerrat.

Nuk janë hajdutë gjyqtarët tanë,
Që drejtësinë e përdhunuan,
Të gjitha krimet që kanë bërë,
Me një dorëhqje i mbuluan.

Hajdutët janë këtu mes nesh
Nga Gjirokastra gjer në Pukë,
Prandaj qelitë janë mbushur plot
Me fukarenj që nuk kanë bukë.

Nuk janë hajdutë as milarderët,
Që korrupsionin normë e kthyen,
Hajdute je ti që ke marrë borxh,
Se borxhin me vonesë e shlyen.

Hajdutët s’janë kurrë në pushtet,
Hajdutët janë këtu mes nesh,
Hajdute je ti që mban dhjetra pula,
Dhe s’regjistrohesh si biznes.

Hajdutë nuk janë as trafikantët,
Që bëjnë trafik ditën e natën,
Nuk janë hajdutë ata me maska,
Nuk janë ata që vjedhin bankën.

Hajdutë nuk janë politikanët,
Unë e kam thënë dhe tjetër herë,
Mos shpifni për politikanë,
Se janë të ndershëm e të dhjerë.