Irini Qirjako: Magjia e polifonisë më relakson

666
Sigal

Irini Qirjako: Jam minoritare, por këngën labe e kam në shpirt

Në muajin dhjetor “Mjeshtres së Madhe” Irini Qirjako  ju dha titulli special “Mirënjohje e Labërisë” së bashku me ish- Presidentin Alfred Moisiu, “Nderin e Kombit” , Reshat Arbana, aktorin e madh Mirush Kabashi, etj… Ajo dhe pse s’ka lidhje me Labërinë pasi është nga minoriteti grek i Sarandës (Finiqi) është identifikuar si këngëtare tipike e këngës së polifonisë labe. Në çdo aktivitet, ajo këndon plot vullnet dhe dëshirë për të ecur vetëm përpara. Thuajse i ka shëtitur të gjitha shtete Evropiane ku zëri i saj i veçantë por sidomos kënga e bukur labe e ka bërë të marrë miliona duartrokitje që nga Izmiri dhe deri në Paris. Kudo kujtime, emocione që ajo mundohet t’i shprehë natyrshëm, por që t’i hedhësh të gjitha në letër do të duhen shumë kohë. Megjithatë, Irini thotë se kam ende shumë për të bërë. Aktualisht ajo ka përgatitur dy albume me këngë polifonike si dhe  këndoi pas 25 vjetësh në koncertin recital të kompozitorit të talentuar Enver Shëngjergji, këngën e saj të dashur “Çfarë po bën moj Marigo”. Nga jeta e saj artistike jashtë atdheut ajo ndan dy momente kyçe, herën e parë kur doli jashtë atdheut në Turqi dhe Festivalin e Dizhonit në Francë ku Ansambli i Këngëve dhe Valleve shkëlqeu në mënyrë të befasishme.

 Vlerësimi i shoqatës “Labëria”

Në vlerësimin e Shoqatës “Labëria”, ndihem si labe (qesh). Si mos më mirë. Ndihem si të jem labe dhe pse jam minoritare. Ndihem si labe pasi këngët labe më kanë dhënë famë në të gjitha skenat e botës. Ndihem si labe pasi popujt e duan njëri-tjetrin, pasi popujt i shkëmbejnë kulturat mes njëri-tjetrit. Kjo dhuratë që më bëri shoqata “Labëria” në prag të Vitit të Ri mbetet për mua një shtysë për ta çuar më tej këtë këngë të veçantë të mbrojtur nga UNESCO. Me këngën labe kudo në botë janë çuar në këmbë dhe më kanë duartrokitur si askund. Është kënga që më është futur në shpirt, më relakson, më jep ndjesi të veçantë. Vlerësimi i shoqatës “Labëria” më ka befasuar, por dhe stimuluar.

 Festivali i Këngës Popullore Qytetare

Për ‘të mbetet një risi. Risi për shumë arsye, por kryesorja pasi startoi për herë të dytë. Ajo ishte një ndër 10 pjesëmarrëset e këtij viti, ku dalloi me zërin e saj, me harmoninë me orkestrën.  Ndoshta me këtë festival ajo po e plotëson me një dafinë, kurorën e fitoreve në gjithë historinë e saj skenike. Një dafinë më shumë, në kulmin e pjekurisë. Ky festival sipas saj, i mungonte Shqipërisë, por kompozitorët, orkestrantët, regjisorët, dirigjentët shqiptarë dinë të bëjnë gjetje, dinë të sjellin risi.

 Një këngë e veçantë në një recital të veçantë

  Në recitalin e kompozitorit të dëgjuar Enver Shëngjergji “Një tufë lulesh kam për ju”, (para dy vjetësh) ajo këndoi këngën “Ç’po qëndis moj Marigo”. Ajo ishte ndër të parat që e  përgëzoi kompozitorin Enver Shëngjergji për këtë nismë. Ai kishte kohë që i kishte munguar skenës dhe duhet ta thoshte sërishmi fjalën e tij, punën e tij. Me këtë rast Irini këndoi një nga këngët më të bukura, më të pëlqyera të repertorit të saj. Kjo këngë flinte brenda saj, ishte një dëshirë shumë e fuqishme ta këndonte sërishmi. Pra, po rifreskonte këngën “Ç’po qëndis moj Marigo”. Këtë këngë e ka kënduar para 27 vitesh në ansambël dhe që atëherë ajo u bë një këngë hit, kryevepër, ku ka qenë Drejtor Limoz Dizdari. Gjithmonë e ka pasur ëndërr se kur do ta rivendoste përsëri në skenë. Këtë këngë e ka kënduar për herë të parë në kohën e monizmit në vitin 1985. Kjo këngë pati një sukses të jashtëzakonshëm në publik sepse ishte këngë e bukur. Kjo këngë ka një ndjeshmëri të arrirë.

Kur e pyet pse nuk është kënduar kaq kohë ajo ngre supet. “S’e di pse nuk është kënduar asnjëherë!”, thotë ajo. Për arsye të neglizhencave të drejtuesve artistik, apo…?!. Erdhi momenti që atë që donte ajo e u realizoi.

E mrekulluar. Kjo këngë ka një harmoni perfekte. Teksti dhe muzika ecin si valë. Si puhizë. Kanë një ëmbëlsi që të befason. Bëhet fjalë për qëndistaren e flamurit. Kjo këngë i kushtohet Pavarësisë së Shqipërisë, kur u ngrit flamuri. Marigoja është qëndistarja e saj. Ndaj e ka kënduar me shumë dashuri këtë këngë. Ishte e lumturuar, kur ja besuan ta këndonte. Ajo të jep forcë. E ka në imagjinatën e saj Marigonë. Atë femër vitale, të fortë, që me ditë e net të tëra qëndisi flamurin e Pavarësisë. Ajo përjetësoi Pavarësinë, por më shumë se aq, Pavarësia e bëri të pavdekshme atë. Lexo tekstin, dëgjo muzikën dhe shkon në qiellin e shtatë. E këndon shpesh me vete këtë këngë, në shtëpi, në rrugë, kur është në lëvizje…

Ç’po qëndis moj Marigo

Nën qerpik të syrit, o

Në dorën e zemrës, o

Lule fushe e lule mali

Lule që një prill i fali

Shoqe moj, motra moj

Ajo e dashuron shumë këtë këngë.

 Shoqëria shqiptare dhe femra

Eh, shoqëria shqiptare… Një shoqëri, ku femra ende nuk e ka zënë vendin e duhur në jetë, sepse maskilizmi është shumë i fuqishëm dhe dominon. Duhet akoma shumë. Femra duhet të jetë vetë e fuqishme. Ajo si person nuk e ndjen vetinë e maskilizmit sepse e përballon çdo gjë vetë sepse edhe skena e lartëson aq shumë saqë ndjehet në vendin e duhur. Ka shumë femra që janë shumë të talentuara që janë shumë të zonja por që nuk kanë mundësi. Fajin kryesor, Irini ia vë vetë femrës. Ajo duhet të luftojë. Në qoftë se ne nuk luftojmë vetë në maksimum, askush nuk kujtohet. Është si puna e fëmijës me nënën, që i jep gji kur ai qan… Politika tek ne është ende e paformuar, diletante, thekson ajo. Kjo ndihet më shumë tek femrat.

 Rruga e gjatë e këngës

Talenti është i lindur. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme në Liceun Artistik dhe më pas vazhdoi shkollën e lartë në Akademinë e Arteve. Është një muzikante shumë e formuar, por veç kësaj është edhe pasioni i saj i brendshëm që e larton në këtë  rrugë të bukur. Kjo e lumturon, pasi me këngë ajo ka shëtitur gjithë botën. Vetëm në Francë ka shkuar 25 herë. Aty janë mahnitur me këngët polifonike. Po për herë të parë, kur ka shkuar jashtë? Në vitin 1979. Shkuan në Turqi. Ishte Festivali i Izmirit. Shkuan me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Ishte një ditë që s’e harron. Kur pa dritat natën i dukej se ishte në një ëndërr. Pastaj tregjet plot. Bënte krahasimet. Eh!. Kur dolën në skenë turqit filluan të thërrisnin “Arnaut”. Këngët tona, vallet tona, kostumet tona ishin befasi për ata.

Në gjithë koncertet jashtë atdheut ajo veçon..?! Atë të vitit 1981 në Francë dhe pikërisht në Dizhon. Ishte një festival i jashtëzakonshëm. Edhe sot e kujton me mall. Ishte hera e parë që shkonte në Francë. Franca ishte magjike. Jashtë çdo parashikimi. Zot, s’i besohej…! Kur dhanë shfaqjen në Dizhon s’kishte spektator që s’qe ngritur në këmbë. Duartrokitje frenetike. Këngët polifonike ishin për ta si ëmbëlsira në fund të dasmës. Gazetat shkruanin me superlativa. Të nesërmen ju bënë një ftesë speciale në Shans-Elize. Salla ishte mbushur plot. S’kishte vend as në këmbë. Sa donin të fillonim shfaqjen, kur vjen policia dhe thotë largohuni se kanë vendosur bombë në sallë. Ishin momente shumë të tensionuara. Por Ansambli vendosi. Do ta japim shfaqjen me çdo çmim. Askush s’e besonte. Por ata u ngjitën në skenë. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit e përmbysën sallën nga duartrokitjet.

Edhe një moment tjetër po në Francë. Pikërisht në vitin 1997. Ishte korrik. Ishte periudha e trazirave. I pritën me shumë rezerva. Mund të thuhet se i shihnin me përçmim. Kishim fituar një nam të keq. Por kur filloi shfaqja çdo gjë ndryshoi. Nga kënga në këngë, nga vallja në valle, spektatorët po ndryshonte. Në fund u ngritën të gjithë në këmbë dhe thërrisnin “ Albania”, “ Albania ”. Atë ditë ishte dhe me temperaturë.

 Pengjet

 Artisti, sipas saj, ka shumë pengje, pasi jeta skenike është e gjatë dhe e mbushur me të papritura. Skenat e botës e kanë bërë më të fortë dhe për çdo ditë i realizojnë pengjet. Në përgjithësi pengjet e këngëtarit janë arkivi i këngëve, albumeve, klipeve. Duhet thënë se është ndër të paktat këngëtare që të gjitha i ka realizuar në mënyrë perfekte dhe pa shumë zhurmë, por me shumë sukses. Pra pengu i saj i vetëm është që vazhdimisht të sjellë para publikut këngë të reja. Këngë  siç di ajo ti këndojë. Këngë që të mbërthejnë dhe të sugjestionojnë. Të sjell këngë që ajo vetëm di t’i këndojë dhe që në llojin e saj nuk ka konkurrentë. Ajo ecën në autostradën e bukur të këngës si zanë, duke dhuruar tinguj magjik dhe duke marrë me vete mijëra e mijëra duartrokitje frenetike. Kjo është Irini Qirjako, femra dinjitoze dhe me zë magjik.