Hedie Xhyheri: Na quanin të deklasuar dhe pse rridhnim nga familje e fisme

729
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetarja e Shoqatës, Hedie Xhyheri: Në mars 1992 ikëm me rimorkiator nga Vlora, shpëtuam për mrekulli

Është me origjinë nga Vlora, qyteti historik, ku familja e saj është nga familjet më të vjetra autoktone. Njihen si fis i qetë,  punëtor dhe janë marrë historikisht me tregti. Tregtia e gjyshit ka qenë kryesisht me Greqinë dhe me Barin. Lidhjet e familjes me Italinë kanë qenë të vazhdueshme. Fisi ka qenë i arsimuar dhe  ka pasur shumë prona në qendër të Vlorës, ku pas çlirimit i shpallën kulak dhe kanë vuajtur dënimin absurd të kohës pa të drejtë triske. Kanë qenë tërë kohën të përndjekur politik dhe pse shumë pjesëtarë të fisit kishin marrë pjesë në luftën antifashiste, por të tjerë janë pushkatuar padrejtësisht vetëm  se ishin të pasur. Ai regjim u pushkatoi 4 pjesëtarë të fisit. Babai iu burgos në moshën 18 vjeç, pa asnjë akuzë konkrete. Në atë sistem prindërit thuajse nuk kishin asnjë të drejtë pasi ishin shpallur kulakë.

 Ndonjë vlerësim  që u është bërë pjesëtarëve të familjes tuaj?

Gjyshi im, Qamil Xhyheri, i cili ka pas lidhje jashtë shtetit, ka qenë ndër tregtarët që ka përkrahur më shumë çifutët në Vlorë. Emri i tij sot ndodhet në Obeslikun që është ngritur në Izrael, për këtë ndihmë humanitare në kohët më të errëta të çifutëve në Shqipëri. Bashkë me emrin e tij ndodhet dhe emri i gjyshes. Ky është një vlerësim jo i pakët.

 A jeni arsimuar në atë sistem?

Dëshira jonë ishte e madhe. Prindërit na përgjëroheshin dhe na shtynin që të mësonim. Na krijonin sa më shumë terren, sa më shumë vëmendje, por nuk na trajtonin për të studiuar. Ne ishim katër fëmijë, të cilët përpiqeshim të mësonim me çdo kusht. Unë në shkollë të mesme dola shumë mirë dhe kërkoja me çdo kusht të më dilte e drejta e studimit. Por më kot. Trokita në derën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, por ai kur mori vesh kush isha më rrahu shpatullat duke më thënë, do bëhesh një punëtore shembullore. Sa dola nga dera qava nga inati. Ëndrra m’u pre në mes.

Si ju gjeti demokracia?

Me një ekonomi të shkatërruar, me një gjendje psikologjike të rënduar. Gjithmonë, babai na thoshte edhe kur ju shajnë bëni sikur nuk dëgjoni, shikoni punën tuaj. Ne demokracia na gjeti me një dhomë me një korridor, ku në fund ishte një banjë sikur ishte kasolle relike. Kjo ishte dhe shkaku që kur u hapën rrugët, shumica e njerëzve të persekutuar morën rrugët e mërgimit për t’i shpëtuar varfërisë.

Dhe ju morët rrugën e mërgimit? Me se ikët në Itali?

Ishte 7 mars i vitit 1992 kur ne morëm rrugën e mërgimit. Ikëm nga Vlora me një rimorkiator. Ai ishte thuajse i shkatërruar. Ishte gati të mbytej. Ishte planifikuar të dilnim në Brindizi, por dolëm në Otranto. Një peripeci e jashtëzakonshme. Ishim të 6 pjesëtarët e familjes. Kur ishim disa km larg nga Otranto, rimorkiatori ishte gati duke u mbytur. Aty erdhi nj peshkarexhë që na ndihmoi. U ngjitëm tek ajo se ndryshe do përfundonim në fund të detit. Kur zbritëm në tokë s’e besonim. Kishim shpëtuar nga vdekja. Në fillim na mbajtën aty dhe na thanë se do na kthenin. U drodhëm të gjithë. Kthimi do ishte vdekja jonë. Por s’e di si ju kthye mendja, ndoshta ndonjë urdhër nga lart. Na strehuan në çadra dhe na dhanë ushqime, veshmbathje dhe ujë. Filluan të na trajtonin mirë. Sikur e morëm veten. Ndenjëm dy ditë pastaj na transferuan në një qytezë aty afër, ku filluam nga puna dhe mësimet. Motrat filluan mësimet, prindërit u siguruan në punë ndërsa unë pas disa muajsh fillova shkollën në Tiranë.

Kur dhe ku e vazhduat shkollën e lartë?

Duke qenë ngushtë ekonomikisht, unë bëra kërkesë nëpërmjet  Shoqatës së Përndjekurve politikë, ku më doli bursa, e drejta e studimit pa pagesë, në Universitetin e Tiranës, për gjuhën italiane. Ishte dita më e bukur e jetës sime. Ëndrra ime u realizua. Një ëndërr që s’më shqitej asnjë çast. Sot të gjithë si familje jemi të sistemuar me shtëpitë tona. Unë kur mbarova studimet shkova sërishmi pranë familjes, ku aty ndenjëm dhe ca kohë. Në gjithë kohën qëndrimi ynë në jug ishte 7 vjet e gjysmë, pastaj u drejtuam për në veri ku jemi dhe sot.

 Je shmangur ballafaqimit për t’u paraqitur si shqiptare?

Kurrë, kurrë. Unë s’e ndërroj me asgjë krenarinë kombëtare. Unë jam martuar me italian dhe nuk them kurrë që jam italiane, sikundër dhe tim shoqi i jam shprehur qartë se jam krenare që jam shqiptare. Jam martuar në vitin 2002.

Si do t’i krahasoni shkollat shqiptare me ato italiane?

Unë kam mbaruar shkollën në Shqipëri kur shkolla vlerësohej, ku kishte respekt për shkollën dhe mësuesit, kur  shkolla shikohej si diçka e shenjtë. Diktatura vetëm arsimin kishte të mirë. Këtë s’e mohoj. Ndërsa sot arsimi shqiptar vlen për të dëshiruar dhe ai italian po ecën me kërkesat e kohës. Sot ka disa ndryshime, pasi në Itali kur nuk ke mundësi për fëmijët për të blerë libra të ndihmon bashkia ose shteti. Tek ne këto ndihma nuk ekzistojnë. Por aty në shkolla është problem mësimi i fesë pasi aty është me ligj që duhet të ketë lëndë për kulturë fetare, por në kësi rastesh fëmija pyetet n.q.s do të mësojë, përndryshe mëson lëndë alternative. Aty shkolla qëndron pranë familjes kur sot tek ne është familja që qëndron pranë shkollës.

 Ju e vutë në funksion diplomën?

 Po kur shkova në veri, në Viçensa, rashë në lidhje me qendrat për emigrantët, ku ata kërkonin mësues të gjuhës italiane, me qëllim që ta kishin të lehtë mësimin e italishtes që është dhe kusht për legalizimin. Ishte viti 1998 kur unë fillova  mësimin e gjuhës italiane për emigrantët e huaj në Itali. Kryesisht kam dhënë mësim për marokenë, për emigrantët e Afrikës së Veriut, por duke e njohur diplomën në Itali fillova të jap mësim dhe në lëndë të ndryshme, gjeografi, histori, etj.. Ndërsa me projekte jap mësim edhe në shkollat  fillore apo 8-vjeçare të Italisë. Në këto projekte jap mësim dhe shumë grave emigrante që e kanë të domosdoshme për përsëritjen e kartës së qëndrimit. Jap mësim edhe në disa lëndë për informacionin që duhet të dinë emigrantët si kusht për të marrë lejen e qëndrimit, si historia e Italisë, kultura italiane, etj…Gjuha italiane më ka hapur shumë dimensione.

 Po fëmijët shqiptarë a mësojnë shqip?

Në zonën, ku unë jam në zonën e Trevizos dhe Viçensos, ka shumë fëmijë emigrantësh, të cilët kanë lindur në Itali, apo kanë ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi.  Këta nxënës që s’e dinë gjuhën dhe kanë nevojë për të. Por ka dhe fëmijë me nënë shqiptare dhe baba italian apo anasjelltas. Për këtë ne formuam shoqatën “Lidhja e Prizrenit” si mundësia më e mirë për të bashkëpunuar me shoqatat apo institucionet vendase. Shoqata jonë është kulturore artistike. Kjo shoqatë ka një kryesi që ka përfaqësues nga të gjitha trevat e Shqipërisë që përmendëm më lart. Ne kemi një frymë bashkëpunimi për t’u mësuar gjuhën shqipe gjithë fëmijëve tanë.  Në themel të detyrave apo të statusit të shoqatës është njohja e kulturës dhe historisë shqiptare, por kryesore gjuha. Njëkohësisht dhe njohja e kulturës dhe historisë italiane. Tashmë ne kemi dhe degët e Fondacionit “Nermin Vlora”, për veriun e Italisë.

Kush ju ndihmon me tekstet?

Ne u lidhëm me shoqatat simotra, u lidhëm me ambasadën tonë dhe ju drejtuam kërkesa qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe ata na dhanë fjalën për ndihmë. Aktualisht që ne po flasim na kanë ardhur librat në Trevizo. Aktualisht kemi një klasë me 21 nxënës, ku Komuna na ka dhënë një klasë dhe mendojmë që në të ardhmen të hapim dhe një klasë tjetër. Madje, të gjitha shpenzimet e dritave, pastrimit, janë të komunës.

Çfarë aktivitetesh keni bërë me shoqatën?

Ne kemi bërë disa aktivitete të rëndësishme. P.sh në vitin 2011 kemi zhvilluar mbasditen kulturore, historike “Statutet e Shkodrës-Shqipëria dhe Venecia nga Mesjeta ën Rilindje. Kemi zhvilluar një seminar me temë “Gjuha shqipe dhe origjina e saj”, ku u përcollën nëpër kumtesa karakteristikat e gjuhës sonë si dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera dhe përhapja në diasporë.  Një ndër aktivitetet e rëndësishme ka qenë mbasditja historike me temë “Kuvendi i Lezhës në historinë evropiane dhe “Emigrimi dhe integrimi, rasti i shqiptarëve dje dhe sot”. Një ndihmë të madhe na ka dhënë dhe Luçia Nadin.

 A i keni marrë pronat në Vlorë?

Edhe pse kemi gjysmën e Vlorës si pronë, me tapi, ne nuk kemi marrë asnjë gjë nga pronat.