Amarda Çoku: Në këtë shoqëri, shpesh jo miqësore, kemi vërtetë nevojë për dashuri

515

Intervistë me sociologen Amarda Çoku: “Meshkujt kanë frikë nga suksesi i femrave!”

Ajo është vazhdimisht pjesë e paneleve televizive. Në këtë intervistë, sociologia e njohur Amarda Çoku, tregon detaje rreth jetës së saj. Ajo mundohet ta shohë realitetin gjithmonë me syrin e një sociologeje. Aktualisht ushtron profesionin e saj pranë institucionit  të “Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. Ajo shprehet se “Babai im më thoshte gjithmonë, që kur isha fëmijë, se durimi dhe aftësia për të ndihmuar të tjerët, ishin arma ime sekrete. Babai më ka ushqyer drejt këtij profesioni dhe unë e dua”.

E shihni realitetin gjithmonë me syrin e një sociologeje, apo i ndani situatat?

Mundohem që realitetin ta shoh me syrin e një sociologeje, por besoj që jo gjithmonë arrij. Shpesh ngatërrohen ndjenjat në mes. Por ajo që bëj përherë, e them me shumë bindje, është reflektimi. Mundohem që të balancoj realitetin me dëshirat.

Cila është e mira më e madhe që ju gëzoni falë profesionit tuaj?
Kontakti me njerëzit. Babai im më thoshte gjithmonë, që kur isha fëmijë, se durimi dhe aftësia për të ndihmuar të tjerët, ishin arma ime sekrete. Babai më ka ushqyer drejt këtij profesioni dhe unë e dua. Një sekret tjetër është fakti që fal dashuri tek njerëzit, dhe mendoj se në këtë shoqëri, shpesh jo miqësore, kemi vërtet nevojë për dashuri.

Sa e vështirë ka qenë rruga e karrierës suaj profesionale?
Besoj se për çdo femër është e vështirë. Por duke dashur të jem realiste dhe mirënjohëse ndaj njerëzve që më kanë ndihmuar, them se pa pak dashamirësi dhe njohje, nuk do isha këtu. I falënderoj! Ata që më kanë ndihmuar, e dinë që i jam mirënjohëse që besuan tek unë.

A kanë femrat të njëjtat mundësi si meshkujt në Shqipëri?
Mundësi dhe aftësi kanë, por është e vështirë të ndryshojë në shoqërinë tonë koncepti i femrës “në shtëpi”, ose e thënë ndryshe, ideja që femra mund të arrijë shumë, është e frikshme për meshkujt.

Sa paragjykuese është shoqëria shqiptare?
Është shumë paragjykuese. Edhe pse nuk e shfaq në mënyrë agresive paragjykimin. Por e reflekton me mimikë apo me sjellje të tjera të pandërgjegjshme.

Mendoni se femrat paragjykohen më shumë mes tyre apo nga meshkujt?
Mendoj se mes tyre, pasi konkurrenca brenda llojit është më e fortë. Meshkujt shpesh e përdorin këtë konkurrencë mes femrave në favorin e tyre.

A vetëparagjykohen femrat?
Po, por vetëparagjykimi ndodh në dy drejtime. Pra dhe si mbivlerësim që shumë femra bëjnë për veten, edhe si nënvlerësim. Çfarë dua të them është se kemi një koncept jo të mirë për dijen, pasi ka shumë femra që mendojnë se dinë dhe nuk dëgjojnë më, ashtu siç ka gra dhe vajza në të gjithë Shqipërinë që janë të shtypura. Duhet të fillojmë ta trajtojmë dijen si diçka të vazhdueshme, dhe shtypjen mos ta pranojmë!
Po ju, a jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar dhe për çfarë?
Po, për peshën! Thashë edhe më lart, ne paragjykojmë dhe me mimikë.
Si keni reaguar?
Me buzëqeshje. Sepse dua të jap shembullin personal që njerëzit, vajzat e bukura, gratë, kanë rëndësi për çfarë thonë, si sillen dhe jo për çfarë duken.

Cilat janë sipas jush problemet më të mëdha që hasin femrat sot në Shqipëri?
Paragjykimi, etiketimi dhe sfida për mos t’u shtypur. Këtu duhet të kemi parasysh femrat në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në Tiranë.

Cilat janë sjelljet e reja diskriminuese, ato që më parë nuk konsideroheshin të tilla, por tani po?
Kam përshtypjen se diskriminuese është çdo sjellje që e vendos një person në pozitë të vështirë.

Ju jeni vazhdimisht pjesë e paneleve televizivë, a përdoren në media terma diskriminues?
Fakti që shpesh në media, ata që flasin janë ekstremistë mbi një pikëpamje, ndodh që mbjellin urrejtje dhe sidomos kur flasin për shoqërinë apo për komunitete të caktuara, për mua nxisin urrejtje.

Si e kaloni kohën e lirë?
Me familjen.

Çfarë është familja për ju?
Familja për mua është qetësia shpirtërore, është gjithçka! Jam shumë e lidhur me dy fëmijët e mi dhe bashkëshortin. Kemi krijuar një lidhje të tillë, që çdo gjë e ndajmë bashkë!

 Denada Elezi