Dorela Çela: Në Shqipëri mungon rregulli dhe disiplina në punë

586
Sigal

INTERVISTA/ Flet sopranoja  Dorela Çela: Euridice tek opera  “Orfeo e Euridice”, është roli i parë në TKOB

  Ajo është larguar katër vjeç nga Shqipëria dhe gjatë gjithë kohës është marrë me këngë lirike (operistike). Është futur që në moshën 7 vjeç në korin e teatrit “La Skala” në Milano dhe që prej asaj kohe dhe në vazhdim i është përkushtuar kësaj gjinie të të kënduarit. Ka kënduar në skenat më të mëdha europiane dhe opera  “Orfeo e Euridice”, në rolin e Euridice, është roli i saj i parë në TKOB, dhe ndihet e vlerësuar  ndaj ka dhe emocione.

  Dorela, roli i Euridice, çfarë përbën për ju?

Ky rol është shumë interesant sepse tregon për një njeri me karakter të fortë, me shumë, energji. Euridice në fillim mu duk paksa utopik, por me vazhdimin e leximit të rolit pashë që nuk ishte një personazh i lodhur,  ku është dhe muzika që të ndihmon të realizosh rolin e saj, pasi është një muzikë që i përshtatet personazhit, i cili nga momenti në moment tregon se ka një karakter shumë të fortë.  Ajo ka një botë shpirtërore shumë të madhe që e kupton realitetin drejt e në sy. Është një rol disi i veçantë për mua, duke pasur parasysh se është një rol me tjetër karakter nga të mëparshmit.

 Ku jeni larguar për në Itali?

Në Itali kam shkuar kur kam qenë katër vjeç, pra aty jam rritur.  Gjithë shkollimi im i është kushtuar muzikës operistike dhe ndihem e plotësuar në drejtim të studimeve në këtë gjini arti specifik.

 Ky rol i sajti është premierë në gjithë aktivitetin tuaj?

Kam luajtur shumë role thuajse të gjitha veprat kryesore të qeras botërore dhe mendoj se kam një repertor jo të vogël për moshën që kam. Kam luajtur thuajse në të gjitha operat italiane, por dhe në ato Europiane.

  Do jeni soprano tek opera  “Orfeo e Euridice”, sa role keni luajtur në skenën e TKOB në Tiranë?

 Është roli i parë që luaj në këtë teatër. Kisha dëshirë të isha prezente tek Opera e vendit tim dhe ja falë ftesës së Drejtores Artistike të TKOB, unë tashmë jam në Tiranë për këtë rol. Tashmë kam shumë eksperiencë në skenë dhe them se diçka do realizoj në perfeksion.

 Kur e ke filluar ëndrrën për t’u bërë këngëtare lirike?

Unë kam filluar në këtë rrugë qysh e re. Kur isha 7 vjeç fillova të këndoj tek teatri La Skala në Milano, që është teatri më i mirë. Kështu vazhdova deri në moshën 17 vjeç, ku unë këndoja dhe mësoja njëkohësisht. Ndërkohë, kam studiuar në Conservatorio di Musica “G.Verdi” di Milano, një shkollë shumë profesionale ndër më të mirat në botë.

 Cili ka qenë roli juaj i parë në skenë si profesioniste?

 Roli im i parë ka qenë në moshën 21 -vjeçare në teatrin “Jezi”. Më pas kam luajtur shumë role në gjithë Italinë.

 Ke ndjerë shenja racizmi në Itali?

Unë jam një njeri që jam rritur me edukatë, nga prindër artistë. Kam mësuar dhe jam treguar korrekte kudo. Asnjëherë nuk kam treguar shenja mendjemadhësie apo nënvleftësimi. Në këto raporte nuk kam ndjerë shenja racizmi. Jam sjellë dhe janë sjell korrekt me mua. Aty respektohet puna dhe njeriu punëtor.

 Vjen rrallë në Shqipëri, a po ndryshon Shqipëria?

Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. Më duken gjëra të vogla. Por mbi të gjitha nuk shikoj rregull, si ai rregull që ka në Itali. Unë kërkoj më shumë ndryshime tek vendi ynë, përse të mos jetë si të gjitha vendet e zhvilluara europiane?

 Përveç Italisë cilat janë vendet e tjera ku keni luajtur më shumë në opera?

Luksemburgu është stacioni im i dytë më i gjatë dhe më i preferuar. Por kam shkuar edhe në Gjermani, Danimarkë, Francë etj…

 Cilat janë elementët kryesorë të punës suaj si soprano?

Disiplina dhe rregulli. Pa disiplinë dhe rregull nuk bëhet asnjë punë. Kam orare të caktuara, shkoj në kohë kur duhet të jem dhe bëj prova të vazhdueshme sipas të gjitha kërkesave të kohës. Arti është shumë abstrakt.  Në art arin rezultate me punë. Ti mund të kesh shumë gjëra në mendje, por n.q.s ato nuk i konkretizon, atëherë s’ke bërë art, por diçka si utopi. Arti është një punë që do shumë punë si mendore, por edhe fizike. Një vepër arti i shërben shumë një populli. Një popull pa art, pa këngë është i destinuar të zhduket.

 Kjo do të thotë që jeni e respektuar në Itali?

Po. Aty merr sa punon dhe ke hapësira sa kërkon puna dhe ideja jote. Përderisa unë nuk jam kthyer dhe vij rrallë në Shqipëri dhe pse më merr malli do të thotë se më respektojnë, më krijojnë hapësira dhe më vlerësojnë.

Po shoqëria shqiptare a është shoqëri maskiliste?

Me sa kam dëgjuar, me sa lexoj mund të them se po. Unë s’kam jetuar direkt, por me ato që më flasin, shoh në televizion, lexoj apo më thonë të afrimit, them se është.

 Cili është mendimi juaj për femrat shqiptare, a kanë zënë vendin e duhur në jetë?

Besoj se jo. Femra shqiptare duhet të punojë dhe shumë vetë të zëjë vendin e duhur në jetë.  Jo çdo gjë ta dhurojnë duhet dhe luftë dhe këmbëngulje. Femra shqiptare është inteligjente, e pashme, kërkuese, familjare.

 Për pushime vini shpesh në Shqipëri?

Vij sa herë vjen babai, por rrimë pak. Babi im ka njerëzit e tij dhe unë e shoqëroj. Por për pushime më shumë i bëj në Itali, por dhe në vende të tjera. Më pëlqen shumë të udhëtoj. P.sh në shtator do shkoj të këndoj në Japoni.

 Cila është veshja juaj e përditshme?

Duke pasur parasysh se unë jam gjithmonë në shfaqje, kam të preferuar veshjen klasike.

 Kur keni kohë të lirë, me se merreni?

 E para është muzika. Dëgjoj  muzikë të ndryshme, por lexoj dhe letërsi artistike.

Këtë radhë çfarë të bëri përshtypje në Shqipëri?

Ajo që më ka bërë gjithmonë. Nuk ka rregull, nuk ka sistem. Ka ende gjëra të pa sistemuara edhe në Tiranë. Ende nuk është bërë qytet i kompletuar.

 Po në këtë Konferencë për shtyp,  çfarë mangësish vutë re?

E para, pashë një interesim të pakët. Pak kamera dhe pak fotografë. Mu duk shumë e thatë, pa tharm. Mu duk një konferencë rutinë, për një vepër premierë.