Profesor Muharremi, njeriu i lartë që zhvilloi Gjeodezinë në vendin tonë

1874
Sigal

Duhet t’i jemi mirënjohës profesorit, për ecurinë, arritjet e kësaj fushe dhe nxënësve të shkëlqyer që ka nxjerrë

Profesori Muharrem Dragovoja  u lind në qytetin e Shkodrës më 11.07.1928, në një familje të thjeshtë dhe patriotë me origjinë nga Malësia e Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e Shkodrës. Ai u bë pjesëmarrës në Luftën për çlirimin e vendit nga okupatorët gjatë Luftës së Dytë Botërore në moshën 16- vjeçare, si efektiv i Brigadës së IV Kosovare. Pas luftës dhe çlirimit te vendit, shkon për studime në Moskë, ku realizon studimet për Gjeodezi me rezultate të shkëlqyera dhe Diplomohet inxhinier Gjeodezist në vitet 1948-1952. Në vitin 1953, emërohet specialist si inxhinier Gjeodezist në Drejtorinë e projekteve të Ministrisë së Ndërtimit. Është autor i disa teksteve bazë për degën e gjeodezisë. Më pas ai fitoi gradën e Profesorit. Në vitin 1994 kthehet më Moskë, pranë familjes se tij duke e vizituar disa herë vendin tonë. Largohet nga kjo jetë më 3 maj 2014.

 Profesori i nderuar dhe i respektuar në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, si një personalitet dhe figurë e madhe, me kontribute të spikatura për zhvillimin e gjeodezisë dhe zhvillimet gjeodezike në vendin tonë, Muharrem Dragovoja kaloi një jetë plot punë e përpjekje të mëdha në fushën e arsimit për të përgatitur një brez të terë specialistësh të aftë për të zgjidhur detyrat e mëdha që nxori kërkesa për përparmin e vendit. Në tërë veprimtarinë e tij, nuk rreshti kurrë përpjekja e përkushtimi për modernizimin e vënien krah për krah me arritjet bashkëkohore të specialitetit të gjeodezisë. Në këtë përpjekje të gjithë jemi dëshmitarë të sukseseve të arritura në sajë të punës së tij të palodhur. Z. Muharrem në fillim të vitit 1944 në moshë fare të njomë vetëm 16 vjeç paraqitet pranë shtabit Kosovë Metohi dhe pasi ky shtab shpërngulet në Kosovë atashohet si efektiv i Brigadës së IV kosovare. Me çlirimin e vendit në nëntor të 1944 me kërkesë të tij, zhvendoset nga zona e Kosovës në Qarkun e Shkodrës, ku shërben si efektiv në komandën e Qarkut të Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe përveç detyrave në shërbim të komandës së qarkut ndjek dhe mësimet e lëna përgjysmë në gjimnazin e Shkodrës, gjimnaz, i cili siç dihet ka një traditë të madhe në edukimin kulturor e patriotik të shumë e shumë brezave. Me mbarimin e shkollës së mesme nisur nga nevojat e mëdha që kishte vendi ynë, ai aktivizohet si mësues në fshatin Dodç të Malësisë së Madhe. Punoi disa muaj deri sa i doli e drejta e studimit për të vazhduar studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Pas kthimit të tij nga Moska, emërohet specialist Inxhinier Gjeodet në Drejtorinë e Projektit. Gjatë periudhës së punës në këtë drejtori është aktivizuar në kryerjen e punimeve gjeodezike në disa projekte. Me hapjen e Institutit të Lartë Politeknik, z. Muharrem emërohet pedagog i lëndës së gjeodezisë në këtë Institut. Gjatë kësaj periudhe ka dhënë leksione, ka zhvilluar seminare, ushtrime laboratore e praktika mësimore, në disa kurse të ndërtimit e gjeologjisë. Në vitin 1956-1957, pranë Institutit të Lartë Politeknik hapet kursi i parë i specialitetit të gjeodezisë dhe u hap Universiteti Shtetëror i Tiranës. Në këtë universitet u hap Katedra e gjeodezisë e gjeografisë. Përgjegjës i kësaj katedre dhe kryetar i degës së Gjeodezisë u emërua z. Dragovoja. Zhvillimi i vendit kërkoi dhe solli zhvillim dhe të arsimit tonë të lartë. Për një periudhë dyzetvjeçare, Dragovoja u aktivizua në përgatitjen e formimit inxhinieriko-topografik dhe të inxhinierëve të ndërtimit të cilët përballuan me sukses projektimin dhe ndërtimin të gjithë objekteve të realizuar në të katër anët e vendit. Shumë nga inxhinierët e ndërtimit zgjidhën dhe detyra gjeo-deziko topografike në sheshin e ndërtimit. Këto detyra u realizuan në sajë të njohurive të sakta inxhinierike, që i’u kishte transmetuar profesori me punën e tij këmbëngulëse për përgatitjen e kuadrove të reja të fushës së ndërtimit. Në këtë periudhë z. Muharrem, kreu një punë kolosale në drejtim të forcimit dhe të degës së gjeodezisë pranë Fakultetit të Inxhinierisë. Nën drejtimin e tij u përgatitën planet e programit mësimore. Në saj të punës së pa lodhur të tij dhe shokëve që i qëndronin gjithnjë pranë, u zhvillua dega e gjeodezisë në bazë të planit dhe programeve të së cilës u përgatitën një numër i madh specialistësh, të cilët punuan në shumë fronte të punës të kryer në ato vite. Në veprimtarinë e tij mësimore shkencore, z. Muharrem ka përgatitur disa tituj librash të nivelit universitar, të cilët janë botuar e ripunuar disa herë. Ka përgatitur monografi e studime shkencore, ka marrë pjesë në hartimin e fjalorit enciklopedik të botuar në vendin tonë etj. Ka marrë pjesë në projektimin e punimeve gjeodezike për zhvillimin e punimeve në hidrocentralin e Ulzës, Shkopetit, Bistricës etj.. Ka udhëhequr projektimin e zbatimin e punimeve për zhvillimin e poligoneve gjeo-dinamikë në disa rajone sizmike të vendit, për studimin e shelfit detar të Adriatikut etj.. Në sajë të punës së tij katedra e gjeodezisë, të cilën ai e udhëhoqi për mbi 30 vjet, u rrit e u zhvillua duke përgatitur mbi 500 specialistë gjeodetë. Po në këto vite, katedra e gjeodezisë ka botuar mbi 15 tekste, duke mbuluar kështu të gjitha lëndët me tekstin përkatës, disa sesione shkencore e kumtesa. Për punë të mirë në drejtimin e katedrës dhe për nivelin e lartë të përgatitjes së tij shkencore e pedagogjike, z. Muharrem, i është akorduar titulli “Docent” që në vitin 1971. Pas viteve ‘90, në kuadrin e ndryshimeve në sistemin e organizimit të specialistëve të fushave të ndryshme, u krijua dhe shoqata e Gjeo-detëve, fotogrametristave dhe hartografëve të Shqipërisë, ku me unanimitet të plotë, profesor. Për punën e tij tepër të lavdërueshme me propozim të Fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit, Presidenti i Republikës në vitin 1994, i akordoi titullin “Mësues i popullit”. Të gjithë e mbajmë mend profesorin tonë të urtë e të qetë, i cili asnjëherë nuk u lodh së shpjeguari e të mësuari studentët e tij. Të gjithë e dinë që z. Muharrem asnjëherë nuk është kursyer për të dhënë ndihmën e tij çdo specialisti që i’a kishte nevojën, të gjithë e mbajmë mënd zërin e tij të kumbueshëm e të këndshëm në shpjegimet në auditorët e universitetit. Jeta me ligjet e saj e detyroi dhe profesorin që të largohet fizikisht nga auditori, nga studentët, miqtë e kolegët e tij, por ai asnjëherë nuk u nda shpirtërisht nga ata. Sa herë u takoje me zotin Muharrem, ndër pyetjet e para ishte dhe meraku se si po zhvillohet shkolla jonë, çfarë problemesh ka, cilat janë arritjet? Si mendohet të zhvillohet ajo përpara dhe asnjëherë nuk nguroi, që me dijet e tij të plota, me eksperiencën e tij të madhe të jepte ndihmesën e tij, për të pasur rezultate sa më të larta. Jemi mbledhur sot për të kujtuar disa çaste të lumtura me profesorin tonë, me mikun tonë me z. Muharrem Dragovoja njeriun, që kudo që shkoi, kudo ku punoi, kudo ku ndenji, la pas vetëm përshtypje të mira, la pas vetëm miq e njerëz që e duan dhe e respektojnë, që flasin për të fjalët më të mira. Në emër të gjithë miqve, në emër të të gjithë ish studenteve të tu, në emër të të gjithë kolegëve të tu, të përkasin falënderime zë pafundme, për punën e madhe që ke bërë, për kontributin e madh qe i ke dhënë arsimit në përgjithësi dhe shkencës së gjeodezisë.