Mbi 2.100 kërkesa legalizimi për shqiptarët

368
Sigal

Ministria e brendshme boton raportin me ecurinë e procedurave të legalizimit të të huajve gjatë dy javëve të para

Rreth 32 mijë kërkesa nga punëdhënës për legalizim apo lidhje të marrëdhënieve të punës, mbi 1.200 kërkesa nga qytetarë të huaj që duan të pajisen me lejeqëndrimin e përkohshëm për kërkim pune.

Është ky bilanci zyrtar për 15 ditët e paratë procedurave të legalizimit të të huajve me qëndrim të parregullt në Itali i parashikuar nga neni 103 i DL 34/2020 (i ashtuquajturi dekretligji Rinisja) i ofruar nga ministria e Brendshme.

Më saktësisht, ministria raporton se deri në orën 13 të 15 qershorit në portalin e saj ka rreth 32 mijë aplikime: 23.950 janë kërkesa të nisura dhe 7.762 janë në fazë përgatitore. Përsa u përket sektorëve, vërehet se pjesa dërrmuese e të huajve që kërkohet të legalizohen, punojnë pranë familjeve, e vetëm një pjesë e vogël në bujqësi, blegtori e peshkim. Në fakt 91% (apo në vlera absolute 21.695) e kërkesave të nisura dhe 76% (apo 5.906) e kërkesave në fazë përgatitjeje kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur.

Në raportin e ministrisë vërehet se ndër rreth 24 mijë kërkesat e paraqitura, 2.119 janë për shqiptarë: 1.636 (apo 77%) punojnë pranë familjeve ndërsa 483 (23%) në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Ministria jep të dhëna edhe mbi prejardhjen e punëdhënësit: nga rreth 24 mijë punëdhënës që kanë aplikuar për legalizimin e punonjësve, 436 janë shqiptarë: 386 kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 50 për legalizimin e një kontrate pune në bujqësi, blegtori apo peshkim. Natyrisht pjesa më e madhe e punëdhënësve, 72%, janë italianë.

Përsa u përket kërkesave të të huajve pranë zyrave të postës për lejeqëndrim të përkohshëm, ministria e Brendshme thotë se nga 1 deri më 13 qershor janë paraqitur 1.208. Nuk ka akoma asnjë të dhënë mbi prejardhjen e të huajve që kanë aplikuar.