Vendi në krizë, qeveria kundër FMN, hap tender të ri 150 mln euro

317
Sigal

FMN: Të frenohen shpenzimet e panevojshme

Qeveria nuk pyet për rrezik financiar, hap tenderin për projektin e Llogorasë, 150 mln euro

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka njoftuar të shtunën në mbrëmje hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Sipas Ministrisë, ky është një projekt ambicioz, i cili plotëson rrjetin infrastrukturor drejt jugut të vendit duke lehtësuar aksesin dhe rritur sigurinë në udhëtim.  Kjo vepër synon të nxisë turizmin, duke shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj.

Ministrja Belinda Balluku, tha se gara mbyllet në fund të dhjetorit. Sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit 2021, vlera totale e projektit është 18.7 miliardë lekë, ose 151 milionë euro. Për vitin 2021 parashikohet në buxhet një shumë prej 4 miliardë lekësh, në 2022 dhe dhe 2023 nga 1 miliardë lekë dhe pas vitit 2023 do të paguhen 12.7 miliardë lekë. Ky është projekti më i madh rrugor për t’u ndërtuar në vitet e ardhshme, sipas tabelave të financave.

Hapja e këtij tenderi vjen në një kohë, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar, e këshilloi qeverinë që të bëjë kujdes me shpenzimet, duke mos kryer ato që nuk janë të domosdoshme, për shkak të pasigurive të lidhura me pandeminë.

FMN rekomandon që të hiqet dorë nga shpenzimet jo prioritare, në mënyrë që të ketë fonde të lira për të përballuar emergjencën.

FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare, në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave, si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre

Rreziku kryesor, sipas FMN-së, është që nëse ekonomia përkeqësohet nga pandemia e zgjatur, deficiti dhe borxhi do të vazhdonin të rriteshin dhe si rrjedhojë, qeveria nuk do të kishte para në dispozicion që të zvogëlonte efektin në ekonomi të kësaj goditjeje.

Sipas raportit të FMN-së, ka një rrezik të lartë që sëmundja të rezultojë më e vështirë për t’u zhdukur, duke bërë të nevojshme që të merren më shumë masa frenuese, ndërsa do të ketë një mjedis më të keq të jashtëm. Kjo mund të ulë më tej arkëtimet, remitancat dhe eksportet e turizmit dhe të çojë në shtrëngim të kushteve globale financiare, duke ndikuar aktivitetin ekonomik të Shqipërisë, performancën fiskale dhe borxhin si dhe stabilitetin financiar.

FMN rekomandon qeverinë që të përgatitet në përgjigje ndaj këtij rreziku. “Rregulloni në mënyrë fleksibile masat zbutëse dhe mbështetjen buxhetore. Shënjestroni politika më të mira për të mbështetur kujdesin shëndetësor, personat që janë të prekshëm dhe ekonominë. Kërkoni financim të jashtëm. Monitoroni dhe menaxhoni nga afër dobësitë e sektorit financiar”.

Megjithatë, FMN thotë se, në rast të një vaksine efektive, situata mund të përmirësohet me shpejtësi, duke nxitur kërkesën e brendshme dhe të jashtme. Në këtë rast, qeveria do të duhet të ndjekë një politikë më të konsoliduar fiskale dhe të ulë me shpejtësi borxhin.

FMN vlerëson se ka një rrezik të lartë që qeverisë t’i mbarojnë amortizatorët fiskale. Kjo do të bënte që të shtoheshin vështirësitë e financimit dhe që vendi të mos kishte burimet e nevojshme për të zvogëluar goditjet.

Si reagim ndaj këtij rreziku, FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre. Në momentin që pandemia do të zvogëlohet, FMN rekomandon të rifillojë konsolidimi fiskal, i bazuar tek të ardhurat, dhe të ndiqet një trajektore e qartë e uljes së borxhit.