Tatimet urdhërojnë bizneset të përditësojnë të dhënat deri me 1 mars në QKR, në të kundërt gjobiten

653
Sigal

Bizneset në vend do të përballen me gjoba nëse nuk përditësojnë të dhënat deri me datën 1 mars të vitit 2015, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Ky është afati i fundit i vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj. Numri një i tatimeve, përmes një njoftimi për median, kërkon nga bizneset që të përditësojnë kodet ekonomike dhe adresat kryesore të biznesit, pasi në rast të kundërt do të përballen me gjoba. Sipas Shehaj, nëse biznesi i vogël nuk përditëson të dhënat do të gjobitet me 10 mije lekë të reja, ndërsa tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin do të gjobiten 15. 000 lekë. Gjithashtu, në rast se administrata tatimore konstaton se subjekti ushtron aktivitet pa kasë fiskale, atëherë merret masë deri në konfiskim të mallit.

 Dënimet administrative për pajisjet fiskale

 Sipas Administratës Tatimore, ndryshimet në Ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” Nr. 9920, datë 19.05.2008i ndryshuar, të hyrë në fuqi në datë 30.12.2014, parashikojnë gjobë nëse konstatohen parregullsi në instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale. Herën e parë të konstatimit të mos instalimit të pajisjes fiskale, gjobë në masën 50. 000 lekë. Nëse pas verifikimit të parë konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë, ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë sëmallit. Çdo konstatim i mëpasshëm i mos instalimit të pajisjes fiskale ose sistemit të monitorimit të qarkullimit, si shkelje e përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore bën kallëzim penal për tatimpaguesin. Ndërsa, në rast konstatimi për mos lëshim kuponi tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve bizneset, gjobiten si më poshtë:

Për çdo konstatim të kryer, me gjobë në masën 200. 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 50. 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.

Për çdo konstatim tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, i nënshtrohet një dënimi administrativ me gjobë në masën 300. 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 100. 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë. Për çdo konstatim të përsëritur të mos lëshimit të kuponit tatimor, pas aplikimit të dy dënimeve administrative konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore ushtron të drejtën të bëjë kallëzim penal për tatimpaguesin.

 Dënimet administrative për mos deklarimin e punonjësve.

 Nëse nga verifikimi dhe kontrolli, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar, që fillon punë për herë të parë te tatimpaguesi apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së të vetë punësuarit me të cilët ai punon e bashkëjeton), përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të papaguara të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, biznesi do të paguajë gjobë 250. 000 lekë për çdo rast mos deklarimi. Nëse tatimpagues është i regjistruar njëkohësisht për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe tatimin mbi fitimin, detyrohet të paguajë gjobë prej 500. 000, për çdo rast mos deklarimi.

Dorentina Hoxhaj