Tatimet: Si do të procedohet me subjektet dhe individët e refuzuar për “pagën e luftës”

664
Sigal

Mesdita e së Shtunës ka qenë afati i fundit për subjektet dhe qytetarët që mund të aplikonin për të përfituar nga “paga e luftës” prej 26 mijë lekësh. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sqaron  tatimpaguesit dhe individët e interesuar se afati i fundit i aplikimit për përfitimin e ndihmës financiare sipas Paketës nr.1 ishte ora 12:00 e datës 18.04.2020. Tatimet informojmë gjithashtu, se në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, vijon procesi i trajtimit të ankesave/kërkesave të dërguara në lidhje me refuzimin e aplikimeve, të dërguara nga individët/subjektet në adresat e-mail të Shërbimit për Tatimpaguesit.

Sipas administratës tatimore ky proçes do të vijojë edhe pas përfundimit të afatit të aplikimit të ndihmës financiare. Tatimet sigurojmë individët/subjektet se çdo ankesë/kërkesë do të trajtohet dhe shqyrtohet me korrektësinë maksimale.  Ndërsa bëjnë me dije se subjektet dhe individët të cilëve u është refuzuar e drejta për të përfituar ndihmën financiare sipas Paketës nr.1, do të njoftohen nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tyre në e-filing, nëse do të jenë përfitues të Paketës nr.2, pa qenë e nevojshme të ndjekin procedurën e riaplikimit. Paketa dy parashikon ndihmë financiare për punonjësit në masën e 40 mijë lekëve.