SHTEROJNË BEBET. RËNIA E LINDJEVE, FATKEQËSI PËR VENDIN

406

Shterojnë bebet, rënia e lindjeve më keq së skenari pesimist

Sipas INSTAT gjatë 9 mujorit 2018 numri i bebeve të lindura ishte 22 për qind më e i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë

Qarqet me rënien më të madhe të lindjeve janë Vlora, Gjirokastra dhe Korça

Nga viti në vit numri i lindjeve po bie me shpejtësi, duke sinjalizuar një situatë tashmë alarmante për popullsinë e vendit. Zhvillimet demografike po bëhen dramatike edhe prej emigracionit të lartë të moshave të reja, duke sinjalizuar një perspektivë jo të mirë për zhvillimet sociale dhe ekonomike në vend në të ardhmen e afërt. Sipas INSTAT gjatë 9 mujorit 2018 numri i bebeve të lindura ishte 22 për qind më e i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Këtë vit lindën 5266 bebe më pak dhe kjo rënie është shumë më e madhe edhe se skenari pesimist për projeksionet e popullsisë 2011-2031 lëshuar nga INSTAT. Përgjithësisht numri vjetor i lindjeve në Shqipëri luhatet në 32-24 mijë bebe në vit. Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 30 mijë bebe, teksa gjatë 9 muajve të 2018 kanë lindur vetëm 18,120 bebe. Sipas skenarit pesimist të projeksioneve të popullsisë te INSTAT numri i bebeve të lindura me 2018 duhet te jetë pak më shume se 27 mijë foshnja. Që të përmbushet projeksioni i skenarit pesimist duhet të lindin së paku edhe 9 mijë foshnja në të gjithë vendin në tremujorin e mbetur. Vlora ishte qarku me rënien më të lartë të lindjeve me rreth 36 për qind, e ndjekur nga Gjirokastra me mbi 35 %. Rënia e lindshmërisë në Vlorë po ndikohet edhe nga Emigracioni i Lartë. Rënia e lindjeve ka prekur edhe qarkun e Tiranës e cila përgjithësisht po sheh rritje të popullsisë në raport me qarqet e tjera. Një anketim i fundit i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, për potencialet e emigrimit gjeti se, dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e tyre i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit, çka duket se është reflektuar edhe në rënien e numrit të lindjeve këtë vit. Në tremujorin e tretë numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 111 lindje, me një rënie prej 26,0 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2017. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.287 lindje, të cilat shënojnë rënie me 14,1 % në krahasim me tremujorin e tretë 2017. Edhe në tremujorin e tretë të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e paraqet qarku i Vlorës me 31,3 % dhe qarku i Korçës me 28,7 %.

 Arsyet, pse po bien lindjet

Nëse do t’i referoheshim numrit absolut të lindjeve, vihet re qartë një rënie e konsiderueshme në numrin e tyre, nga 82 mijë në 1990 në 30 mijë lindje në vitin 2017 Demografët shpjegojnë se lindshmëria te personat në moshë riprodhuese sot është e ndryshme nga ajo e prindërve të tyre, si në lidhje me numrin mesatar të fëmijëve për grua (indeksi sintetik i fekondimit) ashtu sa i përket edhe karakteristikave strukturore (moshës). Gjatë viteve 2000, indeksi sintetik i fekondimit në Shqipëri ra nën nivelin e zëvendësimit, i cili përcaktohet si 2.1 fëmijë për grua. Për herë të parë në historinë e lindshmërisë së Shqipërisë, Indeksi Sintetik i Fekondimit ishte më pak se 2 fëmijë për grua pas vitit 2003, teksa në vitin ishte më pak se 1.6. Sot gratë që lindin fëmijën e parë janë mesatarisht më të mëdha në moshë sesa nënat e tyre dikur. Deri në fillim të viteve 2000, modeli tipik i familjes në Shqipëri, ishte një çift i martuar me dy fëmijë. Mosha mesatare në lindjen e parë ka shënuar një rritje të lehtë gjatë 10 viteve të fundit, teksa njerëzit fillojnë të krijojnë familje në një moshë më të madhe dhe tentojnë të kenë më pak fëmijë. Kohët e fundit, gjithashtu familja është bërë më pak e qëndrueshme si pasojë e normës në rritje të divorceve, shpjegojnë demografët. Përveç Indeksit Sintetik të Fekondimit, një tregues i rënies së lindshmërisë është edhe koeficienti bruto dhe neto i riprodhimit, të cilët matin numrin e vajzave që lind një grua. Ky indeks në vendin tonë është nën një vajzë për grua, pra një femër nuk arrin të riprodhojë veten. /monitor