Shqiptarët do deklarojnë 2,9 milionë llogari bankare

500
Sigal

 

Deri në fund të korrikut, të gjithë shqiptarët që kanë llogari në bankat brenda Shqipërisë, do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të një nisme globale për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Aktualisht, bankat shqiptare mbajnë rreth 2.94 milionë llogari bankare, të cilat do të vetëdeklarohen nga klientët, por procesi po has vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19, numrin e madh të klientëve emigrantë, adresat e gabuara dhe teknologjisë së cekët. Si po e rrit bota presionin mbi transparencën e offshore

Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.

Zbatimi i këtij ligji në kulmin e pandemisë COVID-19 e ka vështirësuar punën sistemit bankar për të përmbushur këtë detyrim, i cili ka krijuar kosto shtesë për bankat, teksa mbajtësit e llogarive bankare janë të paqartë rreth këtij procesi. Bankat pohuan se shumë shtetas, me llogari në bankat shqiptare, jetojnë jashtë dhe në këtë periudhë e kanë të pamundur të lëvizin për shkak të pandemisë.

Edlira Muço, nga Banka Credins, tha se përmbushja e këtij detyrimi paraqet vështirësi. Së pari, është një praktikë e re, që kërkon impenjim në burime njerëzore dhe në infrastrukturë. Zbatimi i ligjit sjell vështirësi, pasi zbatohet edhe për llogari të çelura përpara hyrjes në fuqi të tij.

Banka Kombëtare Tregtare sqaroi se vetëdeklarimi është për të gjithë klientët, pavarësisht nëse është rezident apo jo. Klientët jorezidentë janë grupi i parë i klientëve që pa diskutim janë pjesë e këtij procesi. Por BKT sqaroi më tej se, për shumë njerëz, rezidenca tatimore mund të jetë e njëjtë, ose ndryshe nga shtetësia, prandaj të gjithë klientët e bankës duhet të vetëdeklarojnë se ku e kanë rezidencën tatimore, pasi ligji parashikon më shumë se një rezidencë fiskale për një individ.

Teksa bankat janë të detyruara të përmbyllin procesin deri në fund të korrikut, gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë kufizon grumbullimin e klientëve në sportele. Disa banka po e mundësojnë plotësimin e tij online. Ato e kanë publikuar formularin në faqen e tyre online, i cili mund të shkarkohet, plotësohet, skanohet e më pas të niset me email në bankën përkatëse.

Llogaritë e hapura ndihmojnë Tatimet

Bankat në Shqipëri do të dorëzojnë formularët me llogaritë e klientëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e ngarkuar nga ligji si autoriteti kompetent për shkëmbimin e informacionit. Tatimet mund ta shkëmbejnë informacionin mbi llogaritë me institucionet partnere kudo në botë dhe, gjithashtu, mund ta përdorin me qëllim verifikimi me atë që tatimpaguesit kanë deklaruar në Tatime.

Zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero, tha se “ky proces do të na ndihmojë të marrim të dhëna financiare për rezidentët tatimorë, të cilët mund të kenë llogari financiare në vendet me të cilat do të shkëmbejmë informacionin. Vjero thotë se pas marrjes së informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mund të investigojë nëse këto të ardhura janë deklaruar edhe në Shqipëri, pasi parimi ynë i të ardhurave bazohet në të ardhurat mbarë botërore (worldwide).

Sistemet e avancuara financiare dhe në zhvillimet e hovshme teknologjike të viteve të fundit, evazioni fiskal është sofistikuar. Shumë kompani dhe individë në të gjithë botën mbajnë llogari në banka offshore, çka e ka vështirësuar gjurmimin fiskal dhe pagesën e drejtë të taksave. Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritetet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI), zbatimi i të cilave është i detyrueshëm edhe për vendin tonë që nga muaji janar 2020.