Sondazhi i Bashkimit të Prodhuesve, 70% e kompanive paralajmërojnë shkurtim të punonjësve, mund të rezistojnë maksimumi një muaj

170

Një sondazh i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, i realizuar me 90 kompani, kryesisht biznese VIP e të mëdha, ka nxjerrë në pah situatën e vështirë, me të cilët po përballen sipërmarrjet prodhuesve në vend.

Pjesa më e madhe e të anketuarve thanë se ata mund të rezistojnë maksimumi dhe një muaj dhe më pas do të detyrohen të dorëzohen, duke mbyllur aktivitetet, nëse nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje me ndihmën e qeverisë.

Siërmarrjet kanë raportuar probleme me furnizimin me lëndë të lartë nga importi, rënie të porosive nga partnerët, çka ka çuar dhe në tkurrje të shitjeve e të ardhurave. Kjo situatë ka krijuar probleme likuiditeti, duke krijuar pamundësi si për pagimin e detyrimeve ndaj shtetit, ashtu dhe për dhënien e pagave të punonjësve.

Në anketim morën pjesë 90 kompani, anëtarë të Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve, që ushtrojnë aktivitetin në katër makrosektorë kryesorë: “Ushqim pije”, “materialet e ndërtimit”, “tekstile dhe këpucë”, “riciklim, përpunim metalesh, plastike, kartoni dhe druri”. 73% e tyre kanë aktivitet eksportues. 27% e tyre janë biznese VIP, 45% janë biznes i madh dhe 28% janë biznes i mesëm.

61% e firmave raportuan se në muajin mars shitjet ranë më shumë sesa 50% dhe 5% raportuan se nuk kishin fare shitje (rënie 100%). Pritshmëritë janë më pesimiste për prillin. 21% e të anketuarve thanë se nuk prisein të kenë fare shitje në prill (rënie 100% e shitjeve).

Kompanitë po përballen tashmë me vështirësi në dhënien e pagave për punonjësit. 63% e të anketurave pohojnë se mund të përballojnë pagat për një muaj (marsin), ndërsa 18% nuk mund të paguajnë as marsin.

Vetëm 8% e të anketuarve thanë se mund të paguajnë të punësuarit për më shumë se dy muaj, nëse vazhdon një situatë e tillë.


Për shkak të situatës së krijuar, 70% e të anketuarve thanë se po planfikojnë shkurtim të punonjësve.

Pjesa më e madhe e atyre që raportuar shkurtime, planifikojnë të reduktojnë 50-90% të personelit (57%), ndërsa 11% raportojnë se nuk do të mbajnë fare personelin në punë.

Jo vetëm për pagat, sipërmarrje raportojnë që nuk kanë mundësi as të paguajnë taksat. 77% e të anketuarve thanë se nuk kanë likuiditetet të mjaftueshëm për të paguar detyrimet ndaj shtetit.

Por sa mund të rezistojnë kompanitë prodhuese në këtë situatë. 64% e të anketuarve thanë se mund ta mbajnë aktivitetin maksimumi edhe një muaj të hapur, nëse vazhdon kjo situatë. Vetëm 13% mund të rezistojnë më shumë se 3 muaj.

Kompanitë eksportuese raportuan një rënie të ndjeshme të porosive nga partnerët, çka pritet të përkthehet në rënie të eksporteve gjatë muajve në vijim. 92% e eksportuesve presin një rënie të eksporteve nga 50-100%, bazuar në ecurinë e kontratave të deritanishme.

Kompanitë raportuan se shfryëzimi i kapaciteteve është ulur në mënyrë drastike. Vetëm 10% e të anketuarve vijojnë të shfrytëzojnë 100% të kapaciteteve. Përpara fillimit te epidemisë, 56% e sipërmarrjeve pohuan se ata i shfrytëzonin maksimalisht kapacitetet e tyre. 55% e të anketuarve thanë se kishin pasur probleme të furnizimit të lëndëve të para.