Shqipëria rrezikon shuarjen e popullsisë. Shtesa më e ulëta

507
Sigal

Diferenca ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, ajo që përcakton shtesën natyrore të popullsisë, është duke ngushtuar me shpejtësi vit pas viti, duke lajmëruar se shumë shpejt numri i vdekjeve në Shqipëri të jetë më i lartë se i lindjeve. Kjo do të çonte popullsinë e vendit në rënie pa kthim, pa marrë në konsideratë fenomenin e emigracionit. Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsie ishte 7130 persona, niveli më i ulët së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore sipas të dhënave të INSTAT. Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara vit pas viti, tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, pasi shtesa e popullsisë gjatë viteve 1923-1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarisht mbi 18 mijë persona në vit. Gjatë vitit 2018, lindën 28.934 foshnje, duke pësuar një rënie prej 6,3%, krahasuar me një vit më parë. Për herë të parë, numri i foshnjave të lindura ra nën nivelin 30 mijë. Numri i vdekjeve në 2018 ishte 21.804 persona, duke pësuar një rënie prej 1,9%, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore është përkeqësuar pasi rënia e lindjeve ishte më e lartë se rënia e vdekjeve. Në vitin 1990, viti i parë i tranzicionit, shtesa natyrore e popullsisë ishte gati 64 mijë persona, ose rreth 5300 fëmije në muaj. 28 vjet më pas, ky tregues ka rënë me 9 herë, duke arritur në vetëm 594 persona në muaj. Numri i martesave në rënie dhe indeksi i fertilitetit, lajmërojnë se numri i lindjeve do të jenë me rënie edhe në të ardhmen. Në Shqipëri, pothuajse të gjitha lindjet vijnë në jetë përmes martesave. Numri i martesave në vitin 2017 ishte 11% më i ulët e në vitin 2010. Por shumë nga martesat ndodhin me emigrantë, të cilët pasi lidhin kurorë në Shqipëri zgjedhin të largohen jashtë vendit. Nga ana tjetër treguesi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 1.48 fëmijë për vitin 2017. Ky nivel është më i ulët se mesatarja e fertilitetit në Bashkimin Evropian që për vitin 2016 ishte ishin 1.6. Teksa numri i lindjeve po ulet me shpejtësi, numri i vdekjeve është stabilizuar në rreth 2-22 mijë në vit. Por plakja e popullsisë do të ndryshojë shumë këtë tendencë me rritje të numrit të vdekjeve, edhe pse jetëgjatësia po rritet. Demografët lajmërojnë, se rënia e numrit të lindjeve është një element i rrezikshëm për pakësimin e popullsisë dhe i parikuperueshëm, pasi për rënien e popullsisë për shkak të emigracionit edhe mund të ketë shpresë për rikuperim./Monitor