Taulant Balla kërkon shkarkimin e kreut të KQZ, Ruçi e fut urgjent për votim në parlament

601
Sigal

Grupi Parlamentar i PS është i vendosur, që edhe pse situata politike mes mazhorancës dhe opozitës është teje e acaruar, të rikthejë sërish në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Vendimi është marrë gjatë punimeve në Konferenca e Kryetarëve, e cila ka përfshirë në kalendarin e punimeve 3 javore kërkesën e depozituar nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, që në seancën më të shpejtë të votohet shkarkimi i Zgurit, me motivacionin, “shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës”.

Akuza ndaj Zgurit është se në vitin 2017, kur PS dhe PD ishin në një marrëveshje që doli pas “Çadrës”, më 18 Maj, kreu i KQZ i propozuar nga opozita nuk respektoi ligjin e dekriminalizimit në rastin e një kryebashkiaku. Që nga viti 2017, Klement Zguri, drejton këtë institucion pasi zëvendësoi ish-kryetarin Denar Biba, i cili dha dorëheqje dhe kaloi në postin e nënkryetarit, por që u përball me hetim dhe gjykim për shkelje të rënda në drejtimin e KQZ-së.

Aktualisht në KQZ opozita nuk ka dërguar përfaqësuesit e saj duke i lënë vakante karriget e tyre dhe duke bërë kështu që ky institucion të funksionojë vetëm me 5 anëtarë. Në disa  votime të fundit, Zguri, ka qenë vendimtar në rrëzimin ose miratimin e propozimeve të ndryshme. Shkarkimi i Kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të bëhet nga PS-së me shumicë të cilësuar votash sipas përcaktimeve në nenin 15 të kodit zgjedhor.

Kërkesa për futjen në kalendarin e punimeve të parlamentit të votimit për shkarkimin e Zgurit është bërë, nga kreu i Grupit Parlamentar të  Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e njoftoi këtë hap me anë të një statusi në Facebook. Kjo lëvizje e mazhorancës që tashmë është e vetme në parlament, vjen pas debatit të javës së shkuar, ku PS kërkoi shkarkimin e kreut të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, por u hodh poshtë nga opozita.