“Do të vlerësojmë figurat që janë lënë në hije për një shekull”

676
Sigal

INTERVISTA/ Kreu i Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani: “Jemi duke shqyrtuar listat që na kanë ardhur”

Një objektiv i Qarkut të Vlorës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë është edhe vlerësimi i figurave patriotike që kanë kontribuar gjatë një shekulli dhe që për arsye të ndryshme janë lënë në harresë. Kreu i qarkut Anesti Dhimojani është shprehur ekskluzivisht për “Telegraf”. “Ka qenë dhe mbetet një shqetësim edhe për Qarkun, vlerësimi i figurave që kanë kontribuar për Kombin gjatë këtij shekulli, që Shqipëria jeton në Pavarësi”,-tha Dhimojani.

Z. Dhimojani si do të veprohet për të nxjerrë dhe vlerësuar këto figura?

Më parë u është kërkuar kryetarëve të komunave e bashkive, që në bashkëpunim me historianët, duke shfrytëzuar arkivat, të nxjerrin listat e patriotëve që nuk janë vlerësuar, por që kanë kontribuar për Kombin. Këto lista, tashmë kanë ardhur dhe është komisioni i posaçëm i ngritur në qark, që do të bëjë vlerësimin e tyre. Pra kompetencat i kanë komunat dhe bashkitë, por nga ana jonë do të vlerësohen edhe mendimet e qytetarëve, të historianëve për persona të veçantë, që e gjykojnë se duhen vlerësuar. Zyra juridike pranë këshillit ka krijuar dokumentet përkatëse dhe pasi  të jetë bërë seleksionimi, figurat që janë përcaktuar nga ky komision do të shqyrtohen në mbledhje e Këshillit të Qarkut, që do të bëhet  në fund të muajit.

Çfarë përbërje do të ketë komisioni, pasi, sikurse ndodh rëndom, mund të ketë komente më pas?

Në këtë pikë jemi shumë të kujdesshëm, pasi realisht kanë qenë ndërhyrjet e padrejta që janë bërë, çka ka ndikuar në lënien në harresë të shumë figurave, që kanë kontribuuar. Kështu në Komisionin e Qarkut do të jenë kryetarët e bashkive dhe të komunave, historianë dhe njerëz specialistë që kanë shfrytëzuar arkivat dhe që me fakte argumentojnë aktivitetin e njërit apo të tjetrit. Pra, lista e personave që mendohet të vlerësohen, do të marrë OK e të gjithëve anëtarë të komisionit, për të bërë një punë të pastër e larguar komentet që mund të bëhen më pas. Dua të theksoj se në përbërje të Komisionit ka edhe përfaqësues të të përndjekurve politikë, pasi është kjo shtresë, që është ndëshkuar më shumë gjatë viteve të regjimit. Përgjegjësia për vlerësimin e tyre, nis që nga drejtuesit e pushtetit vendor, që ka sjellë propozimet dhe deri tek unë kryetari, që do të vendos firmën. Duhet të theksoj gjithashtu se Vlora ka një kontribut të jashtëzakonshëm, për historinë e Kombit, për të mos thënë se ka qenë vendimtare, sikurse është ngritja e Flamurit, shpallja e Pavarësisë, që në këtë 28 Nëntor, mbush 100 vjet.

Çfarë vlerësimi do të bëhet nga ana e Qarkut?

Në bazë të ligjit Këshilli i Qarkut jep “Nderi i Qarkut të Vlorës”, që është një vlerësim i lartë dhe që e gëzojnë të drejtën ta marrin të gjithë ata që janë shquar në aktivitetin e tyre që kanë bërë për Kombin. Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se ka shumë figura që janë lënë në hije për një arsye apo një tjetër dhe që mendojmë, që me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë të ndriçohen dhe të zënë vendin që i takon.