Shmangu detyrimet fiskale të naftës gjobë 6,9 mln lekë subjektit ‘Phenix’

750
Sigal

TIRANE – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka gjobitur me shumën prej 6 920 275 lekë kompaninë naftënxjerrëse “Phenix” pasi nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se ka shmangur detyrimet fiskale për një sasi prej reth 78 kg naftë.

Sipas Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nga kontrolli i ushtruar në ambientet e kësaj kompanie, u konstatua një tepricë prej 78.937 kg naftë bruto, e gatshme për tu hedhur për tregtim.

Lidhur me këtë sasi të naftës së padeklaruar nga kompania “Phenix” dhe që ishte bërë gati për tregtim, Drejtoria e Doganave e ka gjobitur kompaninë  që operon në fushën e nxjerrjes së naftës bruto me shumën prej 6 920 275 lekësh.
 
Nga kjo gjobë e vendosur mësohet se 1 973 425 lekë është detyrimi i munguar dhe 4 946 850 lekësh penaliteti nga ana e Drejtorisë së Doganave.

“Specialistët e Departamentit të Akcizës, bazuar ne nenin 4 pika 2 gërma b dhe nenin 91 pika 4 dhe 9, e Ligjit 61/2012 “Për Akcizat” (të ndryshuar), e kanë klasifikuar shkeljen e mësipërme si shkelje administrative dhe e kanë penalizuar subjektin në shumën 6,920,275 lekë. Nga këto detyrimi i munguar është 1,973,425 lekë dhe penaliteti në shumën 4,946,850 lekë.” Thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.

Gjatë këtij muaji Departamenti i Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka kryer një sërë kontrollesh pranë kompanive që operojnë në sektorin e produkteve energjitike, në vijim të luftës kundër evazionit fiskal dhe sigurimit të fiskalitetit për produktet e akcizës.