Ish Shefi i Shtatmadhorisë Mustaqi rrëfen çfarë ndodhi në Akademinë Ushtarake, revoltën studentore dhe masat
(Vijon nga numri i djeshëm)
Orë pas ore, situate sa vjen dhe rëndohet. Në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, efektivat janë në gatishmëri të plotë luftarake, të armatosur ‘deri në dhëmbë’. Ndërsa jashtë sajë nuk mund të dilet, pasi ajo është e rrethuar me turma civilësh. Drejtuesit e ushtrisë, ndjehen pothuaj krejt vetëm në këtë situatë kritike, e cila nga keq menaxhimi i momentit, mund të sillte tragjedi të rënda. Ramiz Alia, njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm, për ushtarakët, duket inekzistent… Po çfarë ndodhi në Byronë Politike, në ushtri dhe në sheshet e Tiranës e gjithë vendit… Këto e të tjera, i rrëfen në vazhdim ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Kiço Mustaqi…
PUÇI’ I SHKOLLAVE USHTARAKE
Monumenti i Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit ishte rrëzuar, por asgjë nuk kishte përfunduar. Jo vetëm në Shkollën e Bashkuar të Oficereve, por dhe në segmente të tjera gjakrat ishin ndezur ethshëm. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte monumentin e derdhur në 8 ton bronx special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa disa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepëse dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”… por kjo nuk ndodhi. Është e nevojshme të themi që në fillim se kur flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, duhet saktësuar se atje ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”. Pra, tre shkolla. Kështu që më e drejtë është ta quajmë: “Ngjarja në shkollat ushtarake të Tiranës”. Kur jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, kam theksuar dhe pohuar: se grusht shteti quhet ajo goditje që rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Ne e kishim ende pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Në qoftë se këtë ankesë do ta kishte Ramiz Alia dhe qeveria e Adil Çarçanit, do të ishte ashtu siç pyesni ju dhe siç e ka pagëzuar PD-ja e Sali Berisha. Pra as që bëhej fjalë për grusht shteti. E vërteta qëndron krejt ndryshe. jo ngjarje në shkollat ushtarake u quajt grusht shteti për qëllime politike, por ndoshta edhe nga injoranca, nga padia. Qëllimi i vërtetë ka qenë provokimi i shkollave ushtarake (të tilla kemi pasur në shumë reparte ushtarake e në flotë), që ushtarakët të irritoheshin e të përlesheshin me forcat e PD-së, ku natyrisht do të derdhej gjak dhe kështu, sipas një skenari të sofistikuar, do të akuzohej ushtria dhe PPSH-ja. Dhe ajo më kryesorja është që të tregonin se PD-ja e mori pushtetin me gjak, ndërsa siç dihet, ai u fal pa asnjë krismë. Ngjarjet në atë kohë lidhen edhe me rrëzimin e busteve të Enver Hoxhës, sepse fill pas tyre pati reagime popullore gjithandej, përshi edhe ushtrinë.
E VËRTETA MBI ‘GRUSHTIN E SHTETIT’
Janë thënë shumë për këtë shkollë. Midis të tjerave që ajo po përgatitej për sulm për rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës dhe vendosjen e qetësisë. Por, për mendimin tim Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi por u sulmua. U sulmua nga forca regresive që drejtoheshin nga PD. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar dhe kishte për qëllim që forcat e shkollës të dilnin në rrugë e të gjakosnin popullin. E pastaj të thuhej se, ja, ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin. Midis shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra policia kishte kontaktin me njerëzit. Policia hante gurët dhe të paktën një polic u vra, kur një udhëheqës i PD hapi portën e një fugoni. Para kësaj ngjarjeje ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një pedagog shumë i mirë i Akademisë dhe disa pedagogë të Shkollës së Bashkuar. Meqenëse Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e monumentit, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosin shtatoren në qendër të Tiranës. Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë, thoshin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej tekstualisht siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar ose transmetojeni kështu siç është, ose do ta marrim në televizionin e do ta transmetojmë vetë. Unë iu përgjigja nuk kishte gjë të keqe të transmetohej, përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, megjithatë, i thashë, unë nuk jam kompetent, se urdhrat i marr nga lart, nga shoku Ramiz. Sa për televizionin i thashë, mos ki frikë, nuk merret me forcë, pasi televizioni drejtohet nga komiteti Qendror e shoku Ramiz. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku, sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra .”Ti urdhrat i merr nga shoku Ramiz”. Po, i thashë, e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë. Pastaj, shtova se, ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka ardhur keq që u rrëzua monumenti, ata duan ta venë prapë në vend. Pra ngrihen për atë që ju qan zemra. Përfundimisht peticioni nuk u transmetua nga radiotelevizioni. U botua, pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores, vetëm në gazetën Zëri i Popullit, më 22 shkurt 1991.
21 SHKURTI 1991 NË SHKOLLËN E BASHKUAR
Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar po zhvillohej një takim me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, një përfaqësuesi nga Ministria e Mbrojtjes, (më duket Shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga PD, e të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi u dëgjuan krisma. Ata të PD-së, thanë e ndërpresim diskutimin, sepse shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte nuk mund të diskutojmë. U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat vinin nga jashtë, nga ku u plagos një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën se shkolla nuk kishte hapur zjarr, ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq ishte nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në shkollën e Bashkuar kishte pedagogë e studentë, (ndonjë edhe në Akademi), që ishin kompromentuar nga PD ose mendonin se duhej përkrahur ajo. Njerëz të tillë kishte në togat e zbulimit, të prapavijës, dhe kjo përbënte një rrezik, dhe unë dyshoja e kisha frikë që po të ndodhte ndonjë situatë brenda shkollës, mund të shkaktohej edhe vëllavrasje. Në të vërtetë, kur u rrethua Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta, që unë dyshoja ishin të parët që u ngritën kundër rrugaçëve të cilët donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës për të cilat dyshoja se ishin më të kompromentuarat, u bënë më luftaraket, sepse u fyen në sedrën e tyre që po u shkelej nderi i ushtarakut nga rrugaçët.
PRAPASKENAT E RRËZIMIT TË BUSTEVE TË ENVERIT
Fakti i thjeshtë që rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë u bënë të gjitha rreth orës 11.00, na vuri në mendime. E diskutuam edhe në një rreth shumë të ngushtë në shtabin e përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja ime ishte se ato qenë të organizuara. Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë duhej të organizoja heqjen e shtatores nga shkolla. Kam thirrur shefin e shtabit e drejtorin e xhenios e u kam thënë: Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’i marr leje dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër për ta hequr shtatoren e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor i xhenios do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë një lulishte, nuk dua që të mbetet gërmadhë.. Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe i thashë: “Mesa duket rrëzimi i busteve ka qenë i organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar, ne do të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte. Ai më bërtiti fort: “Si, shoku Kiço ke mendimin të na heqësh komandantin e përgjithshëm?!. Unë kuptohet, nuk i besova. Busti u hoq pas disa muajsh nga qeveria e stabilitetit, dhe nuk u hoq siç e mendoja unë.
QËNDRIMI I RAMIZ ALISË NË NGJARJET E SHKOLLËS SË BASHKUAR
Edhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar unë dhe Ramis Alia, nuk kemi komunikuar me njeri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë unë raportova se situata ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë. Ramizi ndofta merrte raporte nga ndonjë burim tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu që brenda në Shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendësministri i brendshëm (Aredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së të Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar. Dhe në një moment, kur pati një të shtënë tanku, shoku Haredin Shyti më mori në telefon: “Jam këtu me kryetarin e PD-së për Tiranën” e më bënte vërejtje për veprimin e tankut. Atëherë nuk m’u durua dhe i fola shumë ashpër, duke i thënë se, nuk jam në varësinë tuaj, kështu foli ministrit tënd, ç’ punë ke me kryetarin e PD-së brenda në shkollë, ju merruni me policët përjashta, prandaj largohuni menjëherë, mos përfitoni nga mirësjellja e komandës së shkollës, etj. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësaj dite, se përse MPB dhe degët në rrethe, për çdo gjë informonin PD-në apo i merrnin leje asaj, duke mos menduar se kështu i viheshin më keq fitilat situatës. Kështu ndodhi edhe në Shkodër e rrethe të tjerë.
SULMI MBI SHKOLLËN E BASHKUAR
Kjo është e vërtetë. Turma nga jashtë herë pas here provokonte Shkollën e Bashkuar. Ata kishin siguruar armë, qoftë të vjedhura, qoftë edhe nga jashtë. Për çudi atëherë, në duart e turmës janë gjetur armë Zastava, armë që nuk qarkullonin në Shqipëri. Por në kohën e përgatitjeve tremujore nuk ishte e vështirë të gjeje armë në Shqipëri, në kuptimin se ishin kompromentuar edhe disa oficerë, ishin kompromentuar edhe disa ushtarë, apo nënoficerë, që gjoja do t’i shërbenin demokracisë, ose mund të shiteshin armët. Por ato armë ishin të tjera tipa, të tjera kalibra. Nuk ishin të ushtrisë sonë. Turma shtinin nga tarracat përballë shkollës së Bashkuar, ku na u plagos edhe një oficer. Megjithatë, ngjarja e Shkollës së Bashkuar ishte ajo që e shpjeguam. Qëllimet e tyre ishin që ta nxirrnin shkollën jashtë e të akuzohej pastaj ushtria për gjakderdhje dhe nga kjo të përfitonte Partia Demokratike. Më pas të akuzohej Partia e Punës (PS), dhe të thuhej se PD e mori me gjak demokracinë, se ajo nuk iu dhurua. Ndërsa unë kam mendimin se pushteti iu dhurua dhe nuk e mori as me djersë, pa le me gjak! Pushtetin PD-së ja dhuroi vetë Ramiz Alia.
TË PAVËRTETAT E RAMIZ ALISË
Ramiz Alia thotë në një intervistë se ushtria do të marshonte drejt Tiranës dhe se ai e shpëtoi vendin nga gjakderdhja. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe ishte e pamundur të bëhej në ato situate, kur rezervistët që kompletonin ushtrinë, “marshonin” siç thashë, drejt kufirit e largoheshin si refugjatë nga Shqipëria. Atëherë shtrohet pyetja se cilat forca do të marshonin drejt Tiranës? Ku e paskësh marrë apo parë Ramiz Alia këtë informacion që unë, si ministër i Mbrojtjes nuk e dija? Në qoftë se ishte ashtu, do të thotë se unë nuk e kisha në dorë situatën. Atëherë pse e bëri këtë deklaratë Ramiz Alia? Përgjigja ime është se e bëri për të justifikuar shthurjen, anarkinë dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Domethënë i duhej një maskë për të mbuluar mangësitë dhe kjo maskë ishte ushtria. Pra, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me një pohim të sinqertë të Ramiz Alisë, por me të kundërtën. Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse urdhëroi për shumë kompani të specializuara që erdhën në Tiranë, pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato ama vlejnë për të akuzuar. Për mobilizimin e forcave nga Dibra, Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin, i cili edhe në shtëpinë e vet qëndronte ato ditë i armatosur me automatik e pistoletën në brez dhe plot krehra fishekësh mbi tavolinë… Për këto urdhra që jepeshin pa u konsultuar e pa objektiva duhet të japë shpjegime Ramiz Alia. Ju si lexues mund të pyesni; Po Kiço Mustaqi, si ministër i Mbrojtjes Popullore, ç’ bënte me këto urdhra? Mund t’ju përgjigjem se unë i zbatoja ato deri në atë pikë që nuk kishte rreziqe. Për shembull unë e zbatova urdhrin që kompania speciale të përqendrohet në Tiranë dhe të rrijë në gatishmëri. Nuk u jepja asnjë urdhër tjetër dhe i ktheja mbrapsht. Këto janë të dokumentuara, se përndryshe për mos zbatim urdhri arrestoheshe.
NËGATISHMËRI LUFTARAKE
Ora e saktë nuk më kujtohet…Kanë kaluar 20 vjet. por duhet të ketë qenë në orët e para të mëngjesit. Shkolla ndenji në gatishmëri një ditë e gjysmë, dy. Domethënë gjithë ditën, natën tjetër provokuesit ikën. Ikën sepse nuk mundën të rezistonin.
SI U HOQ RRETHIMI CIVIL I SHKOLLËS
Provokuesit, apo rebelët (s’di si t’i quaj), u larguan nga Shkolla e Bashkuar se panë qëndrimin e vendosur të saj. Panë qëndrimin e saj korrekt, që nuk binte në provokacion, panë se as shkolla, as Ministria e Mbrojtjes nuk mund të binin në kurthin e tyre. Edhe “dasma” pritej të bëhej brenda në shkollë, jo jashtë shkollës. Ata shpresonim që ne të dilnim jashtë mureve. Ndërsa ne prisnim të na vinin brenda e atje e ne do të mbroheshim. Do të mbrohej edhe me gjak. Këtë e përcaktonte ligji dhe statusi i saj. Ndërsa jashtë ne s’kishim punë. Sa më shumë të qëndronin ata jashtë, për ta ishte edhe diskreditim politik. Deri atëherë në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur, që turma civilësh të sulmojnë një repart ushtarak. Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan. Të sulmosh qeverinë, Televizionin, Komitetin Qendror, këto kishin një kuptim, por të merrje Shkollën e Bashkuar s’kishte kuptim. Ç’kuptim kishte të sulmoje një repart ushtarak. Ajo do të thotë të kërkosh gjakderdhje për të justifikuar rezistencën e madhe që ke pasur ti për të sjellë demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër, në qoftë se këtë e ka organizuar dikush i PPSH, atëherë ai e ka bërë për të fituar pikë, domethënë, shiko, të tillë ushtri kemi pasur, që e gjakoste njeriun, për të fituar vlera të tjera. Unë mendoj se më tepër këtë e kërkonte në atë kohë kundërshtari. Kam përshtypjen që ishin edhe të drejtuara, edhe të organizuara, por realiteti është që unë nuk e di kush i drejtonte forcat e tyre. Shkolla e Bashkuar ishte plotësisht në urdhrat dhe nën kompetencat e urdhrave të mia, kjo nuk diskutohet, domethënë s’kishte asnjë rrezik për të jashtmit. Ajo nuk do të sulmonte kurrë. Trupa e Shkollës pati durimin e jashtëzakonshëm që nuk goditi asnjeri edhe kur iu shkatërruan tërë muret dhe. Ajo u godit ngado, u godit madje edhe komanda, por prej asaj shkolle ushtarake nuk u vrau asnjë njeri. Nëse kjo do t’i kishte ndodhur një reparti apo shkolle ushtarake amerikane ruse, apo të çdo ushtrie tjetër do të ishin vrarë shumë njerëz. Shkolla e Bashkuar s’ka pse akuzohet. Faktet janë kokëforte. Dihet mirë kush e bëri sulmin. Ngjarjet janë fotografuar, janë filmuar ato ngjarje.
(Vijon)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Kiço Mustaqit, iash Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Çfarë ndodhi më 21 shkurt në Zall Herr. Si i dorëzuan teserat e Partisë së Punës oficerët tankistë në shenjë revolte se nuk u mbrojt bust ii Enverit
-Revolta në Skrapar, biseda me sekretarin e parë Elmaz Puto dhe debatet që bëri Kiço Mustaqi me Ramiz Alinë për situatën atje.
-Kiço Mustaqi: Rrethimi i Shkollës së Bashkuar nga popullata e irrituar, vendimi i Ramiz Alisë për emërimin e Manxhar Binajt si Ministër Mbrojtje dhe pse e kundërshtova prerë.
-Urdhri për kalimin në gatishmëri luftarake të reparteve të Tiranës dhe situate e rënduar nëpër njësi e reparte.