Qeveria rrit borxhin me 510 milionë euro në tregun e brendshëm

389
Sigal

 

Qeveria shqiptare do të dalë në tregun e brendshëm të borxhit duke emetuar rreth 63 mld lekë tituj qeveritarë, bono thesari dhe obligacione, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, sipas kalendarit zyrtar. Kjo shumë përkthehet në rreth 510 milionë euro borxh në tregun e brendshëm. Po t`i shtojmë shumën që i takon Bankës së Shqipërisë, prej rreth 17.2 mld lekësh, totali shkon në 80 miliardë lekë, ose rreth 650 mln euro. Deri më tani është kryer dalja në treg me bono thesari në dy ankande të datës 5 janar të këtij viti, me maturim 12 dhe 3 mujor, për një vlerë totale prej rreth 9 miliardë lekësh, me një normë mesatare interesi prej 1.85% për bonon 12 mujore dhe rreth 1% për atë me maturim 3-mujor, tregojnë të dhënat nga ankandi i fundit, ku kërkesa ka qenë aq sa oferta.

Të dyja këto ankande kanë qenë emetim borxhi nga ana e Ministrisë së Financave. Sa i përket kalendarit të 3 muajve të parë të vitit, nga rreth 80 mld lekë emetim i ri borxhi, rreth 21.5% janë të bankës së Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër i takon qeverisë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, vetëm për bonot e thesarit, pritet një rritje e ndjeshme, me rreth 36% e huamarrjes nga qeveria shqiptare.

Titujt qeveritare janë  instrumente  borxhi të cilët emetohen  dhe  garantohen  nga  Qeveria  e Republikës së Shqipërisë. Ministria e Financave emeton rregullisht në treg nëpërmjet ankandeve tituj qeveritare, të cilët mund të blihen nga individët. Avantazhet e investimit në këto tituj janë: Normë interesi e përftuar më e lartë se alternativat e tjera të investimit, siguri shumë e lartë, të tregëtueshëm menjëherë në tregun sekondar. Individët mund të përfshihen në këto ankande nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, postës shqiptare si dhe 8 bankave të nivelit të dytë që janë të licensuara nga AMF. Për bonot e thesarit, ankandet e fundit flasin për norma interesi deri në 2%, ndërkohë që për obligacionet ngjiten edhe mbi 5%, në varësi të maturimit, i cili mund të jetë deri në 10 vjet.