Pse gratë në udhëheqje, e kanë menaxhuar shumë më mirë pandeminë sesa burrat?

396
Sigal

Nga Andreas Kluth

Provat janë më se të qarta: Të paktën gjatë valës së parë të Covid-19, vendet që kanë në krye udhëheqëse gra, kanë pasur një shkallë shumë më të ulët të vdekjeve, sesa vendet e tjera që drejtohen aktualisht nga burrat.

Kjo nuk do të thotë, se kjo prirje do të vazhdojë domosdoshmërisht edhe gjatë një vale të dytë apo të tretë të pandemisë. Dhe as nuk nënkupton se gratë janë gjithashtu udhëheqëse më të mira, kur është fjala për çfarëdolloj aspekti tjetër të qeverisjes, që nga reformimi i tregjeve të punës, e deri tek lufta.

Por gjithsesi ia vlen të meditohet mbi performancën e tyre dukshëm më pozitive, përballë krizës aktuale. Dhe në këtë mënyrë, është sigurisht joshëse të zbresësh në fushën e stereotipeve gjinore dhe skicimeve individuale. Donald Trump, presidenti i vendit me më shumë vdekje nga Covid-19 në botë, ka komunikuar përmes një maskilizmi arrogant, duke nxitur reagime të shumta, nga tronditja deri tek satirizimi i tij.

Zhair Bolsonaro, presidenti i Brazilit, vendi i dytë më botë me më shumë vdekje nga koronavirusi, e cilësoi në fillim sëmundjen si një “grip të vogël”. Në të kundërt, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në përgjithësi e ka menaxhuar mirë pandeminë, ka bërë përshtypje me shpjegimet publike që ka thënë mbi faktorin epidemiologjik R0, duke u bë “virale” për maturinë dhe qartësinë e shifrave që jep.

Siguruese dhe të besueshme

Xhakinda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, vend që ka regjistruar deri tani vetëm 22 të vdekur nga Covid-19, ka komunikuar vazhdimisht me publikun përmes Facebook Live nga shtëpia e saj në një mënyrë të thjeshtë dhe ndërvepruese, por nga ana tjetër edhe siguruese dhe të besueshme.

Kryeministrja e Norvegjisë Erna Solberg, vend që ka deri tani 264 të vdekur nga pandemia, u ka thënë fëmijëve të vendit të saj se “është normale të frikësohesh, kur kaq shumë gjëra ndodhin në të njëjtën kohë”, duke pranuar cënueshmërinë, edhe kur sjellja e saj dominohet nga kompetenca.

Por në një analizë të re globale, Suprija Garikipati e Universitetit të Liverpilit dhe Uma Kambampati e Universitetit të Ridingut në Britaninë e Madhe, e shmang fokusimin në histori të veçanta. Duke përdorur të dhënat deri më 19 maj, ato krahasuan 19 vendet e udhëhequra nga gratë me “fqinjët e tyre më të afërt”, sipas një përzierje faktorësh duke përfshirë popullsinë, ekonominë, barazinë gjinore, hapjen ndaj udhëtimeve, shpenzimeve në shëndetësi dhe përqindjen e njerëzve të moshuar.

Ata nuk mundën të përdornin në këtë studim Tajvanin (me vetëm 7 vdekje nga Covid-19), që drejtohet nga një grua, pasi nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Përfundimi i tyre ishte i qartë:Mesatarisht, vendet e drejtuara nga gratë, parën 2 herë më pak vdekje nga Covid-19, sesa vendet e qeverisura nga burrat.

Dhe në krahasimet individuale, vendet e drejtuara nga gratë dolën më mirë sesa ato të drejtuara nga burrat. Po përse ky ndryshim? Një pjesë e përgjigjes, është se gratë udhëheqëse urdhëruan në përgjithësi vendosjen e masave bllokuese shumë më herët, duke “rrafshuar kurbat” e epidemive në vendet e tyre.

Marrja që herët e masave të ashpra kufizuese

Për shembull, Ardern e quan këtë qasje “të ashpër dhe herët në kohë”. Zelanda ka hyrë në një bllokim tjetër të përkohshëm, pas një morie rastesh të reja pas 100 ditësh pa asnjë rast të ri në mbarë vendin. Por kjo vetëm sa shtron pyetjen, se përse gratë kanë prirjen të marrin më shpejt vendimet e vështira se sa burrat.

Një arsye mund të jetë se gratë e durojnë më pak presionin nga rreziku, sikurse e vërtetojnë edhe shumica e studimeve. Por zgjedhja me të cilën u përballen udhëheqësit këtë pranverë, nuk ishte thjesht midis pak apo më shumë rreziku.

Ishte një lloj pazari midis një rreziku të madh, ai për jetën, dhe një tjetri, ai i rënies ekonomike. Pra, ndryshimi midis burrave dhe grave, siç theksojnë autorët e studimit, ishte që gratë rrezikuan më pak me jetën e njerëzve dhe më shumë me ekonominë kombëtare, ndërsa liderët burra bënë të kundërtën.

Natyrisht me kalimin e kohës, vdekja dhe rënia ekonomike ndërthuren me njëra-tjetrën.

Kjo ka qenë e vështirë që të provohet, por studiuesit ende po studiojnë nëse gratë sjellin në fakt më shumë ndjeshmëri në udhëheqje, apo ato përdorin më shumë informacionet emocionale në vendimmarrjen e tyre.

Një qasje ndër-personale, empatike dhe pjesëmarrëse, sigurisht që ndihmon në menaxhimin e një pandemie. Kjo kërkon ndërtimin dhe ruajtjen e një konsensusi, sipas të cilit kërcënimi është serioz, se sakrificat janë të nevojshme për të mbrojtur të tjerët, dhe se liritë individuale duhet të drejtpeshohen në raport me nga konsideratat e shëndetit publik.

Dhe ai lloj dialogu me qytetarët, duket të jetë veçanërisht i vështirë për udhëheqësit autoritarë, dhe relativisht më i lehtë për udhëheqësit e tjerë, gra apo bura qofshin. Krahasimet midis gjinive, bëhen gjithnjë e më frustruese apo degradojnë në stereotipe të njohura.

Nuk e kemi idenë se si e “Zonja e Hekurt”, e ndjera Margaret Theçër – apo Mbretëresha Britanike Budika, që mposhti dikur disa legjione romake – do ta kishte menaxhuar Covid-19. Në udhëheqje, karakteri dhe talenti individual dominojnë me siguri mbi gjininë dhe gjithçka tjetër.

Thënë këtë, modeli i deritanishëm gjatë kësaj pandemie, sugjeron se bota mund ta përdorë shumë më tepër udhëheqjen femërore. Me vetëm 19 vende nga 193 të OKB-së të drejtuara nga gratë, ka shumë hapësirë ​​për përmirësime.

“Bloomberg”