Prof.Dr. Alqi Naqellari: Edhe studiuesit amerikan ju referohen shqiptarëve, ja modeli ekonomik në Shqipëri që lejon zaptimin nga oligarkëy

63
Sigal

 

Ja si propaganda e qeverisë po diferencon popullin shqiptar nga turistët. Qeveria nuk pranon asgjë me moton përgjegjësia është personale , edhe pse kemi një seri projektesh abuzive nga sterelizimi te inceneratorët

 Titulli i këtij artikulli duket sikur nuk ka ndonjë interes për masën e gjerë të popullit, por ka interes për një grup që merren me studime. Në fakt nuk është kështu, në këtë artikull do tregojmë se studimet kanë rëndësi për masën e gjerë të popullit dhe se janë plotësisht në mbrojtje të interesave të tyre; do shtjellojmë efektet e tij, jo se nuk ka të tjerë, por ka një gjë të veçantë, sepse ky punim shkencor është marrë si referencë për diskutim për pjerrësinë e kurbës së kërkesës agregate.

Studjuesi amerikan Michael P. Niemira ka përfshirë referencën për diskutim të punimit tim shkencor “Positive Slope Model of Aggregate Demand,” Academic Journal of Interdisciplinary Studies, vol. 7, no. 3 (November 2018) në librin e tij me titull PRACTICAL ECONOMICS FOR NON – ECONOMISTS, A QUESTION –AND-ANSËER APROACH (Faqe 216 fusnota 31) ku ndër të tjera shkruhet: “Një përpjekje tjetër për të realizuar një kurbë të kërkesës agregate me pjerrësi pozitive është në një punim që analizon ekonominë shqiptare, Naqellari argumenton një model teorik më të përshtatshëm ku kërkesa agregate (AD) dhe oferta agregate (SRAS) ka si AD ashtu edhe SRAS pjerrësi pozitive (me pjerrësi të ndryshme) dhe se nuk ka domosdoshmërisht një kryqëzim të AD dhe SRAS, megjithëse mund të ketë ende një “ekuilibër të paqëndrueshëm, i cili mesa duket është në pikën e PBB-së reale ex-post për një moment në kohë…”. Komenti është plot një e treta e faqes.

Thuajse të gjithë artikujt shkencor që kam shkruar i kam prezantuar te gazeta ‘Telegraf’, por pa bërë komente dhe pa thënë se sa studiues të huaj i kanë lexuar dhe kush studiues i ka cituar. Ky punim që po prezantoj është me shumë interes edhe sepse libri i amerikanit sipas google: “prezanton blloqet ndërtuese të të menduarit makroekonomik dhe sfidon lexuesin të zbatojë këto njohuri për të mësuar pse ekonomistët thonë atë që bëjnë dhe çfarë i udhëzon politikëbërësit e ekonomisë. Duke lidhur të dhënat aktuale me konceptet teorike, ai eksploron teoritë konkurruese ekonomike dhe zbulon disa nga polemikat kryesore në teorinë makroekonomike dhe se si perspektiva të ndryshme çojnë në rekomandime alternative dhe shumë të ndryshme të politikave…”.

Në Shqipëri ka shumë shqiptarë që shkruajnë artikuj shkencor të denjë për të konkuruar me studiuesit e huaj, me profesorë dhe akademikë, por për fat të keq rëndësinë e tyre dhe njohjen e tyre e dinë dhe e bëjnë të huajt dhe jo shteti shqiptar. Nuk kanë Ministritë Departamente që të merren me kërkimet shkencore të linjës së tyre, brenda dhe jashtë vendit? Përkundrazi kanë individë, që merrem me gazetat se kush ia ka përmendur emrin. Në këtë mënyrë punimet shkencore të kërkuesve shqiptar që botohen në revista shkencore jashtë vendit nuk i lexon askush dhe nuk i zbaton askush.

Studiuesve shqiptarë punimet shkencore u duhen vetëm për të plotësuar kushtet për të fitur tituj dhe grada shkencore, sepse qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera shtetërore nuk ju hyjnë në punë për asgjë pavarësisht se kanë rëndësi absolute jo vetëm për mendimin shkencor në fusha të ndryshme, por kanë rëndësi praktike për t’u zbatuar konkretisht nga qeveria, Banka Qëndrore, institucionet e tjera shtetërore të pavarura apo nga biznesi.

1)Çfarë ka në përmbajtje ky punim shkencor dhe pse i intereson masës së gjerë të popullit?

Në këtë punim është provuar për ekonominë shqiptare se kurba e kërkesës agregate është me pjerrësi pozitive. Ky konkluzion bie ndesh me teorinë e sotme makroekonomike që përgjithësisht është Keynsianiste. Në tekstet e Makroekonomisë në të gjithë universitetet dhe vendet e botës thuhet se kurba e kërkesës agregate është me pjerrësi negative. Kjo teori ju intereson vendeve të mëdha dhe të pasura, por jo vendeve të vogla dhe të varfra si Shqipëria. Vendet e mëdha dhe të pasura kërkojnë të eksportojnë kapitalin dhe “demokracinë”, të japin borxhe dhe të kontrollojnë shpenzimet, kërkojnë të vendosin në plan të parë konsumin dhe eleminimin e kursimeve, rritjen e shpenzimeve qeveritare dhe borxhin publik. Ky këndvështrim është tipik Keynsian që nuk i intereson fare një vendi si Shqipëria me pasuri të pamata nën e mbi tokësore. Sipas Keynsianistëve vendi zhvillohet duke rritur shpenzimet qeveritare duke marrë borxhe. Pikërisht modeli makroekonomik me kurbë kërkese negative e bën këtë pikëpamje efektive, që do të thotë se sa më shumë të rriten shpenzimet qeveritare aq më shumë do rritet ekonomia.

Më poshtë po interpretojmë modelin Keynsian ekzistues që ju intereson vendeve të mëdha.

Në teorinë Keynsiane kemi këtë model ekonomik për një vend hipotetik.

SRAS është kurba e ofertës agregate, AD është kurba e kërkesës agregate. Në boshtin e X-ve kemi vendosur Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) real, ndërsa në boshtin e Y-ve kemi vendosur çmimin agregat. Me G shënohen shpenzimet qeveritare. Fillimisht ekonomia është në ekuilibër në pikën E1 ku kryqëzohen kurba AD dhe AS me PBB real 30 mld dhe çmim mesatar 30 lekë. AE(AD e fiksuar për një sasi dhe çmim të caktuar agregat)= C + I + G + NX, ku C= janë shpenzimet e konsumatorëve, qeverisë dhe OJF-ve për mallra konsumi përfundimtar, I= shpenzimet bruto të biznesit, G= shpenzimet qeveritare dhe NX=eksport neto. Prej modelit të mësipërm shikojmë se nëse rritet njëra prej këtyre pjesëve të AE do rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto. Kështu nëse do rriten shpenzimet qeveritare do rritet edhe PBB, për pasojë do rritet edhe ekonomia shqiptare. Në rastin konkret u rritën shpenzimet qeveritare me 12 mld dhe prodhimi real u rrit me 10 mld. Kjo nënkupton faktin (sipas këtij modeli Keynsian) që sa herë qeveria rrit pagat do rritet prodhimi. Kur qeveria dyfishoi pagat e deputetëve dhe rriti pagat e administratës duhej të ishte rritur prodhimi, duhej të ishte rritur ekonomia. Sa herë që qeveria merr nga 500 apo 600 milion dollar, apo euro borxh duhet të rritet ekonomia. Dhe kjo rritje sipas Keynsianistëve bëhet duke u shumzuar me një koeficient, që quhet multiplikator. Konkretisht le të shikojmë sesa duhej të ishte rritur ekonomia shqiptare nga marrja borxh e 500 milion eurove. Multiplikatori llogaritet 1/S ku S është prirja marxhinale për kursim. Kështu sa më të ulta të jenë kursimet, dhe sa më të larta të jenë shpenzimet për konsum aq më shumë do rritet multiplikatori dhe aq më shumë do rritet ekonomia. Në Shqipëri po e marr afërsisht 85/15 konsum/investime. Multiplikatori teorikisht do jetë afërsisht 6.6(1/0.15) dhe shtesa e prodhimit do jetë 6.6*50= 3,3 mld euro. Nëse supozojmë se PBB e Shqipërisë është 18 miliard euro atëhere rritja ekonomike duhej të ishte mbi 18%. Nëse marrim parasysh se janë marrë mbi 5 herë borxhe atëhere i takon që vetëm nga shpenzimet qeveritare (pa përfshirë shpenzimet nga të ardhurat nga taksat) ekonomia shqiptare nga 2010 deri sot duhet të ishte dyfishuar dhe po të përfshinim edhe shpenzimet autonome qeveritare duhej të ishte trefishuar. A ka ndodhur kjo gjë? Përgjigja është e thjeshtë, jo nuk ka ndodhur. Nga viti 2010 deri në vitin 2021 e ardhura kombëtare është rritur vetëm me 49% (1227mld/lek/ 1830mld/lek = 49%). Multiplikatori i thjeshtë duke marrë për bazë të ardhurat kombëtare dhe konsumin total në Shqipëri ka qenë për vitet 2010-2021, 2, 3.5, -1.4, 8.3, -1.3, 3.1, -8.7, 4, 4.2, -0.9, 2 dhe 1.9. Në 4 vite ka qenë negativ, në një vit të vetëm ka qenë 8.3, në dy vite 4.2 dhe 4. Më tej ka qenë më i vogël se 3.5. Kështu në ekonominë shqiptare ku në shumë raste MPC ka qenë më e madhe MPTR tregon se nëse të ardhurat janë rritur me 1 lek shpenzimi për konsum është rritur më shumë se 1. Kjo ndodh në Shqipëri dhe në vende me një sistem si të Shqipërisë.

Konkluzioni i analizës është i thjeshtë, modeli Keynsian nuk është i vërtetë, nuk është e vërtetë që rritja e shpenzimeve qeveritare çon në rritje të PBB-së. Kjo ndodh vetëm në raste kur investimet qeveritare bëhen në objekte prodhuese. Jo çdo investim rrit ekonominë. Rritja e pagave të deputetëve dhe administratës nuk do çojë në rritje ekonomike. Nëse rritja e pagave do çonte në rritje ekonomike atëhere qeveritari i parë le tua rrit pagat muaj për muaj administratës dhe nuk do kishte nevojë për prodhim, se prodhimi do rritej nga rritja e shpenzimeve.

Është kjo arsyeja që shtetarët e mbrojnë teorinë Keynsiane, sepse ajo justifikon shpenzimet që ata bëjnë dhe pretendojnë se është qeveria që rrit punësimin nëpërmjet shpenzimeve të saj duke mbuluar mungesën e investimeve si pasojë e rritjes së kursimeve në sektorin privat.

Modeli që është propozuar është si në figurën më poshtë ku rritja e shpenzimeve qeveritare nuk çon në rritje ekonomike, por çon në rritje të nivelit të çmimeve. Kjo gjë ndodhi edhe në rastin e rritjes së pagave nga qeveria. Pasoja kryesore e saj ishte rritja e nivelit të çmimeve. Ekonomia rritet nga rritja e investimeve të biznesit dhe jo nga rritja e shpenzimeve të konsumit apo rritja e shpenzimeve qeveritare.

Modeli AD-AS me kurbë kërkese agregate me pjerrësi pozitive që unë propozoj.

 

 

Të treja kurbat janë me pjerrësi pozitive. Kurba e PBB krijohet si pasojë e përplasjes së kurbës së kërkesës dhe ofertës agregate. Kurbat takohen, por janë me pjerrësi të njëjtë dhe jo njera me pjerrësi pozitive dhe tjetra me pjerrësi negative.

2) A i vlerësojnë qeveria shqiptare, institucionet shkencore dhe të pavarura punimet shkencore të studiuesve shqiptarë?

  1. a) Si i vlerëson qeveria? Në Shqipëri shtetarët tanë vlerësojnë dhe mbivlerësojnë të huajt duke fyer padrejtësisht mendimin shkencor shqiptar. Vlerësohen ata, që mbarojnë studimet jashtë dhe injorohen ata që mbarojnë studimet në Shqipëri, pavarësisht se janë me rezultate shumë të mira. Shtetarët janë mësuar që referencat t’i shikojnë nga autorë të huaj dhe nuk janë mësuar që të shikojnë autorët e huaj t’u referohen studjuesve shqiptarë. Qeveritari i parë kur flet për ekonominë, kur flet “për arritje në turizëm” me krenari thekson se këshilltarët i ka të huaj, i ka izraelit, gjerman ( ish këshilltarin e Angela Merkel), i ka anglez ( Toni Bler ish kryeministër i UK) etj. Qeveritari i parë i Shqipërisë i përçmon kaq shumë njerëzit e ditur të Shqipërisë saqë i krahason me intelektin e gjyshes së tij, “ këta nuk janë të zgjuar as sa gjyshja ime”. Kudo ku vete dhe mban fjalime me përbuzje thekson se këtu në sallë vetëm unë dhe kameramani nuk kemi master. Kaq herë i përsërit këto sa bëhet i neveritshëm. Çfarë kanë përfituar shqiptarët nga këta këshilltarë të qeveritarit të parë, që paguhen me miliona? Përgjigja është: Nuk kanë fitur asgjë, vetëm çfarë kanë humbur, sepse ata propagandojnë dhe zbatojnë teorinë Keynsiane, që stimulon shërbimet me të ardhura të shpejta, që stimulon turizmin duke lënë jashtë industrinë nxjerrëse e përpunuese.

Ata janë këshilltarë me korespodencë, që nuk e dinë sa fshatra ka Shqipëria dhe çfarë infrastrukture kanë, nuk i dinë burimet nëntokësore si janë shfrytëzuar dhe si po shfrytëzohen sot, nuk dinë se cili është efekti ekonomik i privatizimit, i PPP-ve i dhënies me koncesion të pasurive, nuk e njohin psikologjinë e popullit shqiptar duke e konsideruar si vend i botës së tretë që vijnë të na tregojnë edhe si “bëhet rakia e rrushit nga rrushi”, nuk jetojnë këtu dhe të marrin një pagë minimale që ta shikojnë nivelin e mirëqënies konkrete. Ata dhe propaganda e qeverisë po diferencojnë popullin shqiptar nga turistët. Po i shikojnë shqiptarët si lumpen në shërbim të turistëve. Po e shikojnë burimin e fitimit dhe rritjen e ekonomisë tek turistët. Turistët janë në plan të parë, janë gjithçka. Të vjen ndot kur dëgjon “u kënaqën turistët”, “kënduan, mbajtën iso turistët”, “hodhën valle turistët” dhe pastaj turistët që paskan kaq shumë para “po punojnë si kamarierë” dhe pastaj i shikon turistët e aventurës“ që ikin pa paguar nga sytë këmbët me vrap” si banditë, dhe pastaj shikon helikopterin, që kushton sa qimet e kokës të vejë të marrë nja dy turistë se mbetën në ferra, në një prua, dhe pastaj se një turisti i dhëmbi veshi. Turp e për faqe të zezë një trajtim i tillë. Një injorim i vendit tonë kur televizionet e huaja propagandojnë se në Shqipëri janë çmimet e lira. Çmimet janë të lira pikërisht për europianët dhe jo për shqiptarët ku mesatarja e një pensioni është 150 euro, ndërsa e një italiani 800 euro.

Pas 8 vjetësh prioriteti i turizmit dështoi me turp, qeveritari i parë ktheu kokën nga energjia, nga nafta dhe na dha haberin e Shpiragut, në një kohë që burimi i Shpiragut ishte zbuluar që në kohën e Enver Hoxhës. Turistët kanë ndikuar pak në rritjen e të ardhurave, por kanë ndikuar shumë në rritjen e çmimeve sidomos të gojës. Kanë ndikuar në ndotjen e lumenjve, të maleve e fushave, sepse të gjitha ambalazhet dhe mbeturinat i hedhin në natyrë.

Po a kanë folur intelektualët dhe studjuesit dhe profesorët për këto probleme? Po, kanë folur me zë të lartë, çdo ditë, por nuk i ka dëgjuar askush, qeveritari i parë zgjedh në drejtim njerëz të panjohur me shkolla dhe njohuri të dyshimta, që mund t’i shërbejnë kujtdo, por vetëm ekonomisë shqiptare dhe popullit shqiptar nuk i shërbejnë.

 

^^

 

Po për çfarë e kanë kundërshtuar intelektualët, studiuesit dhe profesorët shqiptarë qeverinë shqiptare? Ata janë me qindra, por unë do përmend disa prej tyre.

  1. Projektin e zhvillimit të 100 fshatrave turistikë. Nga mbi 2500 fshatra që ka Shqipëria qeveria mori përsipër të sistemojë 100 prej tyre. Ky projekt dështoi. KLSH është shprehur. “Programi i 100 fshatrave, si pjesë e Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020, nga ana e ministrive përgjegjëse nuk u krijuan struktura të posaçme, të cilat do të mundësonin administrimin, bashkërendimin, koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e programit të 100 fshatrave, sipas ndarjes së qartë të roleve. Ky program nuk është zbërthyer më tej në plane vjetore pune; si pasojë kanë munguar raportet e monitorimit për të ndjekur ecurinë e projektit në mënyrë të koordinuar”.
  2. Rritjen e pagave të deputetëve dhe të administratës publike. Ishte një veprim plotësisht i gabuar, i cili ka vetëm pasoja negative për ekonominë. Rritja e pagave vjen nga poshtë lart, nga biznesi te administrata publike dhe jo e kundërta. Ja mendimet e dy deputetëve të Parlamentit (gusht 2023). Erjon Braçe: “Mjerë ai që e sheh parlamentin si një institucion ku janë mbledhur një grup njerëzish që e kanë mendjen të vjedhin. Ky mentalitet lidhet me atë moment kur në Kuvend kanë hyrë njerëz që s’kanë asnjë lidhje me interesin publik, por interesin e biznesit të tyre apo të tyre personalin”. “Nëse duam të kthehemi tek një administratë ku duhet të sundojë merita, që vendi i punës nuk është qokë nga partia, por që vendi i punës mbahet vetëm me rezultatet. Të tepërtit të dalin jashtë. Të pa aftët të dalin jashtë. Të talentuarit, të marrin atë që u takon. Aparati shtetëror duhet të ruajë hierarkinë. Nga ana tjetër çdo punë e ndershme duhet të ketë dhe dinjitetin e vet. Do të duhet të ruajmë hierarkinë nga presidenti, deri tek nënpunësi i fundit i administratës publike”, -tha Arbi Agalliu.
  3. Mosmbrojtjen e bizneseve eksportuese nga zhvlerësimi i euros. Sipas Deklaratës për shtyp të Shoqatës së Eksportuesve.(25/7/2013). “Gjatë gjithë kësaj periudhe, bizneset (sidomos ato eksportuese), kanë ndjekur rrugën institucionale për të adresuar rreziqet dhe për të bashkëpunuar me aktorët institucionalë për zgjidhjet, por është fakt që nuk ka patur asnjë progres (ndërsa regresi i kompanive eksportuese deri në faliment është realitet që agravon përditë). Për fat të keq, ekspertët dhe këshilltarët ekonomikë të institucioneve qendrore publike me të cilët është diskutuar katastrofa ekonomike për shkak të mbiçmimit të pakontrolluar e të pashpjegueshëm të lekut, nuk kanë reflektuar koshiencën e plotë mbi rëndësinë e situatës dhe dimensionet e pasojat ekonomike e sociale që mund të prodhojë ende në vijim kjo situatë”-
  4. Tecet lundruese të Vlorës ku shpenzohet 90 mijë dollarë në ditë. Sipas studjuesit dhe shkrimtarit G.Zile: “Anijet që do të prodhonin energji elektrike gjatë verës u ankoruan në portin e Zvërnecit më 9 shtator. Qysh nga kjo datë, duke iu referuar kontratës së lidhur (TEC-et janë marrë me qira për dy vjet) me shoqërinë amerikane qeveria do t’i paguajë kësaj qira 100.000 USD për çdo ditë. Deri në janar pa prodhuar asnjë ditë energji qeveria shqiptare do t’u paguajë TEC-ve lundruese 120 ditë x100.000 USD/ditë=12.000.000 USD. Për dy vjet prodhojnë ose jo energji kemi: 720 ditë x100.000USD/ditë=72.000.000 USD. Theksoj vetëm për qera. Nuk po llogarisim këtu sesa do ia blej KESH-i, TEC-ve kilovat/orën i detyruar nga kontrata, pavarësisht sa është çmimi në tregun e lirë. Anijet do të furnizohen nga toka dhe për këtë do të rrafshohen rreth 2(dy) ha pyll. Puna po vazhdon, por leja mjedisore nuk është dhënë ende nga ministria përkatëse, gjë që përbën shkelje të rëndë të legjislacionit shqiptar…”.
  5. Afera e portit të Durrësit. A.Ristani. Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar, rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi. Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë. Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE.

Ilir Meta: “ Nga një vlerësim i planit të financimit të projektit, duket qartë se kemi të bëjmë me një skemë tipike pastrimi parash. Vetëm me 6.8 % financim nga aksionerët dhe bankat, (të investimit 2 miliard euro), pra rreth 130 milion euro, realizohet një operacion qarkullimi prej 3.2 miliard euro. Nuk ka transparencë se cili është interesi publik i kësaj skeme pastrimi parash. Me statusin e investitorit strategjik të skemës, nuk është e qartë nëse TVSh e munguar do të jetë 20% e 2 miliard, rreth 400 milion euro. Pa përmendur 8% të infrastrukturës, 160 milion euro dhe 3% për të pastrehët 60 milion euro. Pra, rreth 600 milion euro që nuk hyjnë në shtet. Një ndërhyrje e tillë, cënon rëndë të ardhurat në buxhet dhe prish gjithë tregun e ndërtimit dhe kompanive të rregullta të ndërtimit. Interesi këtu është krejtësisht privat, pasi projekti nuk është infrastrukturë strategjike”.

  1. Afera e amnistisë fiskale. Ja si është shprehur ish deputeti Spartak Braho: “Amnistia fiskale është bankomati i disave që këmbëngulin për ta kryer, ku kemi fuqi të kontrollojmë pjesën e zezë të parave. S’kemi fuqi e struktura, duhet bërë por është akoma shumë shpejt. Edhe kanabisi nuk duhet legalizuar pa kaluar një diskutim të gjerë, duhet ta kontrollojë shteti me forcën e tij kanabisin. Që të bësh atë duhet të ndryshosh gjysmën e kodit penal, të nxjerrësh nga burgu të dënuarit, plus ligje të tjera. Si do mbash brenda ata që janë burgosur për 5 gram. Këta nuk kanë tru në kokë, do legalizoj kanabisin thotë dhe nuk merr përsipër ndryshimin e kodit penal”
  2. Afera e lejimit të kanabizimit.Prof. Arben Malaj.  “Është një investim i gabuar, në një kohë të gabuar dhe ndoshta për qëllimet të gabuara. Gjithçka paraqitet me faktin që do të sjellë të ardhura në buxhet, do të sjellë punësim”.
  3. Afera e inceneratorëve.

9.Afera e sterilizimit, çek-apit.

Nuk vlen të zgjatemi, sepse për këto dy probleme dhe të tjera janë prononcuar me qindra veta për vite me rradhë. Qeveria nuk pranon asgjë me moton përgjegjësia është personale, a thua se këta ministra e ish ministra, drejtorë e shefa që janë të burgosur erdhën nga rruga, hapën derën dhe u futën në zyrat e ministrisë?

Në këtë shkrim renditëm një sërë problemesh, por ka edhe me dhjetra të tjera që prononcohen shqiptarët. Qeveria nuk dëgjon askënd përveç këshilltarëve të saj të huaj, që u bënë milionerë me paratë e shqiptarëve.