Mustafa Dedenika: Pse u shkatërrua plotësisht organizimi i pyjeve

586
Sigal

Në Francë në shekullin e VII-të, kishte ligje që dënonin  me vdekje gjuetinë e drerit, lepurit dhe derrit të egër.

Pse u shkatërrua plotësisht organizimi i pyjeve dhe pasojat

Gjatë vitit 1960-1990 janë pyllëzuar me investime 6500 ha, kurse me kontributin e fshatarësisë 2200 ha.

Sado larg që mund të ngjitemi në të kaluarën e shoqërive njerëzore e shohim pyllin të lozë një rol me rëndësi në historinë e njeriut. Stërgjyshërit tanë të parë thuhet se nga gjahu dhe frutat spontane të pyjeve nxirnin bazën e ushqimit të tyre. Ajo që është e sigurt është se të vjetrit kishin një respekt për pyllin, i cili e kishte origjinën në ndjenjën e thellë të dobisë së tyre. Qysh kur u pa gjatë historisë fillimi i prishjes së faunës dhe florës u vendosën ligje të shkruara dhe të pa shkruara. Që në kohën e qytetërimit babilonas kanë ekzistuar ligje të pa shkruara për mbrojtjen e florës dhe faunës. 240 vjet para erës së re, në Indi ekzistonte ligji që ndalonte vrasjen e kafshëve të egra pa mbushur 6 muajsh. Në Francë në shekullin e VII-të, kishte ligje që dënonin  me vdekje gjuetinë e drerit, lepurit dhe derrit të egër. Nga eksperienca e të kaluarës kemi mësuar se asnjë qytetërim nuk përparon po të mos përmirësohej pa pushim ambienti në të cilën zhvillohej, çdo keqësim i klimës është një e keqe drejt degradimit dhe zhdukjes. Pyjet sigurojnë  ekuilibrin klimatik, ruajtja e tyre është një zbatim themelor i parimit të detyrës shoqërore dhe i ligjit të solidaritetit që lidh tërë gjeneratat njerëzore. Besimi instiktiv, adhurimi fetar i popujve primitivë për pyllin ia ka lënë vendin respektit që rrjedh nga arsyeja dhe shkenca. Në të vërtetë, shpyllëzimet (qoftë nga prerjet pa kritere, sidomos zjarret) janë nga më të këqjiat e më të rrezikshmet që i kërcënohen njerëzimit, pyjet janë harmonizimi i natyrës dhe i jetës. Pyjet kanë një rëndësi të madhe ekonomike jo vetëm në ndërtime, por edhe në industrinë kimike e farmaceutike, në çdo qelizë të jetës. Sa për njohuri, sado që është shtuar shumë përdorimi i metalit për ndërtimin e anijeve, konsumi i drurit është më i madh se ai kohës së anijeve me vela. Ka të dhëna se për ndërtimin e një vapori Trans-Oqeanik, përdoren deri në 3000 m3 lëndë druri. Nga të dhënat e vitit 1998 për prodhimin e letrës, që tani konsumi ka arritur 12000000 ton që barazohet me 72000000-84000000 m3 lëndë drusore e klasit të parë halor, kryesisht e bredhit të zi dhe plepave hibride cilësore.

Gjendja e pyjeve para vitit 1944 në rrethin e Vlorës:

Sipërfaqja e pyjeve ka qenë 44500 ha, të vendosura pothuaj në tërë territorin nga kuota: 15 m mbi nivelin e detit deri në 1500 m. Ndërmjet grykës së Vjosës dhe detit Adriatik, në ultësira dhe lugina kanë qenë vendosur pyjet fushorë  të përfaqësuar nga pishat bregdetare, siç është rasti i Pishë-Poros me sipërfaqe 1000 ha. Në veri të saj dhe anës lumit  Vjosë pyjet me frashër, verri, vidh, duke vazhduar brezi dhe me plep të bardhë e plep të zi dhe shelg. Në kodrat dhe luginat e Mesaplikut dhe të Dukatit ishin vendosur dushkajat që zinin një sipërfaqe prej 27%. Në brezin bregdetar deri në lartësinë 300 m ishin vendosur makjet përfaqësuar nga marrja, shqopa, përralli dhe bashkë me to shtrihet  brezi i valanidhit, dru industrial shumë i vlerësuar në atë kohë. Mbi lartësinë 700 m ndodhen formacionet e pishës së zezë, që në shumë raste janë përzier me panjën dhe mëllezën, më lart ndodhet bredhi, mbi këtë kufi, shtrihen kullotat alpine jugore. Deri në krijimin e shërbimit pyjor, pyjet dhe kullotat, janë administruar sipas ligjeve të pleqësisë, si ato private dhe ato kolektive, kurse sipërfaqet shtetërore nuk prekeshin duke respektuar thënien “Mall Belik”. Në 27 janar të vitit 1923, është dekretuar ligji i pyjeve dhe kullotave, duke krijuar një administratë qendrore pranë Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë duke e kompletuar me ligjet dhe të drejtat e tyre, njëkohësisht dhe me kuadër të policisë pyjore.

Përsa i përket pyjeve komunalë dhe privatë personeli zgjidhej nga Bashkia, Komuna, mbasi organizimi ishte në bazë Prefekturë, Bashki e Komunë. Në rrethin tonë kujtohen si pylltar të parë qysh nga viti 1927, Avdul Zaimi në Vlorë, kurse në zonën e Dukatit dhe kryesisht në Llogora, si qendër shfrytëzimi, ka qënë Baba Aliu me Isak Zenelin që kanë pasur zyra të përbashkëta me xhandarmërinë.  Me ardhjen e Italisë u vendos De Lluka një specialist Italian, i cili tentoi të bënte dhe pyllëzimet e para në vitin 1942. Në rrethin e Vlorës në këtë periudhë kanë punuar Mahmut Veliu dhe Micol Koka, me kurse. Të moçmit kujtojnë rigorozitetin e zbatimit të ligjit qoftë për kullotje, qoftë edhe për prerje, që përveç gjobës kishte dhe dënim me burg. Shfrytëzimi i pyjeve ka filluar qysh në vitin 1920 me vendosjen e një sharre uji në Rodhinë, Llogora nga Avram Muzaka me origjinë shkodran, lënda e prerë transportohej me teleferik, në stacionin e përpunimit. Në Llogora kanë qenë të vendosura një grup sharrash shirit, punonin me naftë dhe njihej si pronar Petraq Kedhi dhe më vonë Dhimitër Konomi, i cili ka ngritur dhe një sharrë në Shata. Transporti i lëndës bëhej me dekovil në Gjikspiro, më poshtë lënda tërhiqej me qe që ishin të mbathur me patkonj në formë u-je, gjithashtu ishte instaluar dhe një teleferik. Megjithatë duhet pranuar se shfrytëzimi është bërë më herët, mbasi ka ekzistuar një grup sharrash me qendër në Kozor (Dukat) që punonin me ujë, i cili merrej nga Rodhina  me anë të një kanali jo më pak se 20 km, në një teren të vështirë dolomiti. Me tërmetin e vitit 1930 thuhet se u zhduk uji, si rezultat u ndërpre dhe aktiviteti i sharrave. Para çlirimit në Shqipëri kanë qenë 6 kuadro të lartë dhe ata ishin të gjithë nga Korça. Mbas çlirimit gradualisht sektori  i  pyjeve  u organizua dhe mori  perfeksionim  të plotë mbas vitit 1964, që mbaruan dhe kuadrot e para të lartë  brenda vendit. Kurse kuadrot e mesme ju vunë në shërbim të ekonomisë pyjore që në vitin 1952,  nga të cilët mund të përmendim: Gjikë Baka, Arshi Rama, Avni Hysa, Rami Dyrmishi, Muhamet Kojani, Çobo Mehmeti, duke vazhduar më vonë Mustafa Dedenika, Xhafer Roka, Kajtaz Laze e Sehit Vangjeli. Drejtimin e sektorit pyjor mbas çlirimit e kanë drejtuar njerëz me kurse: në Llogora Enver Ruci, në Himarë Ciko Marashi dhe Nasho Garo të cilët kanë bërë dhe pyllëzimet e para me selvi e valanidhë qysh në vitin 1951 në Parasporë, në zonën e Myzeqesë, Sami Lazaj, Neki Llanaj, në Treblovë-Selenicë Veliko Shameti, në grykën e Mesaplikut dhe të Kotës Haredin Resuli, Sherif Bajrami, Boco Zotaj,  Zeman Ferra etj. Deri në vitin 1961 pyjet kanë qenë të ndarë në shtetëror dhe kolektivë (komunalë). Pyjet komunalë administroheshin nga Seksioni i Bujqësisë.  Si më i parë në këtë sektor ishte Ahmet Gjata, kurse pyjet shtetëror nga Drejtoria e pyjeve Vlorë,  me zyra pyjesh në bazë qarku dhe rrethi, më vonë u bë unifikimi i tyre dhe u krijuan drejtori në çdo rreth, duke shënuar vitin 1970 me një aktivitet më kompleks. Drejtoritë pyjore nuk merreshin vetëm me mbrojtjen e mbarështrimin e pyjeve dhe faunës, por dhe me sistemimin e shfrytëzimin e pyjeve. Ato u shndërruan në ndërmarrje me veprimtari ekonomike- prodhuese me rëndësi në jetën ekonomike e shoqërore të vendit deri në vitin 1990. Jepte prodhime pylli për eksport: gjethe dafine 250 kv,  bimë mjekësore 30 kv, esenca 3000 litra, rrëshirë pishe 1050 kv, thupra shelgu bruto 1200 kv, bimë eterovajore të kultivuara 1200 kv. Në Pish-Poro u ndërtua një qendër rezervati për rritjen e fazanit për eksport me sipërfaqe 10 ha e rrethuar me 4000 copë bandiera me rrjet teli 900 ton, rrjet najloni 300 ton, një magazinë (depo) dy katëshe për mbajtjen e ushqimeve të fazanerisë me sipërfaqe 200 m2, një godinë për qëndrimin e personelit me sipërfaqe 100 m2, ,ku ishte vendosur dhe inkubatori për prodhimin e fazanëve blerë me valutë në Francë, jepeshin çdo vit 6000-7000 copë për eksport e 700  copë konsum i brendshëm.  Kishte 4500 bagëti të imta që jepnin 2500 kv qumësht e 350 kv mish.

Në sektorin e pyjeve punonin e drejtonin 550 punonjës, kurse në kullota 250 punonjës.

Drejtoritë  funksiononin me degë plani e llogarie, me degë teknike ku përfshiheshin disa seksione  si: pyllëzime, sistemime,  kadastra,  shfrytëzim e gjueti, bimë industrialo-mjekësore dhe mbrojtja (sektori i zonave të mbrojtura), shumë herë kanë pasur dhe degën e kullotave e cila nuk ka patur një qëndrueshmëri (mbasi shumë herë dilte më vete). Drejtoria administronte  gjashtë sektor ku kishte dhe gjashtë qendra të organizuara, me godina pyjore.  Ka patur dy fidanishte qendrore me 22 ha tokë në Xhyerinë dhe në Bishan dhe katër fidanishte provizore në bazë sektori. Ka administruar dy rezervate gjuetie: Pish-Poro për fazanin dhe rosën e egër me sipërfaqe 1650 ha nga e cila 650 ha janë sipërfaqe ujore,  Karaburuni – për rritjen e derrit të egër me sipërfaqe  5800 ha nga këto pyje 1200 ha, kurse pjesa tjetër kullotë dhe sipërfaqe bosh inproduktive. Gjithashtu administronte parkun e Llogorait  me sipërfaqe  950 ha i vlerësuar i tillë për pozicionin që ka, larminë e llojeve të bimëve dhe kontrastet e bukuria që krijonte me prioritetet për turizëm ekologjik. Mbas çlirimit u bënë shumë shfrytëzime për ndërtimin e vendit e sidomos shfrytëzime që dhe dëmtuan kryesisht dushkajet për shtylla miniere. Nga këto dushkaja mund të përmendim të Shalës, Mesaplikut, Tërbaç-Vranisht, Mazhar-Lapardha, Qafë Dushku, Buallare, Trubull etj. Por me ricungimet e bëra u rimëkëmbën. U shpyllëzuan për tokë buke shumë sipërfaqe në zonën fushore si në Poro, Dëllënjë, Novoselë, Petë dhe Valltua e Dukatit me sipërfaqe 600 ha. Si rezultat shumë lloje kanë ngelë si monument natyre (vidhi, frashëri i fushës, vërriu etj.) mbasi ju ndryshua stacioni. U prish dhe një ekuilibër biologjik dhe klimatik sidomos në Vallton e Dukatit. Megjithatë po të kemi parasysh thënien e njeriut të shquar amerikan: “Prerja e pyjeve solli zhvillimin, zhvillimi do të mendojë për krijimin dhe ruajtjen e tyre”. Nën kujdesin  e vazhdueshëm të Qeverisë, para ‘90, u arritën rezultate të mëdha. Në 40- vjet të punës tonë në këtë sektor, ka një bilanc të kënaqshëm, deri në vitin 1956 pyllëzimet kanë qenë të pakta,  të përqendruara në Kume, anës lumit Vjosë  dhe Himarë, kurse  përmirësimet kanë qenë më të shtrira duke aplikuar ricungimet në dushkajat e shfrytëzuara. Deri në vitin 1953 u bë dhe inventarizimi  i parë i pyjeve, sigurisht jo i plotë, për mungesë të kuadrit teknik; u bë inventarizimi një për një i drurëve industrialë sidomos i valanidhit, që për vlerën krahasohej me ullirin. Mbas vitit 1956,  punonin  dhe dy inxhinierë  pyjesh,  zotërinjtë  Vasil Shqau dhe Selfo Çakërri, në këtë periudhë  punonin dhe 7 teknikë të mesëm, mbi këtë bazë filloi mbarështrimi i zonave kryesore pyjore:  Pish-Poro dhe Llogora. Gjatë vitit 1960-1990,  janë pyllëzuar me investime 6500 ha, kurse me kontributin e fshatarësisë 2200 ha. Pyllëzimet janë bërë në vende ekstreme të varfëra sidomos pyllëzimi i brezit bregdetar me rreth 1500 ha, me teknikë të zgjedhur nga vetë personeli teknik dhe që ua kalonte dhe treguesve të vendeve që hiqeshin me eksperiencë në botë. Kanë vazhduar pyllëzimet e sipërfaqeve dolomite në Dukat, veshja e përrenjëve të Kotës,  Hotimes e Treblovës në Selenicë,  si dhe fusha e Selenicës. U pyllëzuan me shkurre  industriale Himara (me agavie), me plep u pyllëzua  zona e Beshishtit,  deri në derdhje të Vjosës,  me sipërfaqe 800 ha  dhe shumë rrugë e kanale nëpër fshatra. Nga viti 1969 mori zhvillim agro- pylltaria, e cila dha rezultate të kënaqshme pyllëzimi me plepa hibrid e kombinuar me bimë leguminoze.

 

              Pyllëzimet  anës lumit Vjosë, viti 1968-1971   

Gjendja pas viteve 1990

Përmirësimet gjatë viteve 1956-1990,  u kryen me investime 7000 ha dhe me kontributin e fshatarësisë rreth 3000 ha. Sistemime malore  me investime janë kryer  rreth 40000 m3, sidomos në zonën e Himarës dhe Qeparoit ku rezultatet kanë qenë më të kënaqshme  dhe veprat e artit dhanë rezultate të mira për mbrojtjen e fushës se Qeparoit. 25 vepra arti të tilla janë bërë dhe në përrenjtë  e Ujit të Ftohtë të cilat mbronin lagjen dhe rrugët kryesore përfund tyre, këto u kombinuan dhe me vepra biologjike. Vepra të tilla ka patur në të tërë rrethin po me intensitet më të vogël.

Rreth  30000 m3  sistemime janë bërë dhe nga fshatarësia me mjete të thjeshta.

Nga 33000 ha pyje që kishim është marrë mesatarisht çdo vit rreth 60000 m3 dru zjarri dhe  2000 m3 lëndë ndërtimi (të dhëna për vitin 1990). Në kullota nga 37000 ha sipërfaqe produktive janë ndërtuar mbi 60 lera të shpërndara në tërë territorin, të cilat kanë evituar shtegtimin e bagëtisë si dhe kanë ndihmuar faunën. Janë kryer dy inventarizime në tërë sipërfaqen pyjore e kullosore si dhe mbarështrimi i parkut Llogora dhe dy rezervate.  Përmirësime në kullotë në mijëra hektarë përmirësim kullote  si heqja e barërave të këqija e shkurreve të dëmshme si dhe plehërime.

Si është gjendja pas vitit 1990

Gjatë këtyre viteve pyjet janë goditur shumë rëndë dhe po të gjykojmë funksionet e tyre higjieno-sanitarë,  klimatikë  e shlodhës, estetik  e mbrojtës,  dëmi është tepër i madh. Në këtë periudhë prerjet pa kriter bënë kërdinë, zjarret shkrumbuan sipërfaqe të tëra pyjesh, duke u përsëritur dhe 3-4 herë në të njëjtin vend.

U shkatërrua pothuajse 70% pylli i Pish-Poros me prerje e zjarre.

 

Pylli i Kumes para 1990                                            Pylli i Kumes pas 1990

Po mbaron nga ndërtimet dhe prerjet barbare e zjarret mushkëria e qytetit, pylli i Kumes, është dëmtuar me ndërtime pa kriter pylli i Llogorait, duke ia ulur funksionet e tij. Vlen të theksohet se Llogoraja po mbrohet mirë deri më sot nga vetë  banorët e zonës. Janë djegur zona të tëra të pishës së zezë natyrale dhe të kultivuara, mbi 500 ha në Dukat dhe Çipin i Smokthinës, gratë smokthinjote vajtojnë  për këtë  katastrofë. Po humbasin funksionin pyjet e krijuara dhe në ato pjesë që kanë mbetur në Selenicë dhe Kotë. Si përfundim po e çojmë Rrethin  në një katastrofë ekologjike. Ka një sjelle vandale karshi pyjeve duke mos përfillur asnjë ligj. U shkatërrua organizimi i sektorit pyjor, tërë qendrat e sektorit pyjor u shkatërruan ose u zaptuan: Kallarati, Kota, Selenica, Novosela, Llogoraja dhe Himara. U prishë organizimi i Drejtorisë pyjore duke  u ndarë në 2-3 pjesë, personeli pyjor erdhi në qytet, pyjet s’mbrohen me kompjuterë, pylltari duhet të jetojë me drurët e kafshët e pyllit. Sa më pak qëndresë në kompjutra e sa më shumë qëndresë në pyje. Shumë nga personeli pyjor humbi respektin për profesionin dhe u tërhoq pas fitimit, një cilësi e lulëzuar këto 30 vjet, fitimin e shikoni në rrugë të gabuar. Është për të ardhur keq se si në vitin 1997 qendra e fazanerisë në Pish-Poro me treguesit e cituar më lartë në një kohë të shkurtër u shkatërrua, u përvetësua. Lind pyetja si nuk u bë një analizë nga personeli pyjor? Që për përvetësimin e saj kanë punuar shumë njerëz dhe mjete. Po 4500 bagëti të imta ç’u bënë, po dy destilator dhe 3 makineri që përdoreshin për ambalazhimin e bimëve eterovajore? Në vitin 1996 një grup inxhinierësh me eksperiencë të zgjedhur nga treva të ndryshme të vendit punuan me tre katër specialist të ardhur nga Europa për organizimin e sektorit pyjor, pse su zbatua por erdhi drejt çorganizimit? Pushtetar të ruajmë atë organizim që ka qenë rentabël në ekonomi e të mos vrapojmë qorrazi pas strukturimit. Duke përfunduar duhet të citoj një letër të fiseve Indiane banorë të dikurshëm të territorit të Uashingtonit, drejtuar Presidentit Amerikan në vitin 1854 (Fraklin Piris), mbasi u kishte kërkuar që të braktisnin hapësirën që jetonin dhe të mblidheshin në një rezervat për arsye se do të bëheshin kërkime për naftën. Letra është shkruar nga kryetari i fisit: “Si mundet të  blihet e të shitet qielli, ngrohtësia e tokës, freskia e ujit, çdo pjesë e kësaj toke është pjesë e popullit tim, ne jemi pjesë e tokës, ajo është pjesa jonë. Nëse e shesim tokën tonë do parashtrojmë një kusht: njeriu i bardhë domosdo të sillet mirë ndaj kafshëve në këtë tokë, t’i mësojnë fëmijët e tyre sikurse ne i kemi mësuar tanët, se toka është nëna jonë. Çdo gjë që do t’i ndodhë tokës, do t’i ndodhë dhe bijve të saj. Në se njerëzit e pështyjnë tokën, ata pështyjnë veten. As njeriu i bardhë s’do mund të largohet nga fati i përgjithshëm dhe ai do shkatërrohet, ndofta më shpejt nga të gjitha racat e tjera ”. Shënim: Materiali është përgatitur me rastin e 80 -vjetorit të shërbimit pyjor, me ndonjë plotësim të vogël më vonë. Ky material ndoshta ngacmon  pushtetin  për problemet e trajtuara në këtë material, se na brejti politika e injoranca.

Ing. në pension  Mustafa Dedenika