Ministri Ahmetaj, rrugë me fajde për 70 mln.euro, ndërsa Banka Europiane e ndërton për 8 mln.euro

547
Sigal

 

Koncesionari, me firmën e ministrit të fatkeqësive i’u zhvat shqiptarëve plot 62 milionë euro

Koncesioni i rrugës Orikum-Dukat, i pezulluar përkohësisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, është një prej koncesioneve më problematikë në vend.

Një auditim i thelluar i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me kontratën për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat, ka konstatuar një sërë shkeljesh serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare. Për shkeljet që janë depozituar edhe në SPAK nga deputetët e opozitës së re, KLSH-ja në raportin e thelluar, ngarkoi me përgjegjësi direkte ministrin e Ekonomisë së asaj kohe, Arben Ahmetajn dhe 6 zyrtarë të lartë.

Tenderi është fituar nga ofertuesi i pakërkuar i koncesionit, kompania “Gjikuria” për një vlerë prej 50.5 milionë euro. Por kjo vlerë përfshin vetëm koston e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës. Veç saj qeveria do t’i paguajë koncesionarit privat edhe interesat për 13 vjet, që në total sipas listës së paraqitur në projektbuxhetin e vitit 2019 sipas shqip.al, e çojnë faturën e rrugës 14.7 km të gjatë në 9.3 miliardë lekë ose rreth 70 milionë euro. Konkretisht, 1 km rrugë do u kushtojë shqiptarëve rreth 5 milionë euro.

Sipas kalkulimeve të ekspertëve dhe denoncimit të ish-deputetit të PD, Agron Shehaj kjo rrugë do kushtonte vetëm 8 milionë e 400 mijë euro dhe jo 70 milionë euro. Vetëm përmes kësaj skeme, mendohet se koncesionari, me firmën e Arben Ahmetajt, iu zhvat shqiptarëve plot 62 milionë euro.

Shkeljet e konstatuara

Sipas raportit zyrtar, ndër problemet e konstatura janë: Kompania ka deklaruar pamjaftueshmëri burimesh financiare për realizimin e projektit. Gjithashtu, rezulton se koncesionari ka shtrenjtuar kostot e projektit. Një tjetër shkelje, që ve në dyshim edhe vetë financimin e projektit, ka të bëjë me treguesit financiarë. Nga auditimi konstatohet se janë paraqitur dy vlera të ndryshme të financimit nga koncesionari dhe furnitorët. KLSH-ja thotë se nënshkrimi i kontratave në euro ekspozon buxhetin e shtetit në rreziqe nga humbjet e kursit të këmbimit. Kjo nënkupton se Ministria e Financave i ka hapur rrugë rritjes së pagesave nga buxheti i shtetit për këtë projekt koncesionar, çka do të thotë që shqiptarët mund të paguajnë më shumë për rrugën.

KLSH-ja ka konstatuar shkelje në studimin e fizibilitetit, ku konstatohet se parashikimi i kërkesave për përdorimin e rrugës është kryer mbi të dhëna historike jo të plota, ku në disa raste përdoren të dhëna të vitit 2010.

Kostot e shpronësimit të projektit PPP-ve,  rezultojnë të mos jenë parashikuar në studimin e fizibilitetit, të cilat duhet të jenë në formën e kostove të investimit për të ndodhur përpara fillimit të punimeve.

Një tjetër shkelje në koncesion është se kompania ndërtuese, sipas raportit të KLSH-së, ka pamjaftueshmëri burimesh për financimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës gjatë fazës së projektit.

Konkretisht, faza e ndërtimit dhe e mirëmbajtjes kërkon 50 575 020 euro, ndërkohë që kapitali i propozuar përfshin financimin e një investimi në shumën 49 586 864 euro, me financim 22 636 742 euro nga kapitali i kompanisë dhe 26 950 122 euro me hua nga bankat. Siç shihet ka pamjaftueshmëri burimesh financiare për realizimin e projektit, por kjo nuk e ka penguar MFE-në të nënshkruajë kontratën. Pamjaftueshmëri burimesh financiare konstatohen edhe për periudhën e mirëmbajtjes, ku nevojat për financime janë në shumën 7 131 787 euro ndërkohë që kapitali i propozuar për t’u injektuar nga kompania është 6 490 702 euro. Shkelje janë konstatuar edhe në procedurën që do ndiqet në vitin e parë të investimit, ku burimet e financimit në total për vitin e parë janë 9 896 189 euro, kur nevoja për flukes dalëse vlerësohet në 7 024 628 euro, duke krijuar një tepricë të panevojshme prej 2 871 651 euro. Kjo sjell një tepricë likuiditeti në vitin e parë prej 2 871 651 euro duke angazhuar shpenzime interesi të panevojshme dhe në të njëjtën kohë vendosin në diskutim kapitalin e operatorit privat.

Shtrenjtimi i kostove të projektit

Një tjetër shkelje ka të bëjë me faktin se koncesionari ka shtrenjtuar kostot e projektit, pasi vlera reale e investimit në këtë projekt është 18 milionë euro dhe jo 22 milion siç pretendon koncesionari. Nga auditimi konstatohet se është parashikuar për t’u investuar e gjithë vlera e kostos së ndërtimit duke përshfshirë edhe fitimin e operatorin privat. Kësisoj vlera e investimit është më e ulët se 22 milionë euro, pasi për pjesën e ndërtimit, subjekti do të gjenerojë fitime.

Treguesit financiarë të projektit

Një tjetër shkelje, që vë në dyshim edhe vetë financimin e projektit, ka të bëjë me treguesit financiare. Nga auditimi konstatohet se janë paraqitur dy vlera të ndryshme të financimit nga koncesionari dhe furnitorët. Konkretisht, në faqen 55 të studimit të fizibilitetit, deklarohet se koncesionari do të financojë projektin nëpërmjet 19 846 040 euro kapital të shoqërisë dhe të furnitorëve, në ndryshim nga sa ka thënë në deklarimin e burimeve të financimit ku ka deklaruar se kapitali i kompanisë dhe i furnitorëve do të jetë 22 636 722.

Të gjitha këto, janë shkelje të mjaftueshme për të nisur hetim të thelluar nga ana e SPAK-ut, struktura ku të gjithë shqiptarët i kanë drejtuar sytë.

Abuzimi 62 milionë euro që u “zbulua” përmes BERZH-it

Ndërtimi i rrugës Vlorë-Dukat është ndarë në dy segmente, ku pjesa e parë e rrugës Vlorë- Orikum do të ndërtohet nga BERZH-i, ndërsa segmenti Orikum-Dukat është dhënë me koncesion.

Për aksin 10.6 km që do të ndërtohen nga BERZH-i, një kilometër, do ketë kosto rreth 600 mijë euro, ndërsa aksi që është dhënë me PPP-ë,  ka shifrën 5 milionë euro për kilometër.

Sipas ish-deputetit të PD-së, Agron Shehaj, nëse edhe ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat do ishte bërë nga BERZH-i dhe jo nga koncesionari, rruga do kushtonte vetëm 8 milionë e 400 mijë euro dhe jo 70 milionë euro. Vetëm përmes kësaj skeme, koncesionari me firmën e “tigrit” Arben Ahmetaj, iu zhvat shqiptarëve plot 62 milionë euro. Tashmë “topi” është në fushën e SPAK-ut, ndërsa shqiptarët presin transparencë të plotë se ku shkojnë paratë e tyre që vilen përmes taksave.