Kreditë e këqija dhe norma e interesit e çuan vendin në greminë, ja rrugët ligjore për t’u mbrojtur qytetarët

1109
Sigal

INTERVISTA/Flet Avokat Idajet Beqiri, për rritjen e kredive të këqija dhe masat juridike që duhen marrë

Rritja e kredive të këqija është kthyer në një shqetësim real për ekonominë tonë. Problem, i cili vjen në rritje nga viti në vit. Rritja e kredive të këqija, norma e lartë e interesit ka bërë që të ulet ndejshëm edhe numri i personave që marrin kredi. Në lidhje me situatën e krijuar dhe rrugët ligjore që mund të ndiqen kur abuzohet nga bankat ka folur në një intervistë për “Telegraf”, avokati Idajet Beqiri.

-Është vënë re një rritje e numrit të kredive të këqija, si e shikoni këtë dukuri?

– Vendit tonë nuk i bëjnë tashmë shumë përshtypje lajmet e këqija. Ato janë aq të shumta, sa njerëzit janë mësuar me të keqen dhe nuk u bënë shumë përshtypje. Në fakt janë aq të shumta lajmet e këqija, sa vërtetë duhet të shqetësohemi tepër seriozisht. Jemi në buzë të greminës për shumëçka, por lajmi më i zi janë rritja e frikshme që po pësojnë kreditë e këqija. Gjatë vitit 2011 e në vazhdim, gazeta juaj e ka trajtuar me shqetësimin dhe seriozitetin e duhur këtë fenomen. Kemi të bëjmë realisht me një dukuri e cila po e varros përfundimisht ekonominë dhe financat e këtij vendi. E dini çdo të thotë që për vitin 2011 një vend i vogël, si Shqipëria, të kishte 650 milionë euro kredi të këqija? Dhe e dini sa e rëndë është që, pas një viti, këto kredi të këqija, në vend që të uleshin, dhe të mos i bëheshin edhe më tej një barrë e rëndë bilanceve të bankave në vend, ato janë rritur edhe 24 për qind më shumë, duke kapur shifrën trishtuese prej  881 milion euro? Nëse do të marrim në konsideratë edhe detyrimet që biznesmenët i kanë njeri-tjetrit, atëherë borxhi i keq në tërësi është shumë më i larte, çka do te thotë një kërcënim tepër serioz për ekonominë. Kjo do të thotë që tregu financiar në vend po groposet. Qytetarët e këtij vendi nuk po shkojnë më të bëjnë kërkesa për kredi në banka, e çka është më dëshpëruese, vet bankat që operojnë në vendin tonë, nuk kanë as gatishmërinë më të vogël për të dhënë kredi. Ky problem i rëndë, që tashmë është kthyer në një ” ortek “, i cili ka rrezik që shumë shpejtë t’i zërë brenda të gjitha bankat, dhe për pasojë të gjithë neve, u shkaktua kryesisht nga normat e larta të interesit që caktonin bankat, nga papërgjegjshmëria e tyre,  me “lojën”  e ndryshimit të kontratave sipas dëshirës, duke përcaktuar rregulla të reja “lojë”, pasi këto kontrata kishin kohë që ishin miratuar dhe vazhdonin të përmbusheshin.

-Një pikë tjetër kur bankat abuzojnë më klientët e tyre është ndryshimi i normës së interesit pas marrjes së kredisë. Çfarë masash duhen marrë për parandalimin e abuzimeve të tilla?

– Kjo papërgjegjshmëri i demotivoi qytetarët dhe bizneset për të shlyer me korrektësi kreditë e marra, dhe sot, për fatin e keq, gjithkush e vret mendjen dhe punon, jo si ta shlyejë sa më parë borxhin që u ka bankave, por si t’i shmangen atij, si t’i gjejnë pengesa faktike dhe ligjore që ta zgjasin pafundësisht shlyerjen e kredisë. Ky problem i rëndë u shkaktua gjithashtu edhe nga dritëshkurtësia që karakterizon qeverinë tonë, e cila jo vetëm që nuk ka ndërhyrë në momentin e duhur, por edhe kur ndërhynë në ndonjë rast, shton më shumë zullumin, i tillë  është rasti i ndërhyrjes këto ditë të Ministrisë së Drejtësisë, e cila e “ndërsyer” nga nevrastenia që ka kapëluar qeverinë, shkaqet e thella që kanë sjellë pasojën dramatike të kredive të këqija, duan ta “zbrazin” mbi disa gjyqtarëve të gjykatave, duke i proceduar ata, se gjoja kanë bërë “shkelje” të procedurave ligjore për konfiskimet dhe shitjet e kolateraleve që kërkojnë të bëjnë bankat, ndaj kredimarrësve të falimentuar. Bankat i kanë dhënë shumicën e kredive në mënyrë të papërgjegjshme. Ato kanë parë më shumë interesat e tyre meskine, pasurimin personal prej tyre, si dhe i kanë nxitur huamarrësit që jo vetëm të merrnin kredi me interesa marramendëse, por edhe i kanë  “ngushëlluar”  që të mos shqetësoheshin për borxhet që shtoheshin, sepse çmimi i shtëpive dhe ndërtimeve të tjera që ishin vënë si garanci për kredinë e marrë, do të vinte gjithmonë në rritje. Dhe kjo do bënte që edhe borxhet të shlyheshin lehtë, edhe jetën prej “luksi” kredimarrësit ta gëzonin!  Supozimi se çmimi i pasurive te patundshme do të rritej pambarim ishte dhe mbetet absurd, në kushtet kur shihet që qytetarët e këtij vendi janë varfëruar deri në atë shkallë, sa shitësit e këtij vendi më shumë para prej mallrave të shitura i kanë nëpër blloqet e tyre të ” mallit veresies”, se sa marrin kesh nga qytetarët blerës. Bankat tona në përgjithësi, edhe për shkak të politizimit të tepruar të Bankës Qendrore, apo të të qënurit e saj si “hije e qeverisë”, kanë lënë pas dore punën e tyre kryesore që është menaxhimi me kujdes i riskut dhe alokimi i kapitalit.

-Roli i qeverisë sa pozitiv është në rregullimin e këtyre padrejtësive sipas jush?

-Të gjithë e pranojmë se kapitalizmi është deri tani sistemi me i mire ekonomik qe ka zbuluar mendja e njeriut. Por asnjë ekonomist serioz në botë nuk ka thënë se ai do të krijojë stabilitet. Vetëm gjatë 30 viteve te fundit ekonomitë e tregut në botë janë përballur me mbi 100 kriza. Kjo i ka bërë të përgjegjshme qeveritë serioze të botës për t’i mbikëqyrur dhe për t’i rregulluar përmes ndërhyrjeve në kohën e duhur dhe me përgjegjësi mbi fenomenet dëmsjellëse në banka, sepse mbikëqyrja dhe rregullimi qeveritar janë thelbi i funksionimit ekonomik të tregut të lirë.  Në fakt ne sot qeverisemi nga një qeveri e paaftë dhe e papërgjegjshme, e cila di të thotë vetëm një slogan “tregjet” ! Por vetëm tregjet nuk mjaftojnë. Pa luajtur qeveria rolin e saj, falimentin e ekonomisë së vendit e kemi te dera. Ne jemi një ekonomi pa eksporte. Kreditë e këqija do t’i detyrojnë me siguri shumë banka të falimentojnë, sepse nga mungesa e rregullimit qeveritar, tashmë në mjedisin tonë financiar janë shtruar këmbëkryq jo vetëm kreditë e këqija, por edhe praktikat e këqija bankare. Nuk ka papërgjegjshmëri më të madhe, se sa Banka e Shtetit, të blejë asete nga shteti, për të mbajtur me lëmosh dhe thërrime arkën bosh të shtetit. Qeveria nuk duhet të mbaj sehir se si shemben çdo ditë bankat dhe financat e këtij vendi, por  të ndërhyjë. Bizneset e vogla kudo në botë, edhe në vendin tonë, varen nga kreditë që marrin, jo vetëm për të bërë investime të reja, por mbi të gjitha për ta mbajtur gjallë këtë biznes të vogël. Mirëpo për arsyet që theksuam “gryka e thesit” të kredive në bankat tona thuajse është mbyllur tërësisht. Dhe këtu qëndron fatkeqësia.

-Cila është rruga ligjore që duhet ndjekur nga qytetarët për ti denoncuar abuzimet që u bëhen me ndryshimet e kontratave dhe me normat e interesit?

-Në situatën ku ndodhemi, në kushtet kur edhe organet gjyqësore, të cilat duhet të jenë “arbitre” të mira në mbrojtjen e interesave të ligjshme të qytetarëve, tashmë janë nën “breshërinë” e goditjeve prej qeverisë, duke ju kërkuar që të ekstremizohen për të qënë vetëm në krahun e bankave, edhe duke shkelur ligjin, qytetarët e këtij vendi do të kenë probleme të mëdha. interesat e tyre, liritë dhe të drejtat e tyre, në fushën e kredimarrjes dhe të kredishlyerjes janë të rrezikuara prej arbitrariteteve dhe paligjshmërive. Ndaj më shumë se kurrë, asnjë qytetar nuk duhet të veprojë me papërgjegjshmëri, duke shkuar “si cjapi te kasapi” në banka për të marrë kredi. Ata duhet të bëhen të përgjegjshëm se sot kudo veprohet me ligj, ecet me ligj dhe mbrohesh me ligj. Ndaj, jo vetëm kontratat, por edhe kur shlyejnë këstet, edhe kur u vjen një shkresë e thjeshtë nga bankat, duhet ta konsultojnë dhe ta debatojnë me mbrojtësin e tyre ligjor, me avokatin e familjes.