Matrapazët e kompanive të naftës shkelin ligjin, bordi ‘bën një sy qorr’ duke u dhuruar miliona fitime nga çmimet

377
Sigal

Kompanitë e naftës renditen ndër më fitimprurëset në tregun shqiptar. Marzhi i fitimit të tregtarëve të karburanteve, prej më shumë se një muaj po mbahet nën vëzhgimin e bordit të transparencës, pjesë e të cilit janë edhe disa përfaqësues të tregtimit të naftës. Por a ka pasur abuzime me vendosjen e çmimeve në Shqipëri? A e kanë ushtruar kompanitë e naftës, aktivitetin e tyre tregtar, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor?

Paradoksalisht çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare, reflektohen menjëherë, thuajse brenda ditës, në pikat e karburantit shqiptar. Fill pas lëvizjes së peshores së tregtimit në bursa, mblidhet edhe bordi i transparencës që bën rivlerësimin e çmimit tavan të tregtimit.

Ligji për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre, parashikon në nenin 9 të tij, se kompanitë e naftës janë të detyruara me ligj të mbajnë një rezervë sigurie, për mbulimin e nevojave të konsumit kombëtar në periudha krize. Kjo rezervë sigurie duhet të jetë e barabartë me 90 ditë mesatare shitjeje.

Në pasqyrat e performancës financiare të kompanive të naftës, të depozituara pranë qendrës kombëtare të biznesit, rezulton se tregtarët e karburanteve e kanë ruajtur rezervën e sigurisë. Në bilancin e një prej kompanive të naftës, në rastin konkret të Gega Oil, rezulton se në fund të vitit 2020 është rezervuar një sasi e konsiderueshme nafte, e cila nëse shitet kap vlerën e më shumë se 51 milionë e 667 mijë lekë.
Por, pse nuk po vihet në dispozicion nafta e rezervuar, e blerë me një çmim më të ulët nga sa është sot, për të bërë të mundur frenimin e barrës së qytetarëve? A po qarkullon në treg rezerva e naftës e blerë me një çmim shumë më të ulët nga sa është sot në bursa?

Fitimi i kompanive të naftës kap shifra të larta, duke arritur në nivelin e 141 milionë e 541 mijë lekë. Krahas marzhit të fitimit të kompanive, në çmimin e naftës përfshihen edhe një sërë taksash, duke filluar nga akciza, TVSH-ja, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit. Kjo skemë taksimi e bën Shqipërinë vendin me barrën më të lartë fiskale në rajon, përsa i përket karburanteve.

Ndërhyrja e qeverisë për ulje të barrës fiskale, është larg çdo pikësynimi të kryeministrit Edi Rama. Shkak për këtë bëhet shkalla e lartë e ekonomisë informale në vendin tonë. Mungesa e një strategjie të mirëfilltë për mbledhjen e taksave nga çdo biznes që operon në treg, bën që nafta të ketë rekord taksimi, pasi është i vetmi produkt që e ka 100 përqind të sigurt derdhjen e taksave në arkën e shtetit.