Cani tek “Ekonomia”: 9.3 mld lekë të ardhura në buxhet përfitimet nga aksioni kundër informalitetit

639
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka nisur raportimin në Komisionin e Ekonomisë mbi të ardhurat e vitit 2016 për Tatimet dhe Doganat, por pa pjesëmarrjen në këtë seancë të dy drejtoreshave të këtyre institucioneve.
Cani theksoi se të ardhurat që pritën nga Tatimet dhe Doganat vitin e ardhshëm do të jenë 8% më shumë se viti aktual. “Burimi i të ardhurave shtesë në 2016 do të jenë 1mld lekë nga politikat fiskale, nga politikat makrofiskale 5.9 mld lekë, nga aksioni antiinformalitet 9,3 mld lekë”- tha ministri.
Ministri tha se të ardhurat jotatimore në 2016 vlerësohen 28,7 mld lekë, por 2 mld lekë më pak se 2015.
Të ardhurat e tjera, vlerëson ministri, si institucionet buxhetore do të sjellin 15,5 mld lekë, ku nën zë të ardhura edhe nga Rapiscan, shkruan “Monitor”.
Të ardhurat nga dividenti pritet të sjellin 5 mld lekë në 2016, ndërkohë që këtë vit ishin vetëm 1mld lekë. Të ardhurat nga tarifat dhe shërbimet mbeten në të njëjtjat nivele, 4.3 mld lekë.
Ministri theksoi se nga mirëadministrimi i këtyre dy institucioneve do të përfitohet 1.5 mld lekë. Nga ana tjetër, formalizimi i tregut celular do të sjellë rreth 500 mln lekë, pohoi ministri.
“Formalizimi i tregut celular do të sjellë 500 mln lekë nga tvsh, ndërsa mirëadministrimi i rentës për minerale jo metalore pritet të sjellin 499 mln lekë”, tha Cani.
Ministri tha se për llogaritjen e të ardhurave nga faktori makroekonomik, që priten 5.9 mld lekë, do merret në konsideratë faktori i rritjes reale, jo nominale.
Duke iu rikthyer politikave fiskale, Cani tha se nuk ka rritje taksash, por se të ardhurat do të vijnë nga rritja e primeve të sigurimit dhe të taksave mbi makinat e luksit.
Sa i përket çështjes së rritjes së kontributit për të vetëpunësuarit, Cani deklaroi se ka ndryshuar korniza dhe se nuk do të llogaritet në bazë të pagës minimale, por deri në pagë maksimale, duke e lënë të papërcaktuar këtë pjesë për profesionet e lira.
Deputeti i opozitës Sherefedin Shehu, akuzoi ministrin që për dy vite nuk ka arritur të sjellë të ardhura më tepër, ndonëse u rritën taksat. Ai tha se parashikimi për të ardhurat vitin e ardhshëm nuk është përpiluar drejtë, duke theksuar se vetë raporti tregon që 12 mld lekë do të jetë mosrealizimi. ” Ju keni parashikuar të shtoni të ardhurat me 19 mld lekë, duke përfshirë edhe dividentin. Ndërkohë duke pohuar se të ardhurat vitin e ardhshëm do të jenë 30,7 mld lekë, ju vetë pranoni se 12 mld lekë do jetë mosrealizimi”, tha Shehu.
Sigal