Pas pauzës KPK publikon emrat e 8 magjistratëve që do kalojnë në sitë

441
Sigal

Pas një pause thuajse të plotë gjatë periudhës së pandemisë, janë rikthyer në sallat e gjykimit komisionerët e Vetting-ut të gjyqtarëve e prokurorëve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të rinisë nga e enjtja aktivitetin me tre seanca dëgjimore, përkatësisht me Ludovik Dodaj, prokuror pranë Gjykatës së Apelit Durrës, Gjon Fusha, drejtues i Prokurorisë së Apelit Gjirokastër; dhe  Entela Shedula,kryetare e Gjykatës së Kavajës. Të premten do vijohet me seancat dëgjimore me Bernina Kondin, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe  Petrit Aliaj, gjyqtar i Apelit të Vlorës. Për javën e ardhshme janë parashikuar edhe tre seanca të tjera dëgjimore.

Janë këto treguesit e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve të publikuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për periudhën shkurt 2018-prill 2020.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, deri në prill të këtij viti janë dhënë në total 246 vendime, ndër të cilat 101 vendime për konfirmimin në detyrë të 44 gjyqtarëve, 48 prokurorëve dhe 9 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë;

Nga ana tjetër janë dhënë 90 vendime për shkarkimin nga detyra të 56 gjyqtarëve, 32 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë.

Paralelisht janë dhënë 38 vendime për ndërprerjen e procesit për shkak të dorëheqjes së gjyqtarëve e prokurorëve.