Lirim Nezha/ Biznesi i vogël dhe beteja kundër informalitetit

541
ekspertët paralajmërojnë dështim. Ende pa nisur, vetëm me zhurmë mediatike është bërë e mundur që të regjistrohen mijëra biznese që deri dje ishin informale. Pra do të jenë mijëra njerëz që do të deklarohen të punësuar pasi do të paguajnë sigurimet shoqërore, do të jenë ca para më shumë në arkën e shtetit, qofte edhe me atë tatimin fiks që aplikohet deri sot. Do të paguhen taksa lokale po aq e ndoshta më shumë. Do të shiten e po shiten kasa fiskale pa fund. (Këtu ndoshta bie pak era abuzim…). E pra, a nuk duket se qëllimi kryesor, ai i rregullimit të financave të shtetit është arritur? Pra, Qeveria e ka arritur suksesin e vet në afat të shkurtër. Ka krijuar radhe të gjata pranë sporteleve të QKR-së, ka krijuar radhë për pajisjen e bizneseve me kasa fiskale dhe ende pa dalë në terren ka përhapur ndër tregtarë njëfarë frike folklorike dhe i ka bërë të presin kupona për mallrat që shesin.
Për të shpresuar për një sukses afatgjatë nuk mjaftojnë aksionet. Është e nevojshme që ekspertët, të pangjyrosur politikisht dhe pa interesa të çastit, të japin mendimin e tyre dhe të nisin një reformë rrënjësore të të gjithë sistemit. Deri këtu jam plotësisht dakord. Gjithkush që bën biznes duhet të jetë i formalizuar. Duhet të paguajë disa detyrime të përballueshme dhe sigurimet shoqërore. Por nuk duhet të banalizohet deri te shitësit e rrugës sepse ata ekzistojnë në të gjithë botën e madje edhe më shumë në metropolet e mëdha e megjithatë janë informalë. Nuk duhet banalizuar me shitësit e cigareve me kuti kartoni apo me shitësit e bananeve. Nuk duhet banalizuar me shitësit e produkteve bujqësore që dalin për të mbijetuar. Këta duhet të jenë e të fundit e madje me ta ndoshta nuk duhet marrë.
Faturat!
Malli duhet të qarkullojë vetëm me faturë deri te konsumatori përfundimtar. Shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Ose e thjeshtuar duket mision i pamundur në një afat të shkurtër apo edhe të mesëm. Për të arritur këtë qeverisë i duhet të përballet së pari me peshqit e mëdhenj që ngrenë traun e doganës ose që prodhojnë dhe nuk deklarojnë, por hyjnë në treg duke iu shmangur detyrimeve. Pra, nësë një maune me mall çfarëdo hyn në Shqipëri e pa zhdoganuar, ajo sigurisht që do të hyjë në mënyrë informale në treg sepse tregu është synimi fundor. Dhe do të hyjë i pa shoqëruar me faturë në asnjë prej hallkave të tregtimit. Po kështu ndodh me prodhimin vendas.Vetëm një pjesë e prodhimit deklarohet dhe shoqërohet me faturë, pjesa tjetër hyn informalisht ne treg. Në këto kushte, nëse ky burim informaliteti nuk pritet apo se paku nuk minimizohet, beteja me biznesin e vogël që është përçuesi i këtyre mallrave tek konsumatori final është një mision edhe më i pamundur po të marrim parasysh shpërndarjen në çdo qelizë të këtij vendi ku banojnë njerëz. Një njësi tregtare ka nevojë për një mori mallrash të tregtueshëm për të përmbushur nevojat e klientelës e për të kapur nivelin e xhiros. Por kur shkon për t’u furnizuar shumica e këtyre mallrave ofrohen pa faturë! Ç’duhet të bëjë tregtari? Të refuzojë të furnizohet? Ligjërisht keshtu duhet të veprojë, por dëshira për të mbijetuar në treg të bën ta harrosh ligjin. Sepse mallrat që ti, i sensibilizuar edhe nga thirrjet qeveritare për të mos u larguar pa faturë, i refuzon, konkurenti ka guxuar t’i ketë dhe kështu konkurenca …! Sipas ligjit të gjithë furnitorët e biznesit të vogël duhet të lëshojnë faturë TVSH-je, ndërkohë një pjesë e madhe e furnitorëve të biznesit të vogël në rastin më të mirë lëshojnë faturë kase siç veprojnë me konsumatorin. Nëse tregtarët e vegjël do të përpiqen që të jenë në rregull atëhere do të përballen me vështirësi në furnizimin e dyqaneve, veçanërisht dyqanet e produkteve kinkalerike që kapin një gamë të gjerë produktesh.
Kasat!
Një tjetër problem është pajisja e menjëhershme me kasa fiskale. Një kasë fiskale kushton jo pak por 330-400 Euro. Pa dashur t’i futem diskutimit rreth liberalizimit te tregut të kasave, një qytetar që merr iniciativen për të hapur një biznes duhet të ketë kohën e mjaftueshme për të eksperimentuar pasi asnjëherë nuk mund të jemi të sigurtë tek suksesi. Blerja e kasës paraprakisht është një kosto shtesë e pa nevojshme. I duhet lënë kohë biznesit që të provojë. Një tjetër problem është që kasat të mos funksionojnë thjesht si një objekt, por të jenë subjekt i përcaktimit të masës së tatimit për një biznes. Deri tani biznesi, pavarësisht ekzistencës ose mos ekzistencës së kasës,është tatuar mbi bazen e një xhiroje hipotetike. Ka patur dhe vazhdon të ketë një tatim fiks për një kategori të caktuar biznesesh. Kjo lloj barazie e dëmton konkurencën. Secili duhet të tatohet mbi bazën e xhiros së deklaruar përmes kasës. Ndërkohe Drejtoria e Tatimeve duhet të ushtrojë mekanizmat e vet të kontrollit për ta bërë të detyrueshme faturën e kasës. A është kjo praktikisht e mundur? Unë mendoj se po! Njerëzit, posaçërisht bizneset po ndërgjegjësohen se formalizimi i ekonomisë është një detyrim që nuk mund t’i shmangesh përjetësisht. E nëse kjo ndodh mrekullisht shpejt,aq më mirë do të jetë për të gjithë. Edhe pse gjithmonë do të ketë evazorë dhe kontrabandistë. Fuqia e ligjit të tulat, përveç rasteve kur ligjvënësit dhe interpretët e tij janë vetë evazorë…!