Ilir KULLA: Politika e Athinës kërkon konflikt fetar në Shqipëri, për të dalë nga kriza e saj

449
Ilir Kulla, ish kryetari i Komitetit te Kulteve Fetare, në intervistën për gazëtën “Telegraf” thotë se qeveria humbi legjitimitetin, kur prishi kishën në Dhërmi, por edhe politika e Athinës “bëri një ndërhyrje të disproporcionuar në raport me incidentin dhe mendoj se politika e Athinës e përdori këtë çështje për të hequr vëmendjen nga kriza e brendshme”. Çdo objekt i kultit fetar, thotë zoti Kulla për “Telegraf”, duhet të ketë leje ndërtimi, të ketë pronësi dhe nuk mund të ndërtosh as pa leje dhe as ku të duan disa. 
– Zoti Kulla a janë të deklaruara dhe ku monumentet dhe objektet e Kultit Fetar të çdo besimi fetar në Shqipëri? Si kishat, xhamitë, vendet e shenjta, varre të personave të rëndësishëm fetarë që shërbejnë si vende të shenjta e faljeje, etj?!
– Për natyrën që kanë, objektet e kultit janë publike dhe të njohura nga shumica e qytetareve dhe autoriteteve atje ku ndodhen.
– A kanë pronësi dhe a janë të rregjistruara në ZRKP objektet e kultit fetar, si xhamitë e kishat?
– Po, shumica janë objekte me dokumenta pronësie dhe përdorimi. Edhe atëhere kur ato nuk i kanë, mesa di unë, janë kryesisht në proces legalizimi.
– A ndiqet e njëjta procedurë ligjore, si çdo ndërtim tjetër, edhe për ndërtimin e objekteve të kultit fetar?
– Saktë, ndërtimi i një objekti kulti bëhet mbi bazën e ligjeve përkatëse të ndërtimit të çfarëdo lloj objekti tjetër, dmth projekt të miratuar leje sheshi ndërtimi dhe lejendërtimi aprovuar nga autoritetet dhe KRT sipas ligjeve në fuqi. Nëse ky objekt fetar është bërë sipas ligjit dhe shërben për ritualitete fetare, atëhere po bashkësia fetare ka të drejtë, në të kundërt jo.
– Ju, si ish kryetar i Komitetit të Kulteve Fetare, ç’mendim keni: A veproi drejt INUK që prishi ngrehinën në Dhërmi, meqë ishte pa leje? Po a justifikohet reagimi i Kishës?
– Prishja e kishës në Dhërmi ishte e gabuar, u veprua në kundërshtim me ligjin dhe mbi të gjitha, e pamotivuar, gjë që bëri që autoriteti shtetëror të kalonte në anën e humbjes së legjitimitetit të vet.
– Nëse dikush merr iniciativë dhe ndërton, shembull marr, një kryq të madh diku në një vendndodhje mali, kodre, në pronësi të shtetit dhe një tjetër, pavarësisht motivit, e prish këtë simbol fetar, a ka të drejtë që dikush të ankohet për sulm ndaj kultit të besimit fetar?
– Në bazë të ligjit ka të drejtë, por gjithnjë për këtë shprehen gjykatat.
– Po pala greke a ka të drejtën që të reagojë me rrugë diplomatike ndaj qeverisë?
– Pala greke bëri një ndërhyrje të disproporcionuar në raport me incidentin dhe mendoj se politika e Athinës e përdori këtë çështje për të hequr vëmendjen nga kriza e brendshme.
– Po vendimin e Bashkisë së Himarës dhe premtimin e kryeministrit se aty këta do ndërtojnë një kishë të re, ju si e gjykoni?
– Angazhimi i Bashkisë së Himarës për rindërtim të këtij objekti kulti është përpjekje për të rifituar legjitimitetin e humbur me prishjen e këtij objekti. Kështu që si z Goro dhe z Rama që e njohin mirë atë zonë, e kanë të qartë çdo të thotë në Bregun e Jonit të kujtohesh si prishës Kishash, sidomos kur një pjesë e këtyre objekteve të kultit i kanë mbijetuar edhe Enver Hoxhës dhe vitit 1967.
– A duhet të ndërtojë shteti kulte fetare me burimet financiare të taksapaguesve? A nuk është i ndarë shteti nga feja?
– Kjo çështje ha diskutim. Ndonjëherë, kur shteti mundet, edhe duhet të kontribuojë financiarisht për ndërtimin e objektit të kultit, sidomos kur ndihmon në ruajtjen e kohëzionit social dhe qytetar, apo kur ka natyre kombëtare. Natyrisht, edhe në këto raste duhet të kulmojë parimi që shteti është i ndarë nga feja.
– Faleminderit!
Sigal