KLSh/Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të marrë masa për të përmirësuar situatën

699
Sigal

Inspektorati Shtetëror i Punës e nxjerr Shqipërinë me nivel informaliteti të tregut të punës si të Zvicrës dhe Danimarkës!

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar për  periudhën janar 2012 – mars 2013 Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe Drejtorinë Rajonale Tiranë, për parandalimin dhe minimizimin e tregut informal të punës. Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit, shkalla e informalitetit ka ardhur gradualisht duke u ulur, njëkohësisht deklarohet rritje e numrit të subjekteve të inspektuara dhe rritje të punëmarrësve të konstatuar.

Nëse kjo do të ishte gjendja reale, arritjet e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe vetë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore  do të ishin madhore, duke na renditur ndër vendet me informalitet më të ulët në botë, me tregues si në Zvicër apo Danimarkë! Perceptimi i gabuar ka bërë që strukturat drejtuese të Ministrisë dhe Inspektoratit, në nivel qendror dhe lokal të mos marrin masa për të ndryshuar situatën, duke vënë para përgjegjësisë strukturat drejtuese të drejtorive rajonale për indiferentizmin, mefshtësinë që tregojnë në luftën kundër informalitetit në tregun e punës dhe në shumë raste edhe favorizime të këtij informaliteti. Kjo situatë ka sjellë prishjen e ekuilibrit të raportit kontribues-përfitues, duke sjellë kërkesë në rritje nga viti në vit për financimin e fondit të pensioneve nga Buxheti i Shtetit. Auditimi konstatoi një regres të dukshëm në luftën kundër informalitetit në tregun e punës. Janë inspektuar në intervale të shkurtra kohe sipërmarrje me 1-2 punonjës, duke lënë pa inspektuar subjekte prodhuese me një numër të madh punëmarrësish dhe me kërkesa specifike të sigurimit në punë. Një numër i konsiderueshëm subjektesh të biznesit të madh nuk figurojnë në listat e subjekteve të vetëdeklaruara në Inspektorat. U konstatua po ashtu se inspektorët nuk njohin situatën e subjekteve që zhvillojnë aktivitet  në territorin e juridiksionit që mbulojnë, megjithëse, sipas rregullores së brendshme, kanë për detyrë të kryejnë regjistrimin e dixhitalizuar të subjekteve ekonomike që ushtrojnë aktivitet në zonën që kanë në juridiksion të kontrollit, si dhe të krijojnë bazën e të dhënave për çdo subjekt që i nënshtrohet inspektimit nga ana e tyre. Mungesa e këtyre të dhënave ka bërë që drejtoritë rajonale të kryejnë inspektime në një numër të vogël subjektesh.

U konstatua se, sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, rezultojnë të jenë të vetëdeklaruara në Drejtoritë Rajonale të tij gjithsej 22.077 subjekte fizike dhe juridike, ndërsa sipas evidencës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), rezultojnë gjithsej 79.085 subjekte fizike dhe juridike. Pra, Inspektorati ka 57.008 subjekte më pak se ISSH, subjekte që kuptohet përsa kohë nuk janë në evidencë, nuk mund të jenë edhe në qendër të vëmendjes të inspektimeve të strukturave përkatëse. Kjo situatë është krijuar nga mos zbatimi i VKM nr. 753, datë 08.09.2010 “Për bashkëpunimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës me Institucionet në varësi të Ministrisë së Financave” Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ku është përcaktuar që dy institucionet të shkëmbejnë informacione për subjektet e regjistruara pranë tyre.

Bazuar në konstatimet e auditimit, me qëllim uljen në minimum të subjektivizmit të strukturave inspektuese, KLSH ka rekomanduar të praktikohen inspektime me grupe të përbashkëta, ku të përfshihen struktura nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektoriati i Ndërtimit dhe veçanërisht nga strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfituesi direkt nga minimizimi i punës së zezë, i cili me legjislacionin ekzistues është përjashtuar nga kjo e drejtë. Në këtë kontekst, ka rekomanduar të bëhen përmirësime ligjore të VKM nr. 753, datë 08.09.2010 “Për bashkëpunimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës me Institucionet në varësi të Ministrisë së Financave” duke kërkuar që: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të propozojë ndryshimin e VKM nr.753 për të shtuar çështjen e bashkëpunimit me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për shkëmbimin e informacionit për subjektet që janë aktive dhe derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore, si dhe për  kryerjen e kontrolleve të  përbashkëta në ato subjekte që paraqiten me një numër minimal  punëmarrësish, i cili nuk konsiderohet  i mjaftueshëm për funksionimin normal të aktivitetit të subjektit.

KLSH ka rekomanduar të merren masa nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MPCSSHB dje), në bashkërendim me Ministritë respektive, për të bërë efektive VKM-të që kanë dalë për marrëdhëniet e Inspektoratit me Organet e varësisë të Ministrive përkatëse.

KLSH e gjykon të rëndësishme që Këshilli Kombëtar i Punës të marrë në analizë punën e Inspektoratit, duke rekomanduar propozime konkrete për ta bërë sa më efektive  luftën kundër tregut informal të punës, krahas rekomandimeve për:

1.    Krijimin e një baze të plotë të dhënash për subjektet që zhvillojnë aktivitet si dhe ato të inspektuara;

2.    Studimin e riklasifikimit të zonave të inspektimit për t’iu përgjigjur dinamikës së ndryshimeve urbane dhe territoriale;

3.    Studimin më të drejtë të përcaktimit të kritereve për përzgjedhjen e subjekteve për inspektim sipas specifikave, llojit të aktivitetit, numrit të punëmarrësve dhe shkallës së riskut të vlerësuar;

4.    Ngritjen e një sistemi të drejtë monitorues të punës së inspektorëve të këtyre strukturave në mënyrë që të rritet performanca e tyre.

Për shkeljet e konstatuara, krahas rekomandimeve për masa organizative, KLSH rekomandoi marrjen e masave disiplinore për punonjësit në nivel qendror dhe lokal për Drejtorinë Tiranë. Nga ana e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore rekomandimet e KLSH-së janë vlerësuar, duke marrë masa largimi nga puna për Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Tiranës, si dhe kanë filluar procedurat ligjore për dhënien e masave disiplinore për inspektorët dhe kontrollorët e punës që  nuk  kanë pasqyruar  punëmarrësit ilegalë në subjektet e inspektuara.

Përparësi e menjëhershme është organizimi i një kontrolli të përgjithshëm nga strukturat drejtuese të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të përcaktuar jo vetëm përgjegjësitë konkrete, por edhe për të marrë masa për të përmirësuar situatën e informalitetit në tregun e punës.