Kreditorët ende nuk janë paguar. Ku shkuan asetet e Belle Air?

885
Sigal

Një vit nga falimentimi i kompanisë së fluturimit “Belle Air”. Post shpallja e falimentimit

Belle Air dështoi një vit më parë, ndërsa kreditorët e kësaj kompanie ende nuk kanë marrë paratë, të cilëve u detyrohet kjo kompani fluturimi. Pas disa seancash maratonë, Gjykata e Tiranës, ka vendosur në 22 janar të vitit 2014 të shpallë falimentin e kompanisë ajrore “Belle Air”, duke caktuar eksperten Engegerta Bebi (e cila u zëvendësua me vendim gjykate nga znj. Laura Qorlaze), për të kryer administrimin e mëtejshëm të kompanisë. Po sipas vendimit të gjykatës, të gjithë kreditorët brenda 90 ditëve duhej të paraqisnin para kompanisë kërkesat e tyre, me shkrim për paratë që u detyrohet kompania. Dhe më tej do të vijohej me kthimin e parave nga administratorja Bebi, e vendosur prej Gjykatës së Tiranës.

 Kreditorët dhe borxhi i Belle Air

Vendimi i Gjykatës së Tiranës thekson se shteti ishte vetëm një nga kreditorët e Belle Air, ndërsa borxhi i përgjithshëm i kompanisë që arriti në 51.700.000 euro, do të ndahej në mes aeroporteve, bankave, furnizuesit dhe punonjësve, të cilët kishin punuar për tre muaj pa marrë pagat e tyre. Sipas Kodit të Punës të Shqipërisë, në varësi të rolit, funksionit dhe vjetërsisë, borxhi për secilin punonjës varionte nga 4.000 deri në 50.000 Euro. Për më tepër, për rreth 50.000 pasagjerë tashmë ishte shitur bileta muaj më parë, të cilët pas pezullimit të fluturimeve, jo të gjithë zgjodhën për të kthyer biletën e tyre në një fluturim zëvendësues të vënë në dispozicion nga Blue Panorama, duke bërë në këtë mënyrë një kërkesë formale për rimbursim.

 Si shkoi post-shpallja e falimentimit

Në faqen zyrtare të administratorit të falimentimit të kompanisë Belle Air jepet historiku që nga shpallja e falimentitit nga kompania Belle Air e deri në ditët e sotme, ose më saktë në datën 14 nëntor kur u bë dhe mbledhja e fundit e kreditorëve.

22 nëntor 2013

Më 22 nëntor 2013, Shoqëria paraqiti pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për hapjen e procedurave të falimentit, kërkesë e cila bazohej në gjendjen e paaftësisë paguese të Shoqërisë ndaj furnitorëve dhe kreditorëve të saj për detyrimet e pagueshme në datën e tyre të maturimit, gjendje e cila parashikohej të përkeqësohej në një të ardhme të afërt.

22 janar 2014

Kërkesa për hapjen e procedurave të falimentit u pranua nga Gjykata, e cila më datën 22 janar 2014 shpalli hapjen e procedurave të falimentit (Vendimi 580, datë 22.01.2014). Administrator falimenti u caktua znj. Ingegerta Bebi. Në vendimin e saj Gjykata caktoi datën 22 prill 2014 si data e depozitimit të pretendimeve nga ana e kreditorëve si dhe data e Mbledhjes së Kreditorëve për Raportim. Vendimi i Gjykatës përcakton gjithashtu mbajtjen e Mbledhjes së Kreditoreve për Verifikim brenda 60 ditëve nga afati i depozitimit të pretendimeve nga ana e kreditorëve.

26 mars 2014

Gjykata, me vendimin 4000, datë 26 mars 2014, bëri zëvendësimin e administratores së falimentit me kërkesën e kësaj të fundit. Administratore falimenti u caktua znj. Laura Qorlaze.

22 prill 2014

Mbledhja Kreditoreve për Raportim u mbajt në datën 22 prill 2014. Në këtë mbledhje u përzgjodh Komiteti i Kreditoreve i përberë nga 7 anëtarë, dhe konkretisht: përfaqësues të bankave (2 përfaqësues), përfaqësues të aeroporteve (2 përfaqësues),  përfaqësues të kreditorëve të tjerë (1 përfaqësues), përfaqësues të organeve tatimore (1 përfaqësues) dhe përfaqësues të punonjësve (1 përfaqësues). Në këtë mbledhje u caktua data 23 qershor 2014 si datë për mbledhjen e përbashkët për raportim dhe verifikim.

8 maj 2014

Më 8 maj 2014 u mbajt Mbledhja e Komitetit të Kreditorëve me rend dite aprovimin e shitjes së një pjese të aseteve (pjese këmbimi) të shoqërisë Belle Air sh.p.k..

19 maj 2014

Më 19 maj 2014 u mbajt Mbledhja e Komitetit të Kreditorëve me rend dite aprovimin e shitjes së një pjese të aseteve (pjesë këmbimi, autovetura dhe mobilje & orendi zyre) të shoqërisë Belle Air sh.p.k..

23 qershor 2014

Në Mbledhjen e Kreditorëve për Raportim dhe Verifikim, mbajtur më 23 qershor 2014, u caktua data 21 korrik 2014 për diskutimin e raportit të përgatitur nga administratorja e falimentit.

21 korrik 2014          

Në datën 21 korrik 2014, ora 14:15 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u mbajt Mbledhja e Kreditorëve për Raportim dhe Verifikim në të cilën u prezantua raporti i përgatitur nga administratorja e falimentit dhe u bënë pyetje dhe komente nga ana e kreditorëve të pranishëm në mbledhje në lidhje me raportin të cilat u sqaruan nga ana e administratores së falimentit. Në këtë seancë, Gjykata mori vendim për vijimin e procesit të falimentit me likuidim të shoqërisë Belle Air sh.p.k..

8 shtator 2014

Në datë 8 shtator 2014 u mbajt Mbledhja e Kreditorëve mbi shqyrtimin e pretendimeve të paraqitura. Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, mbledhja u përqendrua vetëm tek pasagjerët që ishin regjistruar në mbledhje tek gjykatësi.

15 shtator 2014

Ne datën 15 shtator 2014, ora 15:00 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua Mbledhja e Kreditoreve mbi  shqyrtimin  e pretendimeve të paraqitura. Në këtë mbledhje nga Administratorja e Falimentit u propozua që verifikimi i pretendimeve të kreditorëve të bëhet jashtë seancave gjyqësore në takime individuale me kreditorët sipas listave që jepen në rubrikën “Njoftime”. Propozimi i Administratores së Falimentit u pranua nga Mbledhja e Kreditorëve dhe Gjyqtari.

31 tetor 2014

Nga data 17 shtator 2014 deri më 17 tetor 2014 u organizuan takime me kreditorët e shoqërisë me qëllim verifikimin e pretendimeve të paraqitura dhe saktësimin e diferencave. Pasagjerët dhe ish-punonjësit u paraqitën pranë shoqërisë dhe morën sqarime në lidhje me pretendimet e paraqitura prej tyre.

Në datën 31 tetor 2014, ora 13:00 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u mbajt Mbledhja e Kreditoreve mbi  rezultatet e shqyrtimit të pretendimeve te paraqitura, ku morën pjesë kreditorët e shoqërisë Belle Air sh.p.k.

14 nëntor

Ne datën 14 nëntor, ora 13:30 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u mbajt Mbledhja e Kreditorëve mbi  rezultatet e shqyrtimit të pretendimeve të paraqitura, në të cilën disa nga kreditorët e shoqërisë paraqitën kërkesën e tyre për sqarim të shumave të kundërshtuara nga Administratorja e Falimentit.

12 dhjetor, takimi i radhës

Në datën 12 dhjetor, ora 13:00 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, do të mbahet Mbledhja e Kreditorëve mbi  rezultatet e shqyrtimit të kërkesave për sqarim, paraqitur nga disa kreditorë në seancën e datës 14 nëntor, si dhe do të prezantohet nga Administratorja e Falimentit raporti mbi radhën e preferimit të kreditorëve.

Belle Air, ende në borxh te shqiptarët

Pavarësisht suksesit të Belle Air, të cilën e përzgjidhnin për shkak të çmimeve konkurrente shumë të volitshme për ne shqiptarët, është e habitshme shuma e borxhit prej 51.700.000 eurosh që la pas Belle Air. ndërsa gjykata ende nuk ka nxjerrë përgjegjësit e këtij borxhi dhe përfituesit nga kjo shukmë kolosale. Nga ana tjetër nuk është bërë transparente se çfarë vlere kanë asetet e kompanisë të administruara, me vendim gjykate, ngë persona të licencuar. Dhe ajo çka ka më shumë rëndësi është se me gjithë këtë maratonë mbledhjesh midis kreditorësh, deri më tani ende nuk është bërë asnjë pagesë. Pra, duke lënë mënjanë kreditorin shtet, a do të marrin atë çka u takon punonjësit e kompanisë që më së shumti ishin shqiptarë dhe pasagjerët të cilët kishin prerë biletat paraprakisht? Borxhi duhet paguar, porse me këtë ritëm nuk dihet se sa do të zgjasë kjo procedurë, që penalizon më së shumti punonjësit dhe pasagjerët shqiptarë.

Në numrin tjetër do të lexoni:

Kush humbi dhe kush fitoi nga falimentimi i Belle Air

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë

Përplasja e kompanisë Belle Air dhe Drejtorisë së Tatimeve në Gjykatën e Lartë

Kur do të shpërndahen paratë për kreditorët

 Ledjana Saliu