Kompanitë celulare dështojnë të mbulojnë territorin

467
Sigal

Rrjetet celulare, mbulimi i zonave të vështira ka dështuar

Mbulimi i zonave të veçanta të vendit me rrjet të shërbimeve celulare mbetet një problem ende në vitin 2020. Bëhet fjalë kryesisht për zona me terren të vështirë dhe ku operatorët nuk kanë interes ekonomik për të vendosur rrjetet e tyre të shërbimit, për shkak të numrit të pakët të abonentëve. Për të zgjidhur këtë problem, në vitin 2015, Këshilli  Drejtues i AKEP-it, nxori vendime të posaçme që operatorët e telefonisë celulare të zbatonin detyrimet për mbulimin me shërbime broadband të zonave me dendësi të ulët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar në zona të caktuara ku akoma dhe vendimi i Këshillit Drejtues të AKEP-it  nuk është zbatuar. Sipas auditimit  të protuberancës, të kryer vitin e kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ofrimi i shërbimit është mundësuar vetëm për zonat e Vermoshit dhe Valbonës. Për katër zonat e tjera të parashikuara në vendimin e AKEP-it, konkretisht Gërmenj, Kepi i Rodonit, Shkopet dhe Grykë Nokë, ende në fund të vitit 2019, nuk ofrohej shërbim. Sipas AKEP-it, operatorët e telefonisë celulare pretendojnë se kanë pasur probleme me marrjen e lejes për vendosjen e antenave, ndërkohë që vetë AKEP-i  nuk ka ndërmarrë asnjë masë për adresimin e problemeve të hasura dhe për moszbatimin e vendimeve të saj. Sipas AKEP-it, mbulimi i territorit me rrjet 4G për vitin 2019,  rezulton rreth 73%,  nga 57% që raportohej për vitin 2018. Ndërkohë, gjithnjë mbështetur në shifrat zyrtare të AKEP-it, mbulimi i popullsisë ka arritur në rreth 95%.