Qindra biznese falimentuan në Kosovë, mijëra të tjera pranë vendosjes së drynit

380
Sigal

Për tre muaj në Kosovë janë shuar 146 ndërmarrje. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të shuara janë marrë me tregti me shumicë dhe pakicë. Kurse, gjatë periudhës prill-qershor në Kosovë janë regjistruar 2033 ndërmarrje të reja. Ky numër është për rreth 25% më i ulët sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Prilli, maji e qershori nuk kanë qenë muaj me fat për shumë biznese në Kosovë. Gjatë këtyre tre muajve llogaritet që janë shuar rreth 150 ndërmarrje.

Gjatë periudhës prill-qershor të 2020-es saktësisht janë shuar 146 ndërmarrje.

Numri më i madh është në kryeqytet, gjithsej 25 ndërmarrje të shuara, pasuar nga Prizreni me 22 ndërmarrje të shuara.

Këto të dhëna janë paraqitur në  Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2020 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të shuara janë marrë me tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave.

Mirëpo, me këto statistika nuk po pajtohet kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Ai thotë se në realitet numri i bizneseve të mbyllura është 10 herë më i madh se ai i statistikave të raportuara nga institucionet shtetërore.

“Statistikat që tregojnë prej institucioneve shtatore janë ato që janë mbyllur zyrtarisht ato janë 10 herë me pak se ato që kanë pushu aktivitetin e vet dhe nuk gjenerojnë të hyra për shtetin me muaj të tërë”.

Sektorët e bizneseve që janë mbyllur si pasojë e pandemisë, sipas Shahinit, kryesisht kompani që kanë pushuar aktivitetin e vet e që merren me transport, që merren me gastronominë, hotelerinë po ashtu ka kompani përpunuese por edhe shërbyese.

“Mbyllja e bizneseve në Kosovë është tepër e rëndë dhe shumë biznese e kanë pezulluar aktivitetin e vet dhe nuk kanë ndjekur procedurat për ta mbyll zyrtarisht. Prandaj aleanca e vlerëson se nëse shkon ky trend deri në fund të vitit ne mund të kemi të mbyllura më shumë se pesë mijë kompani dhe kjo është tepër shqetësuese për vendin dhe institucionet e vendit”.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një postim në Facebook ka porositur bizneset kosovare që të kenë parasysh virusin, të kuptojnë që është rreth nesh dhe duhet të mësohen të gjithë të jetojnë me të.

“Parandalimi i valëve të reja të COVID-19 varet kryekëput nga ajo se sa njerëzit kujdesen për të tjerët dhe për veten. Virusi në rrethana kur nuk ka tretman adekuat për të nuk mund të mposhtet pa ndryshimin e sjelljeve tona të përditshme, pra: maska, distancë sociale dhe higjienë personale”, theksoi Rukiqi.

Ai ka paralajmëruar se në rast se nuk respektohen edhe më tutje këto masa, atëherë do të mbyllen shumë biznese.

“Mos rritja e numrit të rasteve dhe parandalimi i përhapjes së virusit shtojnë sigurinë e konsumatorit. Prandaj është me interes të bizneseve tona të respektohen masat. Ky vit do të jetë i vështirë dhe nuk është vit i rritjes së asnjë biznesi. Është vit i mbijetesës”.

Kurse, prej muajit mars të këtij viti edhe kur filloi pandemia COVID-19, besohet se në Kosovë kanë humbur punën rreth 40 mijë persona, dhe se nëse vazhdon ky trend numri i atyre që do të humbin punën për shkak të pandemisë do të rritet deri në 60 mijë.

“Deri në fund të muajit qershor, i kemi rreth 40 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës, dhe nëse vazhdon ky trend kështu, në fakt mendojmë që fundi i shtatorit do të jetë mbi 60 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës. Njëfarë forme punëtorët obligohen që edhe vetë ta lëshojnë vendin e tyre të punës sepse pagat janë tepër të ulëta dhe pronarët e kompanive gjejnë një shprehje se gjoja nuk kanë punë, dhe punëtorët nuk e kanë llogarinë nëse edhe shpenzimet minimale të tyre nuk mbulohen që të shkojnë në vend të punës”, ka deklaruar ditë më parë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Pak interesim edhe për biznese të reja

Sipas ASK gjatë kësaj periudhe në Kosovë, rënie ka pësuar edhe regjistrimi i ndërmarrjeve të reja.

Gjatë periudhës prill-qershor në Kosovë janë regjistruar 2033 ndërmarrje të reja.

Ky numër është për rreth 25% më i ulët sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2020 (TM2) gjithsej janë regjistruar 2033 ndërmarrje. Në TM2 2020 krahasuar me tremujorin paraprak ( TM1 2020) kemi ulje për 12.03% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2019) ka zbritje për 23.4% të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në këtë publikim.

Aty thuhet gjithashtu se tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave përbënte numrin më të madh të ndërmarrjeve të reja.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 (24%), Ndërtimtari me 328 (16.1%), Prodhim me 309 (15.2%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 191 (9.4%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 189 (9.3%), etj”, thuhet më tej në raport.

Ndërsa rreth 97% e ndërmarrjeve kanë 1-4 të punësuar

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 1963 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.6 %), me 5 deri 9 të punësuar janë 53 sosh (2.6%), 10 deri në 19 të punësuar 11 (0.5%), 20 deri 249 të punësuar me 6 (0.3%) ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk kemi ndonjë një ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori”, thuhet më tej në publikimin e ASK-së.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron komuna e Prishtinës me 551 ndërmarrje të regjistruara (27.1%), Ferizaj me 164 (8.1%), Prizreni me 153 (7.5%), Peja me 127 (6.2%), Gjilani me 110 (5.4%), dhe Gjakova 108 (5.3%)”, bëhet e ditur në këtë publikim. Ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.