Përjashtimi i hoteleve luksoze vret të vegjlit

946
Prof. Dr. Suzana Guxholli

Taksat e pronësisë janë taksa që ekzistojnë në shumicën e vendeve të zhvilluara e në zhvillim, e përfaqësojnë shuma të llogaritura në mënyra të ndryshme mbi vlerën e pronës që pronari i paguan qeverisë qendrore ose lokale. Ato janë burim i rëndësishëm i buxheteve të qeverisjes qendrore ose vendore. Vendosja e kësaj takse është e domosdoshme, politikat dhe metodat e shkallëzimit të tyre dallon një qeverisje të mirë nga një të dobët e klienteliste. Nëse qeveria do të nxisë investimet në sektorin e turizmit, përjashtimi nga taksat e pronësisë i hoteleve të mëdha, për dhjetë vjet, është i çuditshëm dhe i rrallë. Nëse qeveria do të bëjë politikë nxitëse dhe sociale në përjashtimin nga taksa e pronësisë, teoritë dhe praktikat ekonomike tregojnë që ato duhet të përfshijnë grupe e prona të veçanta si: Të moshuarit në pension pas 65 vjeçësh, persona me paaftësi për arsye të ndryshme, veteranët, dhe si prona, ato të universiteteve, të grupeve të ndryshme fetare, ndërtesat qeveritare, varrezat etj, por kurrsesi hotelet luksoze. Pra, përjashtimi i pensionistëve nga taksa e pronës është i drejtë, por jo ai i bizneseve të mëdha të hotelerisë.

Po të kërkosh në literaturën elektronike apo jo, përveç Shqipërisë mund të gjesh ndonjë ishull që i lehtëson, por jo përjashton hotelet nga kjo taksë. Edhe në vendet tërësisht turistike si ishujt Karaibe, psh, hotelet paguajnë taksë pronësie. Nëse duhet nxitje për investim në hoteleri, ka nxitës të tjerë si: ulja e taksës së biznesit, (jo e konsumit, TVSH), heqja e taksës së importit të makinerive e pajisjeve, nxitës për punësimin etj. Përveç mungesave të të ardhurave në arkën e shtetit, heqja e kësaj takse për hotelet e mëdha me 4-5 yje, sjell një prishje ekuilibri të konkurrencës brenda sektorit, ku funksionojnë një numër i madh hotelesh të mesme e të vogla, heq burimet e të ardhurave për ato biznese të vogla familjare që do të konkurrohen padrejtësisht e të mbështetur nga shteti në këtë rast, vret sipërmarrjen e vogël.
(Autorja është eksperte në fushën e investimeve dhe pedagoge)
Sigal